Gentiloni: Kriza e emigrantëve rrezikon të copëtojë zemrën e BE

Një përkeqësim i krizës së emigracionit kërcënon të copëtojë zemrën e Bashkimit Evropian, theksoi ministri italian i Punëve të Jashtme, Paolo Gentiloni, duke ngritur alarmin për vënien në pikëpyetje të Marrëveshjes së Shengenit.

Gentiloni: Kriza e emigrantëve rrezikon të copëtojë zemrën e BE

"Skenat kaotike si ajo e ditës së premte dhe të shtunës në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë përbëjnë një kërcënim real për qarkullimin e lirë të personave në mbarë bllokun", shprehu me keqardhje Gentiloni në një intervistë të publikuar nga e përditshmja "Il Messaggero".

Rrethime janë bërë në kufirin greko-maqedonas, ku disa mijëra persona kanë mundur më në fund të hyjnë në Maqedoni dhe një operacion i gjerë në Mesdhe ka mundësuar shpëtimin e rreth 3.000 emigrantëve.

Gjatë javës, Maqedonia ka toleruar hyrjen masive të emigrantëve të ardhur nga Greqia në territorin e saj, por qeveria e Shkupit dekretoi gjendjen e emergjencës dhe vendosi në këto zona forca të policisë dhe ushtrisë për të frenuar fluksin e klandestinëve.

"Evropa rrezikon të tregojë më të keqen për sa i përket emigracionit", paralajmëroi ministri italian, duke tërhequr vëmendjen mbi egoizmin, marrjen e vendimeve të rrezikshme dhe mosmarrëveshjet mes shteteve anëtare.

Alternativa për zgjidhjen e krizës së emigracionit, theksoi ministri italian, do të ishte shembja e Marrëveshjes së Shengenit, duke mundësuar qarkullimin e lirë në një pjesë të Evropës kontinentale.

"Në rrezik është një prej gurëve të themelit të Bashkimit Evropian, qarkullimi i lirë i personave", nënvizoi Paolo Gentiloni.

"Nga brigjet siciliane në Kos, nga Maqedonia në Hungari dhe Kale (Calais), tensionet rriten dhe mund të vendosin Shengenin në pikëpyetje", shtoi ai.

"Mund të imagjinojmë një BE pa Shengen apo një rikthim në kufijtë e vjetër?", pyet ai.

"Emigrantët nuk arrijnë në Greqi, Itali apo Hungari. Ata mbërrijnë në Evropë. Ja përse rregullat e pritjes duhet të evropianizohen", sipas tij.



Lajme të ngjashme