Obama-Cameron: Retorika helmuese, kërcënimi i vërtetë

Përparësi e madhe e SHBA-së është se myslimanët ndihen si amerikanë, tha Presidenti amerikan Barak Obama dhe pas takimit me kryeministrin britanik, David Cameron në zyrën Ovale në Uashington.

Obama-Cameron: Retorika helmuese, kërcënimi i vërtetë

"Krahasuar me Evropën, përparësia e jonë më e madhe është, se ndoshta myslimanët në vendin tonë ndjehen si amerikanë. Forca jonë më e madhe qëndron në përshtatjen e emigracionit me traditën tonë ekzistuese," tha Obama, duke shtuar se në disa vende evropiane, kjo gjë nuk qëndron.

"Ka pjesë të Evropës, ku kjo nuk është kështu. Kjo ndoshta është sfida më e madhe e tyre", sipas presidentit amerikan.

Obama dhe kryeministri britanik, David Cameron pas takimit në zyrën Ovale në Uashington mbajtën konferencë shtypi, ku pjesën më të madhe ia kushtuan temës së terrorizmit dhe ekstremizmit.

Obama me këtë rast tha se problemi i terrorizmit nuk mund të zgjidhet me aktivitete të inteligjencës dhe mjete ushtarake.

Ai theksoi nevojën e strategjisë afatgjatë për të parandaluar rekrutimin e të rinjve në radhët e organizatave terroriste.

"Ne akoma jemi të fortë, sepse paraqesim vlerat, në të cilat beson shumica e muslimanëve. Jemi angazhuar së bashku nën ombrellën e tolerancës në mënyrë që të ndërtojmë dhe jo të prishim", theksoi Obama.

Të dy udhëheqësit botërorë ranë dakord se është e nevojshme për të përshpejtuar trajnimin e forcave ushtarake irakiane në luftën kundër organizatës terroriste ISIS.

Obama hodhi poshtë akuzat se Shtetet e Bashkuara dhe Britania a Madhe vëzhgojnë ngjarjet në Siri qetësisht, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara bëjnë përpjekje të mëdha për të arritur një zgjidhje diplomatike të luftës siriane.

Ai vuri në dukje se SHBA-të dhe aleatët e saj i pret një luftë e gjatë për t'u përballur me ideologjitë ekstremiste që janë gjithnjë e më tërheqëse edhe radikalët e brendshëm si ata që kryen sulmet në Francë javën e kaluar.

Kryeministri britanik tha se është e nevojshme që të qëndrojmë larg prej deklaratave dhe retorikës të cilat paraqesin imazhin e gabuar të Islamit.

"Kërcënimi i vërtetë është këtu, kjo nuk duhet harruar, retorika helmuese që jep ide të gabuar për Islamin," tha Cameron, duke shtuar se bashkë me aleatët do të luftojnë kundër kërcënimeve terroriste dhe fanatike.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme