Bani thërret KS-në e OKB-së në mbledhje urgjente për Gazën

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, deklaroi se i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit një mbledhje urgjente në lidhje me situatën në Gazë.

Bani thërret KS-në e OKB-së në mbledhje urgjente për Gazën

“Gaza është në teh të thikës. Situata në rajon po përkeqësohet dita-ditës dhe po shkon drejt një rrethi vicioz, të cilin nuk do të mund ta marrë askush nën kontroll”, tha kreu i OKB-së gjatë një konference shtypi të posaçme.

Pasi dënoi edhe një herë sulmet me raketa nga Gaza drejt Izraelit, Ban Ki-Mun tërhoqi vëmendjen se këto akte janë të papranueshme dhe duhen ndalur.

Ai u shpreh gjithashtu se ka vënë në veprim të gjitha organet e Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e problemit humanitar në Gazë, ndërsa u kërkoi vendeve të rajonit që të jenë konstruktivë për sa u takon çështjeve njerëzore dhe politike.

Menjëherë pas konferencës për shtyp të Ban Ki-Munit, Përfaqësia e Përhershme e Ruandës në OKB, vend ky që mban kryesinë e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, publikoi një komunikatë, nëpërmjet të cilës vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit thirren në mbledhje urgjente, në 10.00 sipas orës lokale (Nju-Jork), për të diskutuar situatën në Gazë.

“Në këtë mbledhje, Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Mun do t’i japë Këshillit të Sigurimit të OKB-së një brifing në lidhje me gjendjen në rajon”, thuhet në komunikatën e Përfaqësisë së Përhershme të Ruandës në Kombet e Bashkuara.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme