Kerri: Pushtimi i Irakut në vitin 2003, gabim fatal

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranojnë gabimin në Irak, një vend ky që ndodhet në prag të copëtimit.

Kerri: Pushtimi i Irakut në vitin 2003, gabim fatal

Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, i cili po përpiqet për t’i gjetur zgjidhje krizës aktuale në Irak, por pa mundur të shënojë progres, deklaroi se gabimi i vërtetë është bërë me pushtimin e Irakut në vitin 2003.

Kerri u shpreh se pas pushtimit të Irakut, rajoni është mbuluar nga re të zeza.

Mbi 135 mijë civilë kanë humbur jetën në Irak që nga pushtimi i vendit nga amerikanët në vitin 2003 e deri më sot.

Parashikohet që kjo shifër të jetë rreth 200 mijë, pasi gati 1/3 e humbjeve civile janë të paregjistruara.

Shefi i diplomacisë amerikane pohoi se ndërhyrja e vendit të tij ndaj Irakut ishte një “gabim fatal”.

Ai sqaroi se Uashingtoni po përpiqet ende sot e kësaj dite t’u bëjë ballë problemeve, që janë shfaqur si rezultat i luftës.

“Ndërhyrja ndaj Irakut ishte një gabim fatal. Problemet, me të cilat po përballemi ende sot, janë pjellë e këtij gabimi. Lufta la prapa probleme shumë të mëdha dhe këto probleme e kanë mbuluar rajonin si re të zeza. Tani po punojmë në mënyrë jashtëzakonisht intensive. Vendimi i Presidentit Obama ishte garanci se do të përpiqemi për ta ndrequr këtë situatë dhe tërheqja e ushtarëve tanë nga Iraku u realizua pikërisht për këtë arsye”, tha Kerri.

Më tej, kryediplomati amerikan vuri në pah se zgjidhja e krizës irakiane do të mundësohet me krijimin e një qeverie pajtimi dhe uniteti, që do të ruajë ekuilibrat ndërmjet grupeve të ndryshme etnike dhe sektare.

“Irakianët duhet të vendosin për një qeveri, që domosdoshmërisht bazohet mbi parimet unitetit dhe përfaqësimit të gjerë. Kjo qeveri duhet të bashkojë popullin dhe të ndreqë me anë të reformave marrëdhëniet ndërmjet kurdëve, shpitëve dhe sunitëve. Është pikërisht kjo platforma, që duam të krijohet në Irak gjatë ditëve të ardhshme, theksoi sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri.

Gjendja kaotike, që mbizotëron prej një kohe të gjatë në Irak, u përshkallëzua edhe më shumë pas datës 10 qershor, kur organizata Shteti Islamik në Irak dhe Damask (ISID) pushtoi Mosulin, qyteti i dytë më i madh i këtij vendi, si dhe Tikritin menjëherë pas tij.

ISID-i mban nën kontroll ende sot shumë zona në perëndim dhe veri të Irakut.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme