EBA publikojnë listën e organizatave terroriste

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë publikuar një listë me 83 grupe të klasifikuara si terroriste, ku bëjnë pjesë edhe organizata si ISID-i dhe Vëllezërit Myslimanë.

EBA publikojnë listën e organizatave terroriste

Emiratet e Bashkuara Arabe, që marrin pjesë në koalicionin ndërkombëtar antixhihadist të drejtuar nga Uashingtoni, publikuan të shtunën një listë organizatash terroriste që përfshin 83 grupe islamike ndërkombëtare, shumica e të cilëve e kanë qendrën në Siri.

Al Kaeda, oraganizata Shteti Islamik (ISID), lëvizja e Vëllezërve Myslimanë dhe lëvizja Huti në Jemen figurojnë në këtë listë të miratuar nga këshilli i ministrave dhe publikuar nga agjencia zyrtare WAM.

Arabia Saudite kishte publikuar në mars një listë të ngjashme të grupeve terroriste, ku figuronin gjithashtu këto organizata.

Emiratet kanë vendosur gjithashtu në listën e tyre të zezë Bashkimin Ndërkombëtar të Ulemave Myslimanë, me qendër në Katar dhe të drejtuar nga shefi shpirtëror i Vëllezërve Myslimanë, Youssef al Qaradaoui.

Shoqata e emirateve, Al Islah, e akuzuar për lidhje me Vëllezërit Myslimanë dhe lëvizja shiite, Hezbolla, e Arabisë Saudite, figurojnë gjithashtu në këtë listë. Ndërsa lëvizja shiite libaneze Hizbullah nuk përmendet.

Shumica e 83 grupeve janë organizata që marrin pjesë në konfliktin në Siri, vend që po shkatërrohet nga më shumë se tre vite luftë civile.

Grupet islamike aktive në Libi, Tunizi, Mali dhe Pakistan, talebanët dhe grupi nigerian Boko Haram janë klasifikuar gjithashtu si terroriste, si dhe Federata e Organizatave Islamike në Evropë, dhe shoqata myslimane të disa vendeve evropiane, kryesisht në Britaninë e Madhe.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme