Itali - Mbytet një gomone me 137 emigrantë, të paktën 40 vdesin

Mesdheu është bërë sërish skenë e një tjetër tragjedie emigrantësh. Të paktën 40 persona kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes së një gomoneje me emigrantë pranë brigjeve të Sicilisë në Itali.

Itali - Mbytet një gomone me 137 emigrantë, të paktën 40 vdesin

Emigrantët e mbijetuar dëshmojnë se gomonia ka plasur teksa transportonte 137 persona, si pasojë dhjetëra vetë kanë rënë në det.

Në ndihmë të tyre ka mbërritur menjëherë një anije italiane, e cila i ka transferuar ata në Portin e Katanias.

Nga ana tjetër, një anije ushtarake malteze dhe një tjetër italiane mbërritën sot në mëngjes me më shumë se 1.000 emigrantë në bord në portet italiane të Poxalos, në Sicili dhe të Salernos pranë Napolit, njoftuan stacionet televizive italiane.

Në Salerno, një anije ushtarake italiane u ankorua në orën e mëngjesit të sotëm me 652 emigrantë në bord, që vinin kryesisht nga Afrika nënsahariane.

Pak më herët, rreth 370 emigrantë në bordin e një anijeje ushtarake malteze mbërritën në Poxalo. Kapacitetet e pritjes të këtij porti janë tejkaluar dhe emigrantët duhet të transferohen menjëherë në qendrat e pritjes në jug të Italisë.

Tre pasagjerë të dyshuar janë arrestuar.

Rreth 500 emigrantë të tjerë, në bordin e një anijeje tjetër italiane, janë pritur në Palermo.

Ministria e Brendshme italiane iu dërgoi një qarkore të re të gjithë prefektëve të vendit, duke iu kërkuar të siguronin menjëherë 9.000 vende pritjeje shtesë për emigrantët e rinj. Plani i Ministrisë parashikon një shpërndarje të barabartë të emigrantëve në të gjithë territorin italian.

Aktualisht, më shumë se 80.000 imigrantë janë pritur në strukturat italiane, 14.000 prej të cilëve janë të mitur.

Italia i kërkoi dje Bashkimit Evropian të marrë masa të rëndësishme përballë fluksit të pandalshëm të emigrantëve në Mesdhe, pasi rreth 7.000 prej tyre janë shpëtuar vetëm gjatë ditës së premte dhe fundjavës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme