Rumani - Ish-ministri i Financave tashmë pa imunitet

Parlamenti rumun i hoqi të martën imunitetin ish-ministrit të Financave, Darius Valcov, i cili kishte dhënë dorëheqjen 11 ditë më parë, duke i hapur kështu rrugën arrestimit të tij me dyshimin për korrupsion.

Rumani - Ish-ministri i Financave tashmë pa imunitet

Socialdemokrati Darius Valcov është politikani i parë në detyrë, që ka rënë në duart e prokurorëve, të cilët kanë kryer javët e fundit një ofensivë të madhe kundër korrupsionit dhe personaliteteve me shumë influencë në Rumani.

Prokuroria e akuzon ish-ministrin Valcov për ryshfete me vlerë 2 milionë euro nga viti 2011 deri në 2013-n, duke ndihmuar një kompani private për të fituar më shumë tendera kur ai ishte kryebashkiak i Slatinas.

Hetuesit gjithashtu dyshojnë se që nga 2011-a janë kryer transaksione të papajtueshme me detyrat e tij si kryetar bashkie, senator dhe ministër nëpërmjet një firme kontabiliteti, që kontrollohej tërthorazi.

"Prokurorët gjetën në kasafortën e tij 90.000 dollarë, tri lingota ari dhe tri piktura të kushtueshme", tha Drejtoria Antikorrupsion e Rumanisë.

Ish-ministri, tashmë pa imunitet, është zëvendësuar nga Kryeministri Victor Ponta deri në momentin kur do të dalë një emër i ri.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme