KS i OKB-së, krejtësisht i paaftë përballë Izraelit

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara organizoi mëngjesin e sotëm një mbledhje urgjente për të trajtuar sulmin e Izraelit në Gazë, por sërish pa asnjë vendim.

KS i OKB-së, krejtësisht i paaftë përballë Izraelit

I mbledhur me kërkesë së Jordanisë dhe Palestinës, pavarësisht se kjo e fundit nuk është ende anëtare me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara, për të marrë në shqyrtim operacionin e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk arriti të nxjerrë ndonjë vendim përballë kërcënimit me veto të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndihet thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i luftimeve dhe rritja e humbjeve civile në rajon, prandaj kërkon që këtyre luftimeve t’u jepet fund urgjentisht dhe të respektohet e Drejta Ndërkombëtare Humanitare”, deklaroi ambasadori Juxhin-Riçërd Gasana, përfaqësues i përhershëm në OKB i Ruandës, vend ky që mban kryesimin e radhës për muajin korrik në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa lexoi në fund të mbledhjes në fjalë një “komunikatë për shtyp”, që nuk ka asnjë cilësi detyruese.

Pasi sqaroi se gjatë mbledhjes është tërhequr vëmendja mbi përpjekjet e Egjiptit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, për vendosjen e armëpushimit mes palëve, ambasadori Gasana konfirmoi apelin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’iu rikthyer marrëveshjes së armëpushimit, që është arritur ndërmjet Izraelit dhe Palestinës në muajin nëntor të vitit 2012.

Ndërsa ambasadori Rijad Mansur, vëzhgues i përhershëm i Palestinës në OKB, u shpreh jashtëzakonisht i zhgënjyer nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për arsye se nuk ishte i aftë të nxirrte ndonjë rezolutë nga mbledhja urgjente e mëngjesit të sotëm.

“Më e pakta, që ne prisnim nga kjo mbledhje, ishte që sulmet e Izraelit të dënoheshin nëpërmjet një projektrezolute. Kurse tani koha do të tregojë sesa do ta respektojë Izraeli komunikatën për shtyp, që u miratuan në Këshillin e Sigurimit”, theksoi ambasadori Mansur.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme