Hungari - Mijëra refugjatë drejt largimit në Gjermani dhe Austri

Për rreth 3.000 refugjatë janë ngritur kampe në rrugën jashtë stacionit kryesor hekurudhor të Budapestit, Keleti, nën kontrollin e policisë që të mos hipin në trenat për Austri dhe Gjermani.

373678
Hungari - Mijëra refugjatë drejt largimit në Gjermani dhe Austri

Por ata kanë shkuar shumë larg për t’u kthyer prapa.

Disa janë mbledhur në tenda, disa janë ulur në batanije dhe të tjerët qëndrojnë në tokë.

Ata krijojnë radhë të gjata kur vjen puna për ushqim, që u jepet nga organizata “Ndihmë për Emigrantët”.

Kryetari i Bashkisë së Budapestit, Istvan Tarlos, deklaroi të mërkurën se autoritetet do të ndërtojnë një kamp me tenda për refugjatët afër stacionit kryesor të trenit brenda dy javëve.

“Nuk e kemi për detyrë, por po e bëjmë këtë prej ndërgjegjes dhe kalimit të situatës për sigurinë tonë”, shtoi Tarlos, aleat ky i Kryeministrit konservator, Viktor Orban.

Autoritetet e Budapestit kanë caktuar 373 miliardë forinta (1,33 miliardë dollar) për kampet provizore për strehimin e 800 deri në 1.000 refugjatëve.

Shumica e njerëzve jashtë stacionit të Keletit kanë ardhur nga Siria.

Ata u larguan prej luftës civile në vendin e tyre, kaluan bllokadat në kufirin grek me Maqedoninë dhe murin me tela në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, për të mbërritur në Budapest.

Në radhët e tyrë është Hadi, djaloshi trevjeçar nga kryeqyteti sirian, Damask.

Ai qëndron i ulur në një batanije, ndërkohë që turma rreth tij sa vjen e shtohet.

“Ai vuan nga sindroma Dawn. Djali im është shumë i lodhur. Ai duhet të kontrollohet nga mjeku”, shprehet nëna e tij, Rasha.

Familja, përfshirë vëllain gjashtëvjeçar të Hadit, janë të vendosur që të mbërrijnë në Suedi dhe t’u bashkohen të afërmve të tyre.

Punonjësit e ndihmës nga organizata hungareze, “MigSzol”, thanë se çdo refugjat e ka një destinacion në mendje, sidomos në ato vende ku kanë të afërm, që janë të gatshëm t’i ndihmojnë.

Familja e Hadit ka blerë biletat e trenit për në Mynih të Gjermanisë, por s’mund t’i përdorë ato derisa autoritetet hungareze t’i japin leje.

Të hënën, policia hoqi bllokadën, duke lejuar disa mijëra që të marrin trenin e të nisen për në Austri dhe Gjermani.

Kryeministri Orban do të diskutojë nesër me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, për krizën e emigrimit.

Qeveria ka kërkuar tetë miliardë euro si fonde ndihme në rast emergjence për të shtuar kapacitetin e pranimit.

 


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme