Kameron: Pavarësia e Skocisë, një divorc i dhimbshëm

Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, theksoi të hënën se fitorja e ”po”-së në referendumin për pavarësinë e Skocisë, që do të organizohet të enjten, do të përbënte një divorc të dhimbshëm me pasoja të rënda.

Kameron: Pavarësia e Skocisë, një divorc i dhimbshëm

"Ju lutem, mos e ndani këtë familje", u bëri thirrje zgjedhësve Kameron, i cili zhvilloi një vizitë në portin skocez të naftës, në qytetin Aberdin, për një fjalim të fundit për të shmangur ndarjen e Britanisë së Madhe, ndërkohë që sondazhet parashikojnë një rezultat të ngushtë.

"Nuk do të ketë kthim prapa, mundësi të dytë", theksoi drejtuesi konservator në një fjalim plot pasion. "Nëse Skocia voton 'po' për pavarësinë, Britania e Madhe do të shpërbëhet dhe rrugët tona do të ndahen përgjithmonë", shtoi ai.

"Tashmë, di që shumë persona në Skoci kanë parashikuar të votojnë 'po'. Gjithashtu, di që kampi i 'po'-së përshkruan një Skoci, që do të ishte më mirë në të gjitha nivelet, nëse do të jetë e pavarur", theksoi ai.

"Fitorja e 'po'-së do të përbënte një divorc të dhimbshëm", shtoi Kameron.

"Kjo do të thotë se ne nuk do të ndajmë më të njëjtën monedhë; se forcat tona të armatosura, që kanë luftuar së bashku prej shekujsh, do të ndahen. Nëse 'jo'-ja fiton të enjten, kjo do të sjellë një program më të gjerë të transferimit të pushteteve dhe të pazakontë për sa i përket politikës fiskale dhe shëndetit publik", premtoi Kameron.

"Ne jemi mirë së bashku", nënvizoi ai duke përsëritur sloganin e fushatës së mbështetësve të 'jo'-së: "Votoni që ne të qëndrojmë së bashku (…) votoni për të shpëtuar Britaninë e Madhe".


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme