Zvicër-Nxënësja me shami fiton betejën për tu kthyer në shkollë

Nxënësja nga Maqedonia Lejla G., pas dy javësh sërish është kthyer në klasën e saj.

Zvicër-Nxënësja me shami fiton betejën për tu kthyer në shkollë

Nxënësja nga Maqedonia Lejla G., e cila ndjek mësimet në klasën e nëntë të një shkolle në Zvicër, të cilës iu ndalua vijimi i mësimit për shkak të shamisë, pas një pauze prej dy javësh përsëri është kthyer në klasë.

Lejla ka thënë se drejtori i shkollës i ka thënë se nuk mund të vijë me shami në kokë, me pretendimin se është në kundërshtim me rregullat e shkollës. Ajo shtoi se pas kësaj në internet mësoi se në shkollat në Bern, ku ajo jeton me prindërit e saj, nuk ka rregulla që përcaktojnë rrobat me të cilat nxënësit mund të ndjekin mësimet.

"Pasi e kuptova se shamia nuk është fare e ndaluar në shkollë, ditën tjetër, natyrisht, me shami shkova në shkollë. Kur më pa drejtori, pretendonte se po e provokojë. Edhe pse i thash se ky nuk është qëllimi im, më tha që të shkoj në shtëpi dhe se do të thërrasë prindërit e mi. I kërkova atij të më jap një dokument të shkruar ku do të theksonte se më dërgon në shtëpi dhe se do të bisedojë me prindërit e mi. Ai refuzoi të më nënshkruajë një dokument të tillë, ndërsa mësuesi i cili ishte pranë tha se duhet të largohem nga shkolla, përndryshe do ta thërrasin policinë", tha Lejla.

Megjithatë, pas diskutimeve me drejtorin vendosi që të shkojë në shtëpi, sepse në një moment u frikësua dhe ndjeu se ndaj saj po ushtrohet presion.

"Shkova në shtëpi dhe i tregova mamit se çfarë kishte ndodhur. Vendosëm që të presim babin për të parë se çfarë të bëjmë më tutje. Në mbrëmje, drejtori i shkollës e thirri babin dhe i tha se unë nuk mund të shkoja në shkollë për sa kohë që mbaj shami. Babai më tha që nesër të shkoja në shkollë me shami. Të nesërmen si ditëve tjera me shami në kokë shkova në shkollë, por mësuesi kërkoi që të kthehem në shtëpi, dhe ashtu veprova", tha Leila.

Ajo shtoi se së bashku me prindërit ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje nga Këshilli Islamik i Zvicrës, e cila e informoi publikun për këtë problem.

"Pas kësaj drejtori i shkollës përsëri kontaktoi prindërit e mi dhe i tha se për shkak se ende nuk i kam mbushur 18 vjeç, duhet të bëjë një dokument në të cilin babai do të theksonte se me lejen e tij e kam vendosur shaminë. Babai im nuk pranoi një gjë të tillë dhe u përgjigj se unë e mbaj shaminë me vet-dëshirë, që në shkollë u pranua si një argument i mjaftueshëm. Unë i di të drejtat e mia, dhe fitova këtë betejë, pas së cilës u ktheva në shkollë" thotë nxënësja.

Ajo theksoi se është shumë mirënjohëse për shoqet e klasës të cilat i kishte mbështetje të fortë, të cilat e ndihmuan edhe rreth detyrave të shtëpisë kur ajo nuk ishte e pranishme në klasë.

Në fund të bisedës Lejla, tha se në të ardhmen dëshiron të bëhet arkitekte dhe të kontribuojë në ndërtimin e një bote më të mirë, më të lumtur dhe më të drejtë për të gjithë njerëzit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme