Kaczynski kërkon verifikimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale

Rezultatet e zgjedhjeve shkaktuar tensione politike në Poloni pasi gjatë numrimit pati probleme informatike.

Kaczynski kërkon verifikimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale

Kreu i partisë konservatore polake, Ligj dhe Drejtësi (PiS, opozitë), Jaroslaw Kaczynski hodhi sot poshtë rezultatet zyrtare të zgjedhjeve lokale, të cilat ai i konsideron si ”të rreme, të dyshimta, për të mos thënë të falsifikuara” dhe kërkoi verifikimin e tyre.

Komisioni zgjedhor polak (PKW), që publikoi sot rezultatet e zgjedhjeve, ku numërimi pati ndërprerje për shkak të problemeve informatike të menaxhuara në mënyrë jo të rregullt, ka shkaktuar tensione politike në Poloni.

“Dua të them qartë se ne i konsiderojmë rezultatet e njoftuara nga PKW si të rreme, për të mos thënë të falsifikuara”, deklaroi Kaczynski në Katowice.

“Ne nuk jemi dakord me këtë lloj numërimi të votave gjatë zgjedhjeve. Ne kërkojmë një verifikim të asaj që ka ndodhur, si dhe një modifikim të mënyrës së votimit për të limituar radikalisht mundësinë e falsifikimit të zgjedhjeve”, nënvizoi Kaczynski.

Ai njoftoi për veprime gjyqësore dhe një manifestim në Varshavë më 13 dhjetor.

Zhvilluar rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe një vit para zgjedhjeve legjislative, zgjedhjet lokale u perceptuan si një test i rëndësishëm duke mundësuar gjithashtu njohjen e klimës politike dy muaj pas largimit për në Bruksel të liderit karizmatik të liberalëve, Donald Tusk, i zgjedhur për të drejtuar Këshillin Evropian.

Disa parti të opozitës kanë vënë në pikëpyetje besueshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe kanë kërkuar zgjedhje të reja, një mundësi e hedhur poshtë si nga kryeministrja, Ewa Kopacz dhe nga presidenti, Bronislaw Komorowski.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme