Japoni – Abe shpërndan Parlamentin për zgjedhjet e parakohshme

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, shpërndau Dhomën e Ulët të Parlamentit japonez, me fuqi të madhe vendimmarrëse, për t’i hapur rrugë zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, që duhet të mbahen brenda dhjetorit.

Japoni – Abe shpërndan Parlamentin për zgjedhjet e parakohshme

Kjo lëvizje vjen pasi ekonomia e tretë në botë ra papritur në recesion për herë të tretë brenda katër viteve.

Abe deklaroi të martën se do të hiqte dorë nga një rritje e planifikuar për vitin e ardhshëm të taksës së shitjes, pasi të dhënat e qeverisë tregonin se ekonomia e vendit kishte rënë për të dytin tremujor radhazi.

Tkurrja e ekonomisë japoneze është parë pjesërisht edhe si rezultat i rritjes së pjesshme të taksës së shitjes, që hyri në fuqi më 1 prill, nga pesë në tetë për qind.

Shinzo Abe theksoi se kërkonte të shihte reagimin e votuesve ndaj rritjes së kësaj takse, si dhe faktin nëse ata do t’i mbështesnin politikat e tij ekonomike për t’i dhënë fund deflacionit, që ka ulur ritmet e zhvillimit ekonomik.

”Megjithatë, votuesit nuk janë të bindur për nevojën e zgjedhjeve të parakohshme”, sipas një sondazhi të agjencisë japoneze të lajmeve, "Kyodo News".

Politikat ekonomike të Abes, të quajtura ndryshe “Abenomics”, nuk kanë dhënë ende atë që pritej.

Fushata elektorale do të fillojë më 2 dhjetor dhe zgjedhjet e parakoshme do të zhvillohen më 14 dhjetor.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme