Amnesty International: Sirianët jetojnë një tmerr të pabesueshëm

Organizata për mbrojtjen e promovimin e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI) ka akuzuar qeverinë siriane për vrasjet sistematike të civilëve dhe përdorimin e bombave fuçi

Amnesty International: Sirianët jetojnë një tmerr të pabesueshëm

Organizata për mbrojtjen e promovimin e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI) ka akuzuar qeverinë siriane për vrasjet sistematike të civilëve dhe përdorimin e bombave fuçi.

Në raportin e quajtur "Vdekje gjithkund", Amnesty International ka analizuar shkeljet e të drejtave të njeriut në qytetin sirian Halep dhe akuzoi disa nga grupet kryengritëse për krime të luftës.

Në raport janë dokumentuar emrat e civilëve të cilët ishin viktimë e sulmeve me bombat fuçi të kryera nga forcat e regjimit.

Regjimi dhe grupet e shumta opozitare kanë kryer krime të luftës në Halep, ndërsa aksionet e qeverisë në disa raste kanë përfunduar me krimet kundër njerëzimit, theksohet në raportin e Amnesty International.

Bomba fuçi është një lloj mjeti shpërthyes në formë të barelit të mbushur me metal, predhat, kimikate dhe naftë dhe hidhet nga avioni apo helikopterët.

Ndërkohë regjimi në Damask ka mohuar pretendimet mbi përdorimin e bombave fuçi.

Megjithatë, raporti zbulon se këto mjete shpërthyese kanë vrarë 3.124 civilë dhe 35 luftëtarë në periudhën janar 2014 deri në mars 2015 në Halep.

Objektiv i sulmeve ishin 14 vende të tregut, 12 kryqëzimet rrugore dhe 23 xhami. Ndërtesa të tjera, 17 nga të cilat ishin spitale dhe shtëpitë e shëndetit dhe tre shkolla ishin gjithashtu objektiv i sulmeve të regjimit.

"Mizoritë e përhapura, bombardimet veçanërisht të pamëshirshme të vendbanimeve civile të kryera nga forcat qeveritare e bënë jetën në Halep të paimagjinueshme", tha drejtori i Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Philip Luther, duke shtuar se kërcënime të tilla sistematike të jetëve të civilëve janë në fakt lufta dhe krime kundër njerëzimit.

"Kam parë fëmijët pa kokë dhe pjesë të trupit të shpërndara gjithkund. Kështu e imagjinoj ferrin.

Bombat fuçi janë më të tmerrshme dhe armë më vdekjeprurëse. I trajtojmë njerëzit të cilët marrin lëndime të rënda trupore, zorrët e të cilëve kanë dalë nga trupi, amputojmë, tmerr! Kemi parë gjëra të pabesueshme. Për këto lëndime trupore nuk flitet në asnjë libër të mjekësisë", theksohet në raport deklarata e një punonjësi shëndetësor.

Theksohet se forcat qeveritare, si dhe opozitare kanë bërë krime të torturës, rrëmbimit dhe ndalimit me forcë dhe raporti gjithashtu, vë në dukje se për të pestin vit, sa zgjat lufta në Siri, civilët po vuajnë pa ujë, ushqim dhe medikamente.


Fjalët Kyçe: kriza në Siri

Lajme të ngjashme