Irani gati të bashkëpunojë me SHBA për Irakun

Irani vendosi sot arritjen e një marrëveshjeje mbi çështjen bërthamore si kusht paraprak për një bashkëpunim me SHBA-në për Irakun.

Irani gati të bashkëpunojë me SHBA për Irakun

“Këto bisedime janë një provë besimi”, deklaroi Mohammad Nahavandian, shef i kabinetit të presidentit të Republikës së Iranit, i ftuar në një konferencë ndërkombëtare në Norvegji.

“Nëse arrihet në një marrëveshje përfundimtare, atëherë mund të ketë bisedime për tema të tjera” tha ai, pasi u pyet nëse ekziston perspektiva për ndonjë bashkëpunim mbi Irakun.

Duke qenë parimisht kundër një ndërhyrjeje të huaj në Irak, Nahavandian theksoi se “një ndërhyrje e tillë duhet të kryhet vetëm me kërkesë dhe mbështetje të autoriteteve irakiane”.

“Menaxhimi i situatës duhet t’i besohet popullit dhe qeverisë së Irakut. Popullsia dhe qeveria irakiane kanë mjaftueshëm burime dhe vendosmëri për t’u mbrojtur”, tha përgjegjësi iranian gjatë një forumi të ndërmjetësve të paqes në Oslo.

“Bota duhet thjesht t’i përgjigjet asaj që Iraku kërkon dhe nuk duhet të ndërhyjë në menaxhimin e situatës”, shtoi ai.

Ai përsëriti se Irani do t’i përgjigjet të gjitha sugjerimeve ose kërkesave që kanë të bëjnë me ndihmën ndaj qeverisë irakiane për të zgjidhur problemin e brendshëm.

“Për sa i përket SHBA-së, nuk kemi vërejtur asnjë veprim serioz kundër kësaj vale terrorizmi”, vlerësoi ai.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme