Debati i republikanëve në SHBA thyen rekord në shikueshmëri

Kurrë më parë “Fox News” që ishte organizatori dhe transmetuesi i debatit nuk kishte arritur një numër kaq të madh telespektatorësh në historinë e tij.

Debati i republikanëve në SHBA thyen rekord në shikueshmëri

Njëzet e katër milionë teleshikues kanë ndjekur debatin e parë për zgjedhjet paraprake të republikanëve me kandidatin e shumë përfolur, Donald Trump, duke e kthyer në emisionin më të ndjekur në historinë e stacionit “Fox News”, bëhet e ditur nga shoqëria “Nielsen Media Research”.

Kurrë më parë “Fox News” që ishte organizatori dhe transmetuesi i debatit nuk kishte arritur një numër kaq të madh telespektatorësh në historinë e tij.

Rekordi i mëparshëm i audiencës ishte 11,8 milionë teleshikues i regjistruar mbrëmjen e rizgjedhjes së Barak Obamës në vitin 2012.

Prania e Donald Trump duket se është bërë shkak për suksesin e emisionit.

Në 2011, debati i parë në zgjedhjet paraprake të republikanëve kishte mbledhur rreth tri milionë teleshikues.

Trump performoi në stilin e tij tipik gjatë debatit prej dy orësh, i njëjti stil që e ka ndihmuar atë deri më tani të lërë pas kandidatët e tjerë republikanë. Por, teksa fushata nisi zyrtarisht mëngjesin e së premtes, buzëqeshja në fytyrat e këshilltarëve të kandidatëve të tjerë tregoi historinë e plotë të asaj se çfarë ndodhi në skenën e “Quicken Arena”.

Secili prej tyre u shfaq si fitimtar, ose të paktën kështu pretenduan këshilltarët e rivalëve. Gjë që tregon edhe njëherë se mburrje të tilla janë bërë të zakonshme tashmë pas një debati të zhvilluar, edhe pse një pjesë e mirë e mburrjes bazohet në realitet. Trump mund të kishte qenë në qendër të vëmendjes, por edhe të tjerët performuan po aq mirë, ose ndoshta edhe më efektivisht në përgjithësi e me shumë mundësi kanë siguruar disa votues republikanë më shumë për veten e tyre.

Prej muajsh, udhëheqësit republikanë kanë folur në lidhje me forcën e mundshme të kandidatëve të tjerë të së njëjtës parti. Si grup, kandidaturat që aspirojnë të fitojnë të drejtën për të garuar për President të Shteteve të Bashkuara, janë padyshim më me eksperiencë dhe duken më të gatshëm për një fushatë kombëtare, sesa grupi i politikanëve që synuan të rivalizonin Mitt Romneyn gjatë nominimeve për zgjedhjet presidenciale të 2012-s.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme