Egjipt - Sisi përgjysmon pagën dhe i fal shtetit 1/2 e pasurisë

Presidenti egjiptian, Abdulfetah al-Sisi deklaroi të martën se duke parë krizën ekonomike në Egjipt, do të përgjysmonte pagën e tij dhe do t’i dhuronte shtetit gjysmën e pasurisë.

Egjipt - Sisi përgjysmon pagën dhe i fal shtetit 1/2 e pasurisë

“Do t’i dhuroj shtetit afërsisht gjysmën e rrogës sime, që në total është 42 paund egjiptianë (rreth 35 herë rroga minimale) bashkë me gjysmën e pasurisë, që trashëgova nga familja ime”, deklaroi Sisi në një ceremoni ushtarake.

Presidenti egjiptian vuri theksin mbi deficitin e konsiderueshëm, që i rëndon buxhetit të shtetit. "Nuk ka më para dhe sakrifica të mëdha kërkohen për të tejkaluar krizën ekonomike", shtoi ai.

“Ne nuk mund t’i kërkoimë gjithnjë ndihmë vëllezërve tanë arabë, që na kanë mbështetur kaq gjatë”, shpjegoi Sisi, duke iu referuar 12 miliardë dollarëve të ofruara nga Arabia Saudite bashkë me Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Arabia Saudite është duke promovuar një konferencë bamirësie për Egjiptin. Deklarata e kryer nga Sisi duket se është pjesë e një fushate psikologjike për të përgatitur popullsinë për shkurtime në shpenzimet publike.

Gjatë fushatës elektorale por edhe pas saj, Sisi u kërkoi egjiptianëve që të kursejnë para, madje të ngasin biçikletat në vend të makinave. Vetë presidenti është fotografuar disa herë duke lëvizur me biçikletë që të ketë një impakt më të lartë në media.

Deficiti publik egjiptian në fund të këtij viti fiskal pritet të jetë rreth 11,5 për qind nga 13,7 për qind që ishte një vit më parë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme