Liderët e BE-së, dakord për ndryshimin e politikave

Liderët e Bashkimit Evropian u mblodhën të mbrëmjen e të martës për të vlerësuar rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Liderët e BE-së, dakord për ndryshimin e politikave

"Krerët e BE-së kanë rënë dakord për të rishqyrtuar agjendën e bllokut pasi votuesit dërguan një mesazh të fuqishëm", ka deklaruar Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompëj.

Shumica e liderëve në samitin e Brukselit ishin të mendimit se orientimi i zgjedhësve evropianë drejt forcave politike antievropiane kishte ardhur si pasojë e stanjacionit ekonomik.

Në këtë takim të rëndësishëm iu kërkua përgjigje edhe pyetjes se cili do të jetë emri, që do të marrë drejtimin e Këshillit Evropian.

Dy emrat më të lakuar për momentin janë ish-presidenti i Eurogrupit, Zhan-Klod Junker dhe Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Shulc.

Liderët e BE-së do të mblidhen sërish në datat 26-27 qershor për të vendosur se cilët politikanë do të marrin në dorë timonin e posteve kyçe të Unionit.

Emri, mbi të cilin liderët evropianë do të bien dakord për të zëvendësuar presidentin aktual të Këshillit Evropian, Herman Van Rompëj, duhet të fitojë patjetër miratimin e shumicës së eurodeputetëve të Parlament.

Samiti i së martës ishte mundësia e parë e liderëve të vendeve anëtare për të diskutuar rrugën, që duhet ndjekur pas procesit elektoral të javës së kaluar.

Pjesë e agjendës së takimit të krerëve të BE-së ishin gjithashtu kriza në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Rusinë.

Liderët evropianë rikonfirmuan gatishmërinë e tyre për sanksione të reja kundër Moskës, në rast se kjo e fundit nuk pajtohet me udhëheqjen e Kievit dhe shkel sërish integritetin territorial të këtij vendi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme