Partia Kulanu faktori kyç për formimin e qeverisë në Izrael

Partitë e djathta dhe ortodokse akoma nuk kanë numër të mjaftueshëm të përfaqësuesve në Knesset, kështu që në përbërjen e qeverisë duhet të hyjë edhe një partner.

Partia Kulanu faktori kyç për formimin e qeverisë në Izrael

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor të Izraelit, Partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu është fitues e zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara të martën, me 30 vende të fituara në Knesset, por në skenën politike të këtij vendi tani vijon gara maratone për formimin e koalicionit që do të mbajë pushtetin në periudhën e ardhshme.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mësohet se Partia Likud ka siguruar 30 vende në Knesset, Unioni Sionist i qendrës së majtë 24, ndërsa Lista e Bashkuar Arabe, e cila po ashtu deklarohet si opsion i krahut të majtë ka siguruar 13 vende në parlamentin e Izraelit.

Partitë e qendrës politike Yesh Atid dhe Kulanu do të kenë përkatësisht 11 dhe 10 përfaqësues, ndërkohë që Partia Nacionaliste Habeyit HaYehudi do të ketë tetë përfaqësues. Partia Ortodokse Shas do të ketë shtatë, Hebrenjtë e Bashkuar Torah dhe Partia Ultranacionaliste Yisrael Beitenu do të kenë nga gjashtë, ndërsa Partia e Majtë Meretz në Knesset do të ketë katër vende.

- Gara për formimin e qeverisë së koalicionit -

Ligji zgjedhor kërkon që qeverinë ta formojë një opsion politik me së paku 61 nga 120 vende në Knesset, ndërsa sipas paralajmërimeve të para të udhëheqësve të partive politike, qeverinë e Izraelit do të formojë opsioni i djathtë politik.

Sondazhet parazgjedhore paralajmëruan fitoren e Unionit Sionist të qendrës së majtë, kjo e cila intensifikoi negociatat e liderëve të qendrës së djathtë, të cilët nën udhëheqjen e Netanyahut fituan 30 vende. Pritet që mandatari për përbërjen e qeverisë së re të jetë kryeministri aktual Netanyahu, ndërsa partnerët e tij potencial të koalicionit janë përfaqësues të së djathtës dhe bllokut ultra-ortodoks.

Partitë ultra-ortodokse Shas dhe Hebrenjt e Bashkuar Torah kanë siguruar 13 vende në Knesset dhe kjo mund të trajtohet si dështim zgjedhor sepse deri më tani kanë patur 18 mandate. Mirëpo, si "partitë fetare" më parë nuk ishin të pranueshme si opsion i Netanyahut për koalicion, por tani situata është dukshëm më ndryshe dhe pritet të jenë partnerët kyç të qeverisë së ardhshme.

- Netanyahut sërish i nevojitet partneriteti me Kahlon -

Partitë e djathta dhe ortodokse akoma nuk kanë numër të mjaftueshëm të përfaqësuesve në Knesset, kështu që në përbërjen e qeverisë duhet të hyjë edhe një partner. Si kandidat kryesor për negociatat mbi hyrjen në koalicion përmendet Moshe Kahlon, lideri i partisë Kulanu që përfaqëson idetë e qendrës politike.

Khalon një kohë të gjatë ishte anëtar i shquar i Partisë Likud, të cilën e braktisi për shkak të mospajtimeve me politikën ekonomike të Netanyahut, dhe vitin e kaluar e themeloi partinë e re.

Netanyahu tre ditë para zgjedhjeve deklaroi se Partia Kulanu është kyçe për formimin e qeverisë dhe se është i gatshëm t'ia jap postin e Ministrit të Financave në qeverinë e ardhshme.

Mundësia e një qeverie të unifikuar kombëtare ku do të ishin të gjitha partitë duket joreale. Lideri i Unionit Sionis Herzoh para zgjedhjeve tha se kjo do të ishte e mundur vetëm nëse Netanyahu të largohet nga kreu i Likud.

- Procesi paszgjedhor -

Pas publikimit të rezultateve zyrtare të zhvilluara më 17 mars, Presidenti izraelit Reuven Rivlin pritet t'i ndajë liderit të partisë fituese mandatin për përbërjen e qeverisë së re izraelite, i cili do të ketë 42 ditë afat për këtë.

Nëse gjatë kësaj periudhe nuk formohet koalicioni qeverisës, presidenti Rivlin edhe dy herë mund të emërojë mandatarët e ri me afate kohore prej 28 dhe 14 ditë. Nëse për këto tre muaj nuk formohet qeveria, presidenti i Izraelit do të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme