Mogerini: Bashkimi i BE-së, i nevojshëm për sanksionet antiruse

Ministrja e Jashtme italiane, Federika Mogerini, kërkoi një konsensus të vërtetë për sanksionet antiruse, ndërkohë që ambasadorët e BE-së po bëjnë përpjekje për të rënë dakord mbi veprimet e tyre.

Mogerini: Bashkimi i BE-së, i nevojshëm për sanksionet antiruse

"Roli ynë është arritja e një konsensusi të vërtetë", deklaroi Mogerini me rastin e publikimit të një sondazhi nga instituti amerikan "German Marshall Fund" (GMF) në Bruksel.

"Para së gjithash është e nevojshme arritja e një uniteti rreth koordinimit të lëvizjeve për zbatimin e sanksioneve të reja ekonomike që 28 shtetet anëtare kanë miratuar të hënën", theksoi Mogerini.

"Çështja është në cilin moment hyrja në fuqi e sanksioneve do të jetë më efikase dhe nuk do të interferojë me planin e paqes?", theksoi ajo.

Mogerini nënvizoi rrezikun për dërgimin e një sinjali kontradiktor në punën, që po bën, sipas saj, Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko për konsolidimin e armëpushimit.

"Disa shtete anëtare mendojnë se duhet që vendimi të merret në nivel të lartë politik, të tjerë kërkojnë më shumë kohë (…) duhet një konsensus maksimal me qëllim që secili të jetë i kënaqur dhe të mund të pranojë pasojat e sanksioneve”, nënvizoi Mongerini.

"Nëse ne nuk jemi të bashkuar, kjo do të tregojë dobësinë tonë (…) dhe forcën e Rusisë", shtoi Mogerini, e cila do të zëvendësojë Kethrin Eshtën në krye të diplomacisë evropiane në muajin dhjetor.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme