Gaza e kërcënuar me katastrofë shëndetësore

Për shkak të mungesës së ujit dhe energjisë elektrike të shkaktuar nga sulmet e Izraelit, Gaza do të përballet me një katastrofë shëndetësore.

Gaza e kërcënuar me katastrofë shëndetësore

Për shkak të mungesës së ujit dhe energjisë elektrike të shkaktuar nga sulmet e Izraelit, Gaza do të përballet me një katastrofë, ka deklaruar drejtori i kompanisë së Ujësjellësit në Gaza, Munzir Seblak.

"Gjatë dhe pas sulmeve të Izraelit ishim të detyruar që ujërat e zeza t’i shkarkojmë direkt në det. Për këtë arsye, tani mund të përballemi me një fatkeqësi shëndetësore. Rezervat e ujërave nëntokësore në Rripin e Gazës nuk janë të mjaftueshme dhe 95 për qind e tyre nuk janë të pijshme",- ka thënë Seblak, duke theksuar se për shkak të mungesës së energjisë elektrike, reduktimi i ujit vazhdon.

"Gjatë sulmeve në Rripin e Gazës, Izraeli ka bombarduar tri impiante për pastrimin e ujit, 11 rezerva uji dhe 26 burime të tilla, si dhe një pjesë të madhe të rrjetit të kanalizimit, ku dëmi material është vlerësuar me 34 milionë dollarë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të na zgjasë dorën e ndihmës",- ka deklaruar Seblak, duke bërë thirrje te bashkësia ndërkombëtare për ndihmën e zgjidhjes së problemit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë.

Kujtojmë se, më 7 korrik, ushtria izraelite filloi sulmet ajrore në Rripin e Gazës, ndërsa dhjetë ditë më vonë ka vazhduar me ofensivë tokësore të mbështetur nga artileria detare.

Sulmet kanë përfunduar me marrëveshjen për armëpushim, të arritur më 26 gusht.

Gjatë ofensivës 51-ditore të Izraelit janë vrarë të paktën 2 148 persona, duke përfshirë 579 fëmijë, ndërsa më shumë se 11 000 individë janë plagosur.

Nga ana tjetër, janë vrarë 67 ushtarë të Izraelit, katër civilë dhe një punëtor i huaj.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme