Austri - Ministrat e BE-së diskutojnë për Ukrainën

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po takohen në kryeqytetin Vjenë të Austrisë për të diskutuar mbi situatën në Ukrainë, ku autoritetet kanë nisur një ofensivë kundër separatistëve prorusë.

Austri - Ministrat e BE-së diskutojnë për Ukrainën

Vjena shpreson se takimi do t’i japë mbështetje mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale më vonë gjatë këtij muaji.

Austria, një shtet ky që aktualisht kryeson grupin e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, deklaroi se pret që takimi i 30 ministrave të Jashtëm të martën të diskutojë mbi mënyrat për të qetësuar situatën në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Ukrainës, Andrij Deshçicia dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, patën një takim të shkurtër mbrëmjen e së hënës. “Mes tyre pati një përshëndetje. Ata folën pak, por jo veçmas”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme austriake.

Takimi erdhi një ditë pasi forcat ukrainase të sigurisë nisën një operacion “antiterrorizëm” në lindje të vendit. Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsenij Avakov deklaroi se katër ushtarë dhe rreth 30 separatistë mbetën të vrarë në afërsi të qytetit Slaviansk.

Ai tha se rreth 800 militantë të armatosur dhe të stërvitur ushtarakisht po fshiheshin mes civilëve në qytet, ku ndërtesat qeveritare janë marrë nën kontroll prej tyre dhe janë ngritur postblloqe të shumta.

Një gazetar lokal raportoi se 17 separatistë ishin vrarë ditën e hënë. Kievi akuzon Moskën se mbështet dhe furnizon me armë separatistët, akuzë të cilën Kremlini e mohon kategorikisht.

Ndërkohë, të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse nga Donjecku janë pezulluar. Një deklaratë në faqen e aeroportit të qytetit lindor thoshte se ishte mbyllur me urdhër të qeverisë. Administrata Shtetërore e Aviacionit nuk dha arsye për këtë lëvizje.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme