Gazë - Rëndohet bilanci, rreth 100 të vrarë dhe 600 të plagosur

Rëndohet bilanci i operacioneve izraelite në Gazë. Për pasojë të sulmeve ajrore të ushtrisë së Izraelit në Gazë kanë humbur jetën 98 palestinezë dhe janë plagosur 594 të tjerë.

Gazë - Rëndohet bilanci, rreth 100 të vrarë dhe 600 të plagosur

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në rajon.

Duke paralajmëruar të dyja palët e konfliktit për të vepruar me gjakftohtësi dhe për t’iu shmangur lëvizjeve, që mund të përshkallëzojnë tensionin, Ban Ki-Mun tha se Lindja e Mesme nuk është në gjendje të përballojë një luftë të re.

Sakaq, Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) ka shpallur emergjencë në Gazë.

UNRWA-ja thekson se operacionet e Izraelit janë shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare.

Sulmet izraelite i kanë dënuar fuqishëm edhe Presidenti francez, Fransua Oland, i cili realizoi një bisedë telefonike me homologun palestinez, Mahmud Abas.

Kurse Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) kërkoi mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit për të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për hetimin e menjëhershëm të sulmeve izraelite ndaj Gazës.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tel-Aviv njoftoi se Këshilli i Ministrave do të vendosë për të ndërmarrë, ose jo, një operacion tokësor në Gazë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), nga ana e saj bëri me dije se sistemi shëndetësor në Gazë është në prag të falimentimit për shkak të mungesës së karburantit, i domosdoshëm për ilaçet dhe gjeneratorët e spitaleve.

Mësohet se mes të vrarëve në Gazë, ku avionët izraelitë kanë goditur mbi 900 objektiva, të paktën 30 janë gra e fëmijë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme