Irak - Ushtria rimerr kontrollin e dy pikave kufitare

Iraku vijon të bëhet skenë e luftimeve të ashpra ndërmjet forcave qeveritare dhe militantëve të ISID-it. Teksa vazhdon të bombardojë Tel-Afarin, një qytezë strategjike kjo nën kontrollin e militantëve, ushtria irakiane hodhi pretendimin se ka rimarrë në dorë situatën në pikat kufitare me Jordaninë dhe Sirinë.

Irak - Ushtria rimerr kontrollin e dy pikave kufitare

Televizioni shtetëror irakian bëri të ditur se ushtria ka rimarrë Taribilin, pika e vetme kufitare që Iraku ka me Jordaninë, si dhe El-Velidin, një nga dy pikat kufitare me Sirinë.

Në operacionet ajrore të ushtrisë së Irakut ndaj pozicioneve të ISID-it në Tel-Afar janë asgjësuar të paktën 3 automjete të militantëve, thuhet ndër të tjera në lajmin e televizionit shtetëror irakian, i cili, pa dhënë shifra, njofton edhe vrasjen e shumë xhihadistëve.

Mirëpo kjo deklaratë e autoriteteve irakiane nuk është konfirmuar ende nga burime të pavarura.

Ndërsa në qytezën Shinxhar të provincës së Mosulit vijojnë përplasjet e dhunshme midis forcave peshmerge të udhëheqjes rajonale kurde në veri të Irakut dhe militantëve të ISID-it.

Bëhet e ditur se për shkak të luftimeve kanë humbur jetën 4 peshmergë dhe janë plagosur 10 të tjerë.

Sakaq, militantët e organizatës Shtetit Islamik në Irak dhe Damask pretenduan se kanë marrë nën kontroll rafinerinë e naftës Bejxhi, të cilën e mbanin të rrethuar prej 10 ditësh, kurse menaxhimin e saj do t’ua dorëzojnë forcave vendore.

ISID-i deklaroi gjithashtu se do të vazhdojë të përparojë drejt Bagdadit.

Luftimet përreth zonës së rafinerisë kanë shkaktuar probleme në furnizimin e irakianëve me karburant dhe bombola gazi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme