Zi kombëtare në kujtim të viktimave nga rrëshqitjet e tokës

Zi kombëtare në kujtim të viktimave nga rrëshqitjet e tokës

Afganistani shpalli sot ditë zie kombëtare për të bërë homazhe për viktimat nga rrëshqitjet e tokës që kanë shkaktuar të paktën 300 të vdekur në verilindje të vendit.

”Kjo ditë zie u dekretua nga presidenti, Hamid Karzai për t’i bërë homazhe viktimave të katastrofës së ndodhur në Ab Barik, në Badahshan”, sipas komunikatës së presidencës.

Rrëshqitjet e tokës ndodhën dy ditë më parë në distriktin Argo të provincës të Badahshanit, rajon i varfër dhe malor në kufi me Taxhikistanin, Kinën dhe Pakistanin dhe relativisht i paprekur nga dhuna e kryengritësve talebanë.

”Katastrofa ka shkaktuar të paktën 300 të vdekur, ka shkatërruar qindra shtëpi dhe ka lënë rreth 700 familje në varfëri”, sipas autoriteteve lokale.

Në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon shprehu trishtimin e thellë dhe i shprehu ngushëllimet e tij familjeve dhe të afërmve të viktimave.

“Agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat humanitare mbështesin qeverinë afgane për t’i ardhur në ndihmë personave të zhvendosur dhe u shprehën të gatshme për të koordinuar përpjekjet për përmirësimin e mbrojtjes së popullsisë përballë katastrofave natyrore”, sipas një komunikate të Kombeve të Bashkuara.

Bashkimi Evropian dhe SHBA u shprehën gjithashtu të gatshëm për të ndihmuar të pastrehët.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme