BE kërkon ndihmën e gjigantëve të internetit kundër ekstremizmit

Bashkimi Evropian do t’u kërkojë gjigantëve të internetit, në mënyrë të veçantë Google, Facebook dhe Twitter, të ndihmojnë në luftën kundër ekstremizmit dhe xhihadizmit në internet, bënë të ditur sot burime evropiane.

BE kërkon ndihmën e gjigantëve të internetit kundër ekstremizmit

”Një takim do të organizohet sot në Luksemburg mes komisioneres evropiane të ngarkuar për Cështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, disa ministrave evropianë të Brendshëm dhe përfaqësuesve të këtyre kompanive”, theksoi një zëdhënës i Komisionit.

Ky takim do të zhvillohet një ditë para takimit të ministrave të Brendshëm evropianë kushtuar luftës kundër xhihadizmit evropianë dhe radikalizimit të të rinjve evropianë që nisen të luftojnë në Siri dhe Irak.

”Pjesëmarrësit do të diskutojnë veçanërisht për sfidat e paraqitura si pasojë e përdorimit të internetit nga terroristët, përgjigjet e mundshme dhe për mjetet dhe teknikat që mundësojnë kundërpërgjigje ndaj aktiviteteve terroriste në internet”, shtoi zëdhënësi. Ata nuk do të diskutojnë për masa specifike, por për mënyrën se si ndërmarrjet private dhe qeveritë mund të bashkëpunojnë”, theksoi ai.

Ekstremistët kanë gjetur në internet një mjet të fuqishëm propagande. Grupi i Shtetit Islamik ka publikuar në këto javët e fundit video të ekzekutimit të pengjeve perëndimore.

Rrjetet e mëdha sociale nuk kryejnë mbikëqyrje, por mbyllin llogaritë që kundërshtojnë kushtet e përdorimit, veçanërisht në raste të thirrjeve për dhunë.

Në muajin gusht, Twitter ndërpreu llogari të shumta të anëtarëve të grupit të Shtetit Islamik dhe mbështetësve të tyre, që publikonin imazhe të vrasjes së gazetarit amerikan, James Foley.

”Numri i xhihadistëve evropianë të nisur për të luftuar në Siri dhe në Irak është në rritje, me rreth 3 000”, deklaroi muajin e kaluar koordinatori evropian për luftën kundër terrorizmit, Gilles de Kerchove.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme