Nepal - OKB-ja njofton krijim e fondit të ndihmave emergjente

OKB-ja bëti të ditur formimin e një fondi për ndihma emergjente prej 15 milionë dollarësh, teksa bilanci i fatkeqësisë në Nepal po rritet çdo ditë e më shumë.

Nepal - OKB-ja njofton krijim e fondit të ndihmave emergjente

Përmasat e katastrofës në Nepal po rriten me shpejtësi nga dita në ditë.

Sipas një komunikate zyrtare të mëngjesit të sotëm, numri i të vdekurve rezulton mbi 5.000 dhe ai i të plagosurve të paktën 9.600.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, punimet e të cilave vijojnë pa ndërprerje, i kanë bërë veshët katër për të dëgjuar zërat e të mbijetuarve nën rrënojat e kryeqytetit Katmandu.

Mirëpo zhurma e morisë së nevojtarëve nuk ua lehtëson aspak punën ekipeve, që shpeshherë detyrohen të bëjnë thirrje për qetësi.

Një tjetër çështje, që i vështirëson jo pak punimet e kërkim-shpëtimit është numri i madh i kufomave dhe erërat e rënda, që përhapen nga dekompozimi i tyre.

Sakaq, OKB-ja njoftoi krijimin e një fondi për ndihma emergjente prej 15 milionë dollarësh, që planifikohet t’u shkojë në ndihmë 1,4 milionë personave për 3 muaj me radhë.

Po ashtu, Baronesha Valerie Amos, koordinatore e OKB-së për Ndihmat Emergjente, bëri të ditur se do të vizitojë sot Nepalin dhe do të inspektojë për 3 ditë zonën e fatkeqësisë.

Nga ana tjetër, India ka dërguar autobusë në zonën e fatkeqësisë për evakuimin e qytetarëve indianë nga Nepali.

Qindra indianë, që jetojnë prej vitesh në Nepal, po nxirren jashtë zonës së prekur nga tërmeti dhe po dërgohen në shtetin verior Utar-Pradesh të Indisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme