SHBA – Një i ri me ngjyrë vritet nga policia pranë Fergusonit

Një polic ka vrarë një të ri me ngjyrë që mbante një armë në një karburant në Misuri, njoftoi sot policia amerikane, që është kritikuar tashmë në një seri dramash që kanë shkaktuar një valë zemërimi në vend.

SHBA – Një i ri me ngjyrë vritet nga policia pranë Fergusonit

Shkëmbimi i zjarrit ndodhi dje në mbrëmje në Berkeley, një qytet pranë Fergusonit, ku protestat kishin filluar muajin e kaluar pas vendimit të jurisë për të mos dënuar policin e bardhë që vrau Michael Brown, një djalë me ngjyrë të moshës 18 vjeç që nuk ishte i armatosur.

Sipas një komunikate të policisë të qarkut të Saint Louis-it, përballja ndodhi dje me orën lokale 23:15, ndërkohë që një polic zhvillonte një kontroll rutinë në një karburant.

“Pasi vërejti dy burra që qëndronin në krahë të godinës, polici doli nga vetura e tij dhe iu afrua atyre kur njëri prej tyre nxori një pistoletë dhe ia drejtoi policit”, thuhet në komunikatën për shtyp të policisë.

“Duke u shqetësuar për jetën e tij, polici nxori pistoletën dhe qëlloi me disa plumba, që prekën këtë person duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. I dyti u largua me vrap”, sipas versionit të policisë.

I riu me ngjyrë që vdiq në vend ende nuk është identifikuar.

Drama që ka ndodhur në Ferguson, në periferi të Saint Louis-it, ka ngjallur një emocion të konsiderueshëm në vend, kryesisht në komunitetin me ngjyrë. Shumë drama të ngjashme kanë ndodhur së fundmi duke ngjallur zemërimin e komunitetit me ngjyrë, që e konsideron veten viktimë të racizmit nga ana e policisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme