Ukrainë–Përpjekje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit

Ndërkohë bëhet e ditur që bombardime intensive godasin sërish bastionet e rebelëve pro-rusë.

Ukrainë–Përpjekje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit

Vendet perëndimore u përpoqën të ulin tensionet në lindje të Ukrainës duke u përpjekur që të favorizojnë një rikthim të diplomacisë, ndërkohë që bombardime intensive godasin sërish bastionet e rebelëve pro-rusë.

Presidenti francez, François Hollande, i kërkoi Kievit “të tregojë përmbajtje dhe mprehtësi në operacionet ushtarake”, pasi numri i viktimave civile nuk pushon së rrituri në bastionet e kryengritësve që janë Donetsku dhe Lugansku, qytete nën rrethimin e ushtrisë ukrainase.

Një fillim për qetësim të situatës mund të ketë nesër në Berlin, ku ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Pavlo Klimkine do të takojë homologun e tij rus, Serguei Lavrov, në prani të kreut francez dhe gjerman të diplomacisë.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank Walter Steinmeier, nga ana e tij u shpreh se “shpreson t’i japë fund përplasjeve të dhunshme në Ukrainë gjatë këtij takimi”.

Tensionet u rritën edhe më shumë dje kur Kievi pohoi se ka shkatërruar pjesërisht një autokolonë me autoblinde ruse që kishin kaluar kufirin dhe ndodheshin në territor ukrainas, duke shkaktuar një valë reagimesh nga ana e Perëndimit kundrejt Moskës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme