Dita e Evropës, aktivitete të shumta në kryeqytetin shqiptar

9-të Maji, Dita e Evropës është festuar në Tiranë me aktivitete të shumta, nga panairet deri tek diskutimet për sensibilizmin e mbrojtjes së mjedisit.

1826063
Dita e Evropës, aktivitete të shumta në kryeqytetin shqiptar
Avrupa Günü_1.jpg
Arnavutluk Merkez Bankası Müzesi_1.jpg
Arnavutluk Merkez Bankası Müzesi_3.jpg
Arnavutluk_Şehitler Günü_4.jpg
Arnavutluk_YTB Balkan Gençlik Okulu_1.jpg
Arnavutluk_YTB Balkan Gençlik Okulu_4.jpg
Atanur Dogan_Arnavutluk.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (19/2022)

-Dita e Evropës, aktivitete të shumta në kryeqytetin shqiptar

9-të Maji, Dita e Evropës është festuar në Tiranë me aktivitete të shumta, nga panairet deri tek diskutimet për sensibilizmin e mbrojtjes së mjedisit.

Aktivitetet kryesore u mbajtën në pedonalen “Murat Toptani” në kalanë e Tiranës, ku u organizua një panair nga Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e vendeve anëtare të BE-së.

Në këtë panair qytetarët patën mundësi të njihen me mbështetjen që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij i bëjnë Shqipërisë. Qytetarët vizituan stendat e panairit, plot me informacione, produkte lokale të zonës, punime artizanale dhe argëtim për më të vegjlit.

Gjithashtu në pedonale, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022, Ambasadorët e Rinj Evropianë së bashku me kolegë të tyre nga shoqëria civile dhe përfaqësues nga Shtetet Anëtare të BE-së, diskutuan mbi angazhimin rinor dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Ndërsa, Presidenti Meta në Ditën e Evropës ka deklaruar: “Jemi edhe më shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e projektit më të madh politik të paqes dhe përbashkimit rreth vlerave që garantojnë bashkëjetesën mes kombeve në kontinentin tonë.

Qëndrojmë përkrah Ukrainës me shpresën e rikthimit sa më parë të paqes në Evropë, dhe të bëjmë çdo përpjekje për të nisur procesin e negociatave që do ta shoqërojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në familjen së saj të natyrshme evropiane”.

Ndërkaq, Ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka mori pjesë në fillim të kësaj jave në Ditën e Evropës, në panelin e nivelit të lartë: “Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës dhe reagimi i përbashkët i BE dhe Shqipërisë, “organizuar nga MEPJ dhe delegacioni i BE në Tiranë.

Në aktivitet ishin të pranishëm ambasadorë të vendeve anëtare të BE në Tiranë. Në fjalën e saj, ministrja Xhaçka theksoi se 9 maji është bërë prej dekadash një ditë e rëndësishme në kalendarin e shqiptarëve.

***

-Në Shqipëri, shënohet  Dita e Dëshmorëve të Atdheut, merr pjesë edhe ambasadori turk

Me aktivitete dhe ceremoni të ndryshme në Shqipëri është shënuar 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut.

Ceremonia zyrtare qendrore është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë shqiptar, si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, zv/kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, ministra dhe zyrtarë të tjerë.

Autoritetet bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në Monumentin “Nëna Shqipëri”, në kujtim dhe nderim të dëshmorëve.

Në një prononcim për mediat pas homazheve, presidenti Meta u shpreh se Dita e Dëshmorëve është një ditë shumë e rëndësishme.

"Është një ditë, jo vetëm për të nderuar sakrificat e tyre më sublime, por njëkohësisht, edhe një ditë reflektimi dhe angazhimi, për të pasur gjithmonë të shenjta, sovranitetin, lirinë dhe pavarësinë e Atdheut”, theksoi Meta.

Ndërkohë, aktivitete përkujtimore janë organizuar edhe nga institucione të tjera për dëshmorët e policisë në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Po ashtu, edhe Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük mori pjesë në ceremoninë shtetërore të organizuar me rastin e Ditës të Dëshmorëve të  Atdheut dhe si Dekan i Trupës Diplomatike vendosi një kurorë lulesh në emër të trupit Diplomatik.

***

-Në Shqipëri, starton Shkolla Rinore Ballkanike 2022, organizim nga TUMED dhe YTB

Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë është organizuar aktiviteti i hapjes së Shkollës Rinore Ballkanike 2022, që organizohet nga Shoqata e të Diplomuarve Shqiptarë në Turqi (TUMED) në bashkëpunim me Kryesinë e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, mbajti leksionin e parë me temë "Analiza e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes dy shteteve mike", me fokus në lidhjet dhe marrëdhëniet në fusha të ndryshme mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe në miqësinë mes dy popujve, duke i konsideruar marrëdhëniet mes dy vendeve si shumë të mira dhe të frytshme.

Yörük theksoi se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë shumë të thella, duke shtuar se Turqia në Ballkan apo në Shqipëri nuk ka ndonjë synim të fshehtë dhe se Turqia dëshiron që fqinjët të kenë qëndrueshmëri dhe mirëqenie të mirë sociale dhe ekonomike.

Ai tha se bashkëjetesa dhe afrimiteti mes dy popujve ka bërë që në fusha të ndryshme, si arsimi, ushtria, ekonomia, politika dhe në shumë fusha të tjera, bashkëpunimi të jetë frytdhënës.

"Unë këtu jam rreth katër vite në detyrë dhe kam parë që mes dy popujve tanë kemi pas një miqësi, afrimitet dhe gjithmonë Shqipëria ka pasur një vend të veçantë për Turqinë. Turqia ka qenë gjithmonë mbështetëse për çdo lloj gjëje, iu ka gjendur Shqipërisë në të gjitha fushat që ka pasur nevojë. Në këtë 30-vjeçarin e fundit, si në çështjen e ekonomisë dhe të veprimtarive të tjera, marrëdhëniet kanë arritur në nivelet më të larta të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve", tha Yörük.

Ambasadori turk theksoi se rritja e marrëdhënieve në fusha të ndryshme është arritur si fryt i dy liderëve dhe diplomacisë së tyre, Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që sipas tij kanë arritur që të forcojnë marrëdhëniet shqiptaro-turke në të gjitha aspektet.

Ai tha se në vitet e fundit ka pasur takime të nivelit të lartë mes dy shteteve, duke iu referuar edhe vizitës së kryeministrit Rama në Turqi në vitin 2021 dhe presidentit Erdoğan në Shqipëri në vitin 2022, si dhe deklaratës së përbashkët të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Ambasadori turk, duke kujtuar Traktatin e Miqësisë së Përjetshme midis dy vendeve të nënshkruar në vitin 1923, krahasoi nënshkrimin e traktatit që vitin që vjen shënon 100-vjetorin me zyrtarizimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Ai theksoi se sa i përket fushës ekonomike, marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, me një ecuri të frytshme, duke rikujtuar se në Shqipëri janë 600 kompani turke që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fusha të ndryshme.

Kryetari i TUMED-it, Egert Haxhiu, tha se Shoqata e të Diplomuarve në Turqi, që nga themelimi në vitin 2018 ka vazhduar përpjekjet për të bashkuar të diplomuarit shqiptarë në Turqi dhe për të forcuar lidhjet e ngushta me Turqinë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme.

Ai tha se programin 6-javor të Shkollës Rinore Ballkanike synohet të trajtohen çështjet nga fusha e kulturës, arsimit dhe politikës.

Në seminaret e Shkollës Rinore Ballkanike që zhvillohen për disa javë do të marrin pjesë të rinj që studiojnë në degë të ndryshme në Shqipëri.

***

-Pjesë e muzeut e Bankës e Shqipërisë është edhe koleksioni i monedhave osmane

Në mesin e shumë muzeve që ka Tirana është edhe Muzeu i Bankës së Shqipërisë, që është inauguruar më 30 tetor 2015 dhe ndodhet brenda ndërtesës së Bankës Qendrore në kryeqytetin e Shqipërisë, duke koleksionuar monedha dhe kartëmonedha të qarkulluara në territoret shqiptare.

Ky muze përmban disa koleksione me vlera të rralla, por edhe dokumente apo dhe artefakte që lidhen me etapat e ndryshme historike para krijimit të shtetit shqiptar, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe për të vazhduar deri në ditët e sotme.

Banka Kombëtare e Shqipërisë u themelua më 2 shtator 1925 me emërtimin Banka Kombëtare e Shqipnis dhe në shkurt të vitit 1926 emetoi monedhën e parë kombëtare shqiptare me emërtimin "frangu ar", me nënfishat e tij "lekë".

Muzeu i Bankës së Shqipërisë përmban në koleksionet e tij thesare, monedha dhe kartëmonedha, çeqe, letra me vlerë, medaljone, stoli personale me monedha, lingota ari, monedha përkujtimore të emetuara nga banka qendrore për të përkujtuar ngjarje dhe personazhe të historisë, si dhe objekte etnografike që janë edhe pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Besa Prela, përgjegjëse e Sektorit të Muzeut dhe Botimeve në Bankën e Shqipërisë, shprehet se ky muze nuk është një muze vetëm numizmatik, por sipas saj është edhe një muze i edukimit financiar, ku shpjegohet se çfarë është një bankë qendrore, si të menaxhohen financat dhe si funksionon politika monetare.

"...Muzeu i Bankës së Shqipërisë është krijuar për të ekspozuar të gjithë këtë trashëgimi kulturore që Banka e Shqipërisë mbante në thesaret e saj, siç janë monedhat dhe kartëmonedhat e qarkulluara në Shqipëri, në territoret e Shqipërisë së sotme, por edhe në trevat tona historike, pra për të treguar rrugëtimin e monedhës në etapat e historisë së kombit tonë...", tregon ajo..

Ndërkohë, pjesë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë është edhe koleksioni i monedhave osmane. Koleksioni osman përbëhet nga monedha që u përkasin shekujve nga 15 deri në fillim të shekullit 20 dhe përmban pothuajse monedhat kryesore të përdoruara gjatë Shtetit Osman.

Pjesë e këtij koleksioni janë monedha duke përfshirë që nga Akçe, që ishte monedha standarde osmane, dhe më pas grosh, zolota dhe lira e artë.

Sipas drejtuesve të muzeut, interesi i vizitorëve dhe studiuesve është gjithmonë i lartë, pavarësisht se është një muze brenda një institucioni.

***

-Ura e Mesit në Shkodër, me arkitekturë osmane bukuri shekullore e kthyer në atraksion mbresëlënës 

Ura e Mesit mbi lumin Kir, 8 km larg qytetit të Shkodrës, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë.

Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” publikoi fotografi nga Ura e Mesit.

Ura e Mesit në Shkodër, një bukuri shekullore, e kthyer në një nga atraksionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj”, u shpreh Rama.

E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir, shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën.

Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike osmane, Ura e Mesit është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri.

Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.

***

-Artisti turk i dhuron Muzeut të Krujës pikturën e Heroit Kombëtar, Skënderbeu

Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelit, artisti i mirënjohur turko-kanadez Atanur Dogan, ka dhuruar për Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, një pikturë kushtuar Heroit Kombëtar në nder të datës së lindjes së tij, 6 maj 1405.

Kjo pikturë është realizuar gjatë edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit që po mbahet në Tiranë.

Ajo që bie në sy është se gjatë kohës që artisti i njohur me origjinë turke pikturonte, nxënësit e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë këndonin himnin kombëtar, por dhe mjaft këngë të njohura me nota patriotike si “Marshi i UÇK-së”, “Mora fjalë”, etj.

Festivali i Akuareli sjell në Shqipëri 200 artistë nga 40 shtete, të cilët ekspozojnë punimet e tyre në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe Galerisë së Artit të Tiranës.

Punimet do të qëndrojnë të hapura për publikun deri më 14 maj 2022.

Ky aktivitet organizohet nga Shoqata Kulturore Vizart me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme