Presidenti Alijev i përgjigjet pretendimeve armene

Presidenti Alijev i përgjigjet pretendimeve armene

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Alijev dha përkrahjen e tij mesazhit të Kryeministrit Rexhep Tajip Erdoan për ngjarjet e vitit 1915.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev gjatë Samitit të Partneritetit Lindor të mbajtur në kryeqytetin Prag të Republikës Çeke, iu përgjigj kritikave të Presidentit të Armenisë, Serzh Sarkisjan të bërë në adresë të Turqisë.

Gjatë mbledhjes Sarkisjan përsëriti pretendimet armene në lidhje me ngjarjet e vitit 1915, ndërsa shtoi se anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian është i papranueshëm pasi nuk hapi kufijtë për Armeninë.

Pas kësaj Ilham Alijev në fjalën e tij të mbajtur në samit tha se “Ndoshta në këtë samit nuk ka përfaqësues të Turqisë, por unë ndodhem këtu”.

Alijev fillimisht shpjegoi arsyet e mbylljes së kufijve të Turqisë me Armeninë.

Ai rikujtoi edhe mesazhin e ngushëllimit në lidhje me ngjarjet e vitit 1915 të publikuar nga ana e Kryeministrit Rexhep Tajip Erdoan, ndërsa shtoi se “Kryeministri Erdoan para disa vitesh propozoi udhëheqjes armene hapjen e arkivave, por nuk mor përgjigje pozitive. Së fundmi shprehu ngushëllime qytetarëve me origjinë armene për humbjen e jetëve në ngjarjet e vitit 1915, por fatkeqësisht nga Armenia prapë nuk erdhi ndonjë përgjigje pozitive. Krahas përkrahjes së këtij qëndrimi të Kryeministrit Erdoan nga ana e SHBA dhe BE-së, qeveria armene ishte e mendimit se kjo deklaratë është e pamjaftueshme. Kjo vë në pah në mënyrë të qartë se kush nuk dëshiron paqe në këtë rajon. Ne duam paqe dhe kthimin e territoreve tona. Duam që të mbaroj pushtimi armen”.

Duke e bërë të ditur se në lidhje me çështjen e Karabakut është duke u zbatuar standardi i dyfishtë, Presidenti Alijev kritikoi vendet perëndimore.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme