Obama: Rrëzimi i avionit malajzian një sinjal alarmi për Evropën

Obama i kërkoi homologut rus, Vladimir Putin të marrë vendime të duhura strategjike.

Obama: Rrëzimi i avionit malajzian një sinjal alarmi për Evropën

Presidenti amerikan, Barack Obama konfirmoi se avioni malajzian që u rrëzua dje në lindje të Ukrainës ishte sulmuar nga një raketë nga një zonë e kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Duke e cilësuar si një tragjedi të rëndë, Obama nënvizoi nevojën për kryerjen e një hetimi të pavarur dhe transparent para se të shprehej për shkaqet e vërteta të kësaj drame. Ai theksoi se mes viktimave bënte pjesë dhe një shtetas amerikan.

“Ajo qe ne dimë sot është se një raketë tokë-ajër është lëshuar dhe është ajo që ka shkaktuar rrëzimin e avionit. Ne dimë (…) se kjo raketë është lëshuar nga territori i kontrolluar nga separatistët rusë”, theksoi Obama në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

“Rreth 300 të pafajshëm kanë humbur jetën. Burra, gra, fëmijë që nuk kishin asnjë lidhje me krizën në Ukrainë”, nënvizoi Obama.

“Kjo tragjedi tronditëse tregon se ka ardhur koha që paqja dhe siguria të vendosen në Ukrainë”, shtoi ai duke shprehur keqardhje që Rusia kishte refuzuar disa herë të merrte vendime konkrete për kapërcimin e tensioneve në terren.

Obama i kërkoi homologut rus, Vladimir Putin të marrë vendime të duhura strategjike.

Presidenti amerikan theksoi se kjo dramë përbën gjithashtu një paralajmërim për komunitetin ndërkombëtar.

“Ky do të jetë gjithashtu një sinjal alarmi për Evropën dhe botën për faktin se një përkeqësim i konfliktit në lindje të Ukrainës do të ketë pasoja”, deklaroi ai.

Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbledhur në një takim urgjent kërkuan një hetim ndërkombëtar mbi rrëzimin e avionit malajzian ku humbën jetën 298 persona.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme