Obama: Nuk përjashtojmë asnjë opsion për Irakun

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka deklaruar se qeveria e tij po shqyrton “të gjitha opsionet” për të ndihmuar Irakun që të luftojë xhihadistët, përfshirë këtu aksionin ushtarak.

Obama: Nuk përjashtojmë asnjë opsion për Irakun

Obama ka theksuar se po e ndjekin me shqetësim të madh situatën dhe se SHBA-të janë të interesuara që të sigurojnë që xhihadistët të mos fitojnë terren në Irak.

“Do të ketë disa masa afatshkurtra të menjëhershme, që duhet të bëhen në mënyrë ushtarake”, ka thënë Obama për gazetarët në një konferencë shtypi nga Shtëpia e Bardhë.

Deklarata e tij erdhi pasi qytetet Mosull dhe Tikrit kanë rënë në duart e militantëve të Shtetit Islamik të Irakut dhe Damaskut (ISID), përmes disa ofensivave të dhunshme ushtarake.

“Unë nuk përjashtoj asgjë, sepse ne kemi synimin tonë, që të sigurohemi se këta xhihadistë nuk do të fitojnë më terren në Irak apo Siri”, ka thënë më tej presidenti amerikan.

Ndërkohë, pak më vonë konferencës së shtypit të Obamës, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Kerni, ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave në Irak.

"Nuk po përgatisim trupa për në terren, megjithatë jemi shumë të shqetësuar. Iraku është një partner i fortë dhe i rëndësishëm", ka deklaruar Kerni.

Tepër i shqetësuar për ecurinë e situatës është shprehur edhe sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri.

Sakaq, Ndihmëspresidenti i SHBA-ve, Xho Bajdën, realizoi një bisedë telefonike me Kryeministrin irakian, Nuri al-Maliki.

Bajdën theksoi Uashingtoni do të renditet në krahë të Bagdadit kundër elementeve ekstremiste. Ai e informoi kreun e qeverisë qendrore të Bagdadit se administrata amerikane po përgatitet për të përshpejtuar dhe shtuar mbështetjen e saj për sigurinë e Irakut.

Kurse zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Xhen Psaki, kritikoi ushtrinë irakiane.

“Ngjarjet e ditëve të fundit janë alarmante. Është e qartë që kemi të bëjmë me një thyerje të strukturës. Jemi të zhgënjyer nga hapat dhe reagimet e disa njësive të sigurisë; megjithatë angazhimi ynë ndaj Irakut është afatgjatë”, u shpreh Psaki, duke përmendur se ushtria irakiane ka braktisur pozicionet dhe postat në Kirkuk e Mosull.

Iraku kërkon avion pa pilot nga SHBA për të luftuar terroristët, por një kërkesë e tillë është refuzuar deri më tani nga administrata Obama. Kryeministri Nuri al-Maliki u zotua të luftojë kundër xhihadistëve dhe tha se do të ndëshkojë trupat dezertuese.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme