KEDS kërkon mbështetje nga gjykatat e Kosovës

Furnizimi me energji elektrike në Kosovë ende nuk është stabilizuar, sepse ende ka reduktime të kohëpaskohshme, ndërkohë që vjedhja e energjisë dhe mospagimi i faturave nga një pjesë e konsumatorëve mbetet problematike.

KEDS kërkon mbështetje nga gjykatat e Kosovës

Ekskluzivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë, e ka KEDS e cila kompani ka filluar aktivitetet e saj operative më 2013, kur është ndarë përfundimisht nga KEK-u.

KEDS sh.a. është pronë e kompanive prestigjioze turke Calik Holding dhe Limak. Kosova është ballafaquar vazhdimisht me probleme të vjedhjes së energjisë elektrike si dhe të inkasimit të mjeteve.

Por, si është gjendja tani, a ka ndryshuar diçka në këtë drejtim prej marrjes në menaxhim nga kompanitë turke? Drejtori për furnizim me energji elektrike në KEDS, Alper Erbash shprehet kështu:KEDS ne Kosove

“Kosova në këtë kuptim, është paksa një vend me probleme, ashtu si në gjithë Ballkanin, mbledhja e borxheve nuk është një punë shumë e lehtë, nëse i krahasojmë me shifrat në Turqi. Njëra ndër arsyet kryesore të kësaj është se në këtë shtet, për nxehje po përdoret energjia elektrike, e jo gazi apo thëngjilli.”

Megjithatë, Erbash thotë se është arritur përparim.

Patjetër se që nga ardhja jonë këtu është shënuar një zhvillim shumë serioz sa i përket arkëtimit të mjeteve. Nëse flasim në mënyrë proporcionale, afërsisht është shënuar një rritje prej 10 pikësh nga 100 pikë. Në këtë kuptim, për neve shifrat janë të mira, por patjetër se nëse shikohet nga këndi i një firme private, qëllimi ynë është më i lartë.”

privatizimi i kedsSipas drejtorit turk, sa më i mirë të jetë arkëtimi, aq më i mirë për konsumatorë do të jetë edhe çmimi i energjisë elektrike. Prandaj janë duke bërë përpjekje që me shtimin e presionit ndaj atyre që nuk paguajnë, t’i ndajnë ata nga konsumatorët e ndershëm.

Nuk mund të themi se kemi probleme në një pjesë, por përsëri duke shikuar në aspektin komunal, Prishtina dhe Gjilani paguajnë më mirë, Ferizaj e Prizreni vinë pas tyre, kurse pjesët e tjera, sikur Mitrovica, Gjakova, apo Peja, janë më problematike, kurse Podujeva apo Deçani edhe më shumë problematike. Por, ne këtë çështje nuk e shohim si pjesë të ndara, këtë e shohim si çështje që duhet të zgjidhet duke i trajtuar konsumatorët tanë në mënyrë të barabartë. Ashtu sikur që janë kriteret e shkyçjes në Prishtinë, të njëjta janë kriteret edhe nëpër vende të tjera”, -thotë Erbash.


keds ne kosoveAi tregon se në Kosovë për shkak të mos-pagesës bëjnë shumë shkyçje. Nga 500 mijë konsumatorë, shumica prej tyre janë korrekt në pagesa, kurse një pjesë prej 50-70 mijë të tyre janë më shumë problematikë. Prandaj, Erbash thotë se arsyeja pse duan të zgjidhin këtë problem është për shkak që konsumatorët e ndershëm, të mos dëmtohen, pra në një aspekt të mos paguajnë për të tjerët.

Ne në Kosovë brenda muajit bëjmë rreth 60 mijë shkyçje, është një shifër serioze. Është 3-4 fishi i numrit që e kemi në Turqi, prandaj të gjithë këta në realitet po ndikojnë në çmimin më të lartë të energjisë. Sepse për të bërë shkyçje po duhet të sigurojmë një ekip. Angazhimi i këtij ekipi ka një kosto. Ka veturë, menaxher, e shumë shpenzime tjera, prandaj kjo gjë po ka ndikim tek klientë tanë që janë korrekt”, thotë ai.

Për t’u marrë me këta konsumatorë problematikë, duhet të angazhohen 700 punëtorë, sqaron drejtori. Nëse llogaritet kostoja mesatare prej 500 euro për një punëtor, në muaj bëjnë 350 mijë euro, apo 3.6 milionë euro në vit. Po të mos ishte ky shpenzim thotë ai, çmimet e energjisë do të uleshin për 3.6 milionë euro në përpjesëtim me kilovat në orë.keds ne kosove

Kemi një numër prej rreth 10 mijë konsumatorësh tepër problematikë, të cilët edhe në të kaluarën, pra para se të vinim ne kanë qenë të tillë. Po mundohemi që përmes formave të ndryshme të angazhimit të avokatëve, apo të përmbaruesve, t’i fusim nën kontroll, apo edhe të formave të caktuara të pengimit të furnizimit me energji elektrike. Jashtë kësaj, rreth 55 mijë konsumatorë janë të ndryshëm, pra nuk janë të njëjtë. Për shembull, përderisa e disiplinojmë një pjesë, të cilët po i shlyejnë borxhet, ndërkohë po paraqiten 50 mijë të tjerë të cilët pasi i kanë shlyer borxhet përsëri fillojnë të mos paguajnë e po hyjnë sërish në listë”, - shpjegon Erbash.

Ata 10 mijë konsumatorë me borxhet e tyre, po përbënin rreth 30% të borxhit të përgjithshëm. Pra, sipas drejtorit, ata po vjedhin nga xhepi i qytetarëve të Kosovës. Ndoshta po të mos ishin ata, ai thotë se energjia do të ishte për 5% apo 10% më e lirë. Këta njerëz sipas tij nuk kanë respekt ndaj ligjeve, e as ndaj njerëzve të tjerë, prandaj kërkon mbështetje nga organet e shtetit.

Në të vërtet, në vitin e kaluar kemi pasur përkrahje nga shteti, edhe pse jo në nivel të dëshiruar. Kurse nga janari i këtij viti, nuk po kemi mbështetje as nga policia e as nga organet gjyqësore. Policia nuk po na jep mbështetje në asnjë rast të ballafaqimit me konsumatorë problematikë. Bile para një kohe shumë të afërt, një drejtor i ynë i KEDS-it nga një komunë, është kërcënuar me armë dhe është rrahur keq sa që i janë bërë 4 qepje, edhe në këtë rast bile, policia ka ardhur shumë vonë. Pra, nga 700 punëtorë të cilët merren me këtë punë, brenda dite ndodhin 10-12 sulme të tilla. Dhe ne në këtë drejtim ne nuk po marrim aspak mbështetje nga policia.”

Por, në të kaluarën popullata nga storiet televizive e nga mediet e ndryshme ka vërejtur pjesëmarrjen e ekipeve policore gjatë shkyçjeve që u janë bërë konsumatorëve problematikë.

keds ne kosovePo është e vërtetë, sepse vitin e kaluar kemi pasur një marrëveshje të nënshkruar në formë të memorandumit, kurse me përfundimin e afatit, policia kishte marrë vendim për mos-vazhdimin e memorandumit të tillë. Sipas ligjeve në fuqi, policia mund të bëjë këtë punë edhe me pagesë, si një punë shtesë për ta, por as këtë nuk e pranoi. Si arsye thanë se janë në një proces të riorganizimit, prandaj unë besoj se në një afat të shkurtë do të zgjidhet ky problem. Duke e njohur mirë rajonin, edhe në Shqipëri ku ballafaqohen me të njëjtin problem, tashmë policia, gjykatat, pra të gjitha organet e shtetit janë duke bërë përpjekje intensive të zgjidhin problemin e vjedhjes së energjisë. Prandaj Shqipëria në këtë drejtim e ka tejkaluar Kosovën një kohë shumë të shkurtër, përderisa ne kemi filluar të shkojmë prapa”, - jep sqarime Erbash.

Ky drejtor thotë se këtë pjesën e vogël të klientëve problematikë, nuk mund ti edukojë, pa ndihmën e shtetit. Këtu në fakt është edhe interesi i shtetit, thotë ai, sepse shteti përfiton nga tatimet, si dhe nga investimet që janë 20 milionë euro në vit. Po ashtu janë 2600 rroga të punëtorëve, prandaj duke i marrë parasysh të gjitha këto dhe duke e marrë parasysh se janë ofrues i shërbimeve publike, ai kërkon më shumë përkrahje.

Për fat të keq në Kosovë vjedhja e energjisë është një problem shumë i madh. Në rastet e padive për vjedhje të energjisë, së pari procesi është shumë i gjatë, 4-5 apo edhe 6 vite, ndonjëherë edhe mosndjekje dhe në fund nuk ka dënim apo gjobitje. Këta njerëz, po e përsëris po vjedhin nga xhepi i im i yti e nga i të gjithëve. Sot në Kosovë, sa më shumë ta ulim nivelin e vjedhjeve, aq më lirë do ta paguajmë energjinë. Kjo do të ishte dobia më e madhe për qytetarët e Kosovës. Por këtu, vjedhja e rrymës nuk po konsiderohet si vjedhje në kuptimin e plotë të fjalës, prandaj nuk po zbatohen procedurat e njëjta sikur vjedhjet e parave nga p.sh. një market apo nga një bankë.”

Ai merr një shembull nga Turqia, ku thotë se nëse dikush vjedhë rrymën, ai person, duke përfshirë edhe fëmijët e tij, i humbin të drejtat e punës në sektorin publik. Edhe në Kosovë me veprimet e ngjashme, mund të evitohen zhvatjet ndaj të drejtave të njerëzve të ndershëm, thotë ai. Në këtë kuptim i bie se po vidhen nga xhepi i 350 mijë familjeve, apo 1.2 milionë kosovarëve.keds ne kosove

Duke vazhduar me çështje të tjera, Erbash thotë se në rastet e mungesës së energjisë elektrike, për shkak të konsumit të shtuar apo të rënies së ndonjë blloku prodhues në Termocentrale, detyrohen të importojnë rrymë që iu krijon shpenzime të shtuara.

Në këto raste të paplanifikuara, për shkak se kërkojmë energji në momentin e fundit, çmimet sillen nga 45, 50 apo 55 euro. Në raste normale kur marrim energji nga shteti i Kosovës, ky çmim do të ishte 26 euro për megavat.”

Sidoqoftë, drejtori thotë se merren edhe me shitje të energjisë jashtë shtetit të Kosovës.

Po, shesim energji jashtë shtetit, posaçërisht në këta muaj. E dini se në Kosovë ekzistojnë njësitet A dhe B të termocentraleve. Janë tre blloqe A dhe dy blloqe B. Në të njëjtën kohë, deri sot kapaciteti më i lartë që kanë punuar kanë qenë 4 blloqe. Në këto raste, po mund të eksportojmë energji jashtë. Por, nuk shesim atëherë kur popullata ka nevojë për energji, pra nuk shesim gjatë ditës. Më së shpeshti shesim nga ora 23.00 deri në orën 7.00 të mëngjesit, pra atëherë kur popullata është në gjumë.”

Drejtori për furnizim me energji elektrike në KEDS, Alper Erbash thotë se në mënyrë agresive dhe me një ekip të madh, ekip që angazhohet me punë që nga ora 7.00 e mëngjesit, duke shikuar lëvizjet e kërkesat për energji në një ekran të madh, sikur në një burse, mundohen të shesin energjinë me çmimin sa më ta lartë. Shikojnë mundësitë e shitjes në Hungari, Austri e në çdo vend tjetër, dhe në bazë të kërkesave mundohen të gjejnë myshteriun më të përshtatshëm i cili do të blinte rrymën me çmimin sa më të lartë.

- Realizoi për TRT Shqip, Muharrem SARAXHOLLI -


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme