Koment – Hyrja e Perandorisë Osmane në Luftën I Botërore

Një nga debatet më të nxehta, që ka nisur të bëhet sërish në 100-vjetorin e Luftës I Botërore, është ai rreth shkakut të hyrjes së Perandorisë Osmane në këtë luftë, që solli me vete dhe fundin e saj.

Koment – Hyrja e Perandorisë Osmane në Luftën I Botërore

Natyrisht që autoritetet otomane s’kishin si ta dinin që kjo luftë do të përfundonte me humbjen e tyre; por njëherësh ata nuk mund të ishin as të sigurt që do ta fitonin atë. Megjithatë, siç dihej edhe një shekull më parë dhe që sot nuk lë vend as për më të voglin dyshim, fuqia ushtarake e aleancës Perandoria Osmane–Gjermani–Austro-Hungari ishte më e vogël se ajo e aleancës rivale Angli–Francë–Rusi. Sepse otomanët dhe austro-hungarezët kishin humbur shumë luftëra të njëpasnjëshme deri në atë kohë dhe ishin dobësuar ndjeshëm, ndërsa Gjermania ishte një fuqi relativisht e re, që kishte filluar të ngrihej 40–50 vite përpara Luftës I Botërore.

Sakaq, britanikët dhe francezët ishin superfuqi të Evropës prej rreth 300 vitesh, ndërsa rusët kishin rreth 2 shekuj, që konsideroheshin gurë i rëndë në “Kontinentin e Vjetër”. Ndërkohë që Anglia dhe Franca kishin 200 vjet, që kishin realizuar revolucionin industrial dhe ishin zhvilluar shumë në krahasim me vendet e tjera; Gjermania kishte vetëm 45 vite (1871), që ishte bërë shtet i bashkuar. Nga ana tjetër, Shteti Otoman jo vetëm që nuk kishte ecur dot me hapin e kohës, pra nuk ishte industrializuar ende; por quhej edhe “i sëmuri i Bosforit”, apo “i sëmuri i Evropës” nga vet evropianët. Osmanlinjtë kishin humbur territore të mëdha përgjatë shekullit të 19-të, veçanërisht në Luftën Ruso–Turke (1877-1878) dhe në Luftërat Ballkanike (1912-1913). Në këtë pikë ngrihet pyetja: Cila është arsyeja e hyrjes së Perandorisë Otomane në Luftën I Botërore, pavarësisht gjithë këtyre disavantazheve?

Vendimi për hyrjen e Perandorisë Osmane në Luftën I Botërore është marrë nga drejtuesit e Partisë Bashkim e Përparim, emri më i rëndësishëm i të cilës ishte Enver Pashai, ministër i Mbrojtjes dhe burrë shteti i fuqishëm i asaj kohe. Për të kuptuar arsyen përse këto autoritete vendosën të bashkëpunojnë me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, fillimisht duhen marrë parasysh rrethanat, në të cilat ata gjendeshin. Ajo më kryesorja është bllokimi i Perandorisë Otomane mes Gjermanisë në zhvillim e sipër dhe treshes Angli–Francë–Rusi, që përbënte një kërcënim madhor gjatë dhe pas Luftës Ruso–Turke (1877-1878). Në përfundim të Kongresit të Berlinit (1878), që u mbajt pas Luftës Ruso–Turke, Sulltan Abdulhamiti II ishte bërë aleat i Gjermanisë. Aleanca osmano–gjermane ishte fuqizuar jashtë mase, veçanërisht në fushën ushtarake; ku oficerët dhe armët gjermane kanë luajtur rol kryesor në ristrukturimin e ushtrisë otomane.

Mirëpo përpjekjet për ta shtrirë bashkëpunimin otomano–gjerman edhe në fusha të tjera si ekonomia, tregtia dhe transporti ngjalli menjëherë shqetësimin e Anglisë dhe Rusisë. Britanikët ndruheshin për arsye se hekurudha Berlin–Bagdad kërcënonte interesat e tyre në Lindjen e Mesme. Kurse rusët i shqetësoheshin mundësisë së zgjerimit të Gjermanisë dhe aleates së saj, Austrisë, në territoret ballkanike dhe veçanërisht në Sarajevë. Për këto dy shtete, Gjermania dhe Perandoria Osmane ishin kthyer në një kërcënim direkt dhe konkret. Të dyja këto fuqi të mëdha po bënin plane për të copëtuar Shtetin Otoman, të cilin e kishin mposhtur më parë në vitin 1878, si dhe për të neutralizuar Gjermaninë. Thënë ndryshe, Anglia dhe Rusia ishin në kërkim të një mundësie për të vrarë dy zogj me një gurë dhe Lufta I Botërore ishte pikërisht shansi, që ato kërkonin.

Prandaj, edhe pse ndoshta kishin dëshirë dhe vullnet, osmanlinjtë e kishin të pamundur të bashkëpunonin me Anglinë dhe Rusisë për shkak të aleancës së tyre me Gjermaninë. Dhe në të vërtetë, pas Luftërave Ballkanike, qeveria Bashkim e Përparim kishte bërë përpjekje të mëdha për t’u afruar me Anglinë, Francën dhe Rusinë, por pa rezultat. Madje, për të fuqizuar sërish marrëdhëniet me britanikët, Porta e Lartë u kishte dhënë atyre porosi për dy luftanije dhe pagesën e kishte bërë të gjithën në formë paradhënieje. E megjithatë qasja e shumëpritur nuk ishte realizuar. Tashmë Anglia e vlerësonte Perandorinë Osmane si një shtet aq të rrezikshëm saqë nuk mund të përkrahej dhe mbrohej dot më.

Teorikisht dhe pavarësisht rrethanave në fjalë, Shteti Osman mund të sforconte në maksimum pozitën e tij për të qenë asnjanës në luftën ndërmjet Rusisë dhe aleancës Austri-Gjermani. Por ai nuk veproi kështu dhe brenda një kohe të shkurtër është renditur krah për krah me Austrinë dhe Gjermaninë. Arsyeja e kësaj manovre kishte të bënte me ideologjinë e politikës së jashtme të Partisë Bashkim e Përparim. Mund të pretendohet se prijësit e kësaj force politike, që asokohe drejtonte Perandorinë Osmane, duke u renditur përkrah Gjermanisë në Luftën I Botërore janë përpjekur të realizojnë dy synime: I pari kishte të bënte me idenë për të rimarrë territoret e humbura ndaj Anglisë, Francës dhe Rusisë, duke rikthyer kështu lavdinë e dikurshme; ndërsa i dyti ishte plani për t’u bashkuar me popujt turq në Azinë Qendrore, duke mposhtur Anglinë dhe Rusinë, vende këto me shumë influencë në rajonin e lartpërmendur. Me anë të këtij projekti, që ndryshe njihet edhe si “Turanizëm”, planifikohej që Perandoria Otomane të shndërrohej në një shtet turk kolosal.

Në fund të fundit, Partia Bashkim e Përparim ishte e vetëdijshme për thellësinë e aleancës ndërmjet Gjermanisë dhe Perandorisë Otomane. Në ushtrinë osmane kishte me mijëra oficerë të lartë gjermanë dhe përdoreshin armët e makineritë luftarake gjermane. Për më tepër, projekti i përbashkët turko–gjerman për hekurudhën Berlin–Bagdad–Hixhaz kishte avancuar shumë. Realizimi i këtij projekti nënkuptonte lidhje më të ngushta të Stambollit jo vetëm me Tokat e Shenjta, por edhe me Ballkanin e Evropën. Tërheqja nga një aleancë kaq e thellë ishte sa e vështirë aq edhe e pamundur. Si përfundim, hyrja e Perandorisë Osmane në Luftën I Botërore është një produkt i përbashkët i preferencave të liderëve të Partisë Bashkim e Përparim dhe rrethanave e koniunkturës ndërkombëtare të asaj kohe.

Sado që aleanca otomano–gjermane kishte një pozitë jo të favorshme në këtë luftë, shansi për të fituar luftën sërish ekzistonte. Ashtu si në shembullin e Luftës së Çanakalasë, aleanca osmano–gjermane kishte fituar në disa fronte dhe mund të fitonte gjithashtu në frontet e tjera. Megjithatë, fatin e kësaj lufte nuk e kanë përcaktuar Anglia me Francën, por dy zhvillime të tjera të rëndësishme, që u përjetuan në vitin 1917. I parë është tërheqja e Rusisë nga Lufta I Botërore menjëherë pas revolucionit bolshevik; kurse zhvillimi i dytë është zëvendësimi i Rusisë nga një fuqi shumë më e madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat u renditën menjëherë përkrah britanikëve dhe francezëve.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme