Katainen kërkon nga Berlini të investoj në planin Juncker

Finlandezi thekson se kjo çështje do të jetë në qendër të diskutimit në mbledhjen e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.

Katainen kërkon nga Berlini të investoj në planin Juncker

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, finlandezi, Jyrki Katainen, i kërkoi Berlinit të injektojë një pjesë të miliardave të eurove të parashikuar deri në vitin 2018 në planin Juncker, sipas një interviste të publikuar sot në median gjermane.

“Është e mundur që Gjermani të investojë një pjesë të programit të saj prej 10 miliardë eurosh në fondin tonë”, deklaroi Katainen në këtë intervistë të publikuar nga e përditshmja gjermane, “Handelsblatt”.

Finlandezi thekson se kjo çështje do të jetë në qendër të diskutimit në mbledhjen e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në mes të dhjetorit.

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, kishte deklaruar publikisht në nëntor se parashikonte 10 miliardë euro shtesë në investimet publike Gjermane deri në vitin 2018, duke parë këtu një kontribut në mbështetjen e rritjes ekonomike të Evropës.

Por deri tani Schauble kishte refuzuar të injektonte një pjesë të kësaj shume në fondin e investimit të premtuar nga Komisioni Evropian për të rinisur rritjen ekonomike dhe punësimin në Bashkimin Evropian, theksoi e përditshmja “Handelsblatt”, pa cituar burimet e veta.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, paraqiti të mërkurën krijimin e një fondi evropian për investimet strategjike me synim mobilizimin e 315 miliardë eurove në tre vite.

Projekti i Brukselit do të mbështetet pjesërisht nga buxheti Evropian dhe nga Banka Evropiane e Investimit që do të sjellin 21 miliardë euro garanci, për të tërhequr investitorët privatë.

“Kontributi i vendeve anëtare mund të risë prespektivat e fondit. Nëse 21 miliardët tona do të dyfishohen, ne mund të mobilizojmë më shumë se 600 miliardë euro investime private”, theksoi Katainen.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme