Zyrtare: Gjuha turke në të gjitha shkollat e Shqipërisë

Menjëherë pas vizitës e së Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan në Shqipëri, shkollat po vlerësojnë kërkesat për të mësuar gjuhën turke si lëndë me zgjedhje të lirë.

1769181
Zyrtare: Gjuha turke në të gjitha shkollat e Shqipërisë
Türkiye-Arnavutluk Eğitim İşbirliği2.png
Mimi Kodheli_NATO Parlamenter Asamblesi3.jpg
Arnavutluk BM Günvelik Konseyi üyeliği_2022-2023.jpg
Arnavutluk_Türkçe Kursları.png
Arnavutluk_Türkçe_seçmeli ders.png
Imam Muhamed B.Sytari_Nikolla Petani.jpg
Mons. Angjelo Massafra_Muhamed B.Sytari.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (04/2022)

-Zyrtare: Gjuha turke në të gjitha shkollat e Shqipërisë

Menjëherë pas vizitës së Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan në Shqipëri, shkollat po vlerësojnë kërkesat për të mësuar gjuhën turke si lëndë me zgjedhje të lirë. Shkollat 9-vjeçare kanë nisur të pyesin prindërit e nxënësve të klasave të 6-ta deri në klasën e 9-të në lidhje me vendosjen ose jo të gjuhës turke si lëndë me zgjedhje.

Në një email drejtoria rajonale arsimore Tiranë kërkon informacion të plotë nga shkollat për numrin e kërkesave të nxënësve për të mësuar gjuhen turke si gjuhë e huaj, pjesë e kurrikulës me zgjedhje pasi nxënësit të aprovohen në secilën klasë referuar planit kombëtar të arsimit 9-të vjeçar për nxënësit e klasave të 6-ta deri tek klasat e 9-ta.

Mësueset kujdestare kanë dërguar tek prindërit javën që kaloi mesazhe, ku kërkohet të mblidhen të dhënat mbi preferencat për gjuhën turke. Ndërsa, në Fletoren Zyrtare është publikuar në datën 2 mars 2021 marrëveshja mes dy vendeve, e cila parashikon futjen e gjuhës turke në shkollat shqipe si lëndë e një gjuhë të huaj me zgjedhje të lirë, me qëllim një programi pilot në gjuhën turke.

***

-Shqipëria: Mbështesim pa kushte sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës

Zëvendëspresidentja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Mimi Kodheli mori pjesë në takimin e Këshillit Ndërparlamentar Ukrainë-NATO që u zhvillua në fillim të kësaj jave në Bruksel.

Këshilli përbëhet nga parlamentarë të vendeve të NATO-s dhe një delegacion i parlamentit të Ukrainës, i udhëhequr nga zv.kryetari i Parlamentit, Rada Ukrainase.

Zv. sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mircea Geoana informoi anëtarët e Asamblesë lidhur me mbështetjen konkrete që Aleanca po i jep Ukrainës, në këto ditë të vështira për të, si dhe opsionet e mundshme në rast të eskalimit të mëtejshëm të situatës.

Po ashtu, Këshilli u njoh me qëndrimet e Polonisë, Turqisë, Italisë dhe SHBA-ve në lidhje me çështjen në fjalë, pasi ambasadorët e këtyre vendeve në NATO ju adresuan anëtarëve.

Kodheli, në emër të Asamblesë, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Selinë e NATO-s rikonfirmoi mbështetjen e Asamblesë për një partner të rëndësishëm , Ukrainën.

“Ne jemi në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe mbështesim pa kushte sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Komuniteti ndërkombëtar ndan qëndrimin e zgjidhjes së çështjes nëpërmjet diplomacisë. Asambleja mbështet përpjekjet aktive diplomatike të aleatëve, në bashkëpunim të ngushtë me Ukrainën për të ndaluar agresionin rus dhe për të parandaluar konfliktin”, u shpreh Kodheli. 

Duke vijuar ajo tha se, duhet të jemi të qartë se kjo krizë nuk lidhet vetëm me Ukrainën.

Veprimet e Rusisë venë në pikëpyetje rregullat ndërkombëtare të vendosura në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht me qëllimin e vetëm për të mos u përballur përsëri më pasojat shkatërruese të një agresioni ushtarak”, tha Kodheli.

Mbështetja për Ukrainën, nga ana e Asamblesë NATO nuk ka munguar. Këtë vit Asambleja ka parashikuar mbajtjen e sesionit të pranverës në Kiev, si një shenjë mbështetje ndaj këtij partneri në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Nga ana tjetër, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta deklaroi të hënën se kërcënimi dhe eventualisht agresioni ushtarak ndaj Ukrainës, përbëjnë kërcënim direkt ndaj sigurisë evropiane.

“Bashkohem me shqetësimin e partnerëve tanë të NATO-s për rritjen e paprecedentë të numrit të trupave dhe mjeteve ushtarake ruse në kufijtë me Ukrainën dhe kërcënimit për fillimin e një agresioni ushtarak ndaj një vendi sovran dhe mik”, u shpreh Meta me anë të një reagimi.

Kërcënimi dhe eventualisht agresioni ushtarak ndaj Ukrainës përbëjnë kërcënim direkt ndaj sigurisë evropiane dhe shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”, theksoi Meta.

“Shqipëria mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe apelon për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe mjeteve diplomatike”, tha Meta.

***

-Ministrja Xhaçka në Këshillin e Sigurimit Ndërkombëtar: Gratë, paqja dhe siguria prioriteti i agjendës së Shqipërisë 

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, deklaroi në mbledhjen e fundit të KS se “gratë, paqja dhe siguria është prioriteti kryesor i agjendës së Shqipërisë për dy vitet e ardhshme”. 

Në fjalën e saj në debatin “Gratë, paqja dhe siguria” të organizuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ministrja Xhaçka tha se:

“...Është një e vërtetë e trishtuar e historisë, por është gjithashtu një e vërtetë e trishtuar e ditëve dhe epokës tonë që ndërsa burrat aktualisht shkaktojnë pjesën më të madhe të luftimeve, gratë shpesh mbajnë peshën kryesore të tyre. Nuk e them këtë si një slogan klishe. E them si një mësim që ne shqiptarët e kemi nxjerrë nga historia jonë. E pamë këtë në Kosovë. Gratë u lanë pas për t’u kujdesur për familjet e tyre, gratë u lanë pas për të mbledhur pjesët e mbetura. Gratë përdhunoheshin, torturoheshin dhe vriteshin si shënjestra të qëllimshme të një fushate kriminale të spastrimit etnik. Dhe këtë e shikojmë në të gjitha konfliktet kudo në botë nga Afganistani në Jemen, nga Mianmar në Etiopi, në Siri ose përndjekja që iu bëhet aktivistëve në Bjellorusi”.

Aktivistet gra, vijoi Xhaçka, përballen me kërcënime dhe rreziqe, ku përfshihen ndalimet arbitrare, rrëmbimet e zhdukjet nga autoritetet qeveritare, madje edhe vrasje nga autoritetet qeveritare, jo vetëm për shkak të rreziqeve të zakonshme që vijnë me aktivitete e tilla në zonat e konfliktit, por edhe për faktin që janë gra.

Shqipëria, shtoi Xhaçka, renditet aktualisht ndër 5 qeveritë e para me barazi gjinore të balancuar, me 75 % të posteve ministrore të mbajtura nga gratë.

Një përqindje e ngjashme e posteve ekzekutive të nivelit të lartë dhe të mesëm, si dhe disa nga postet kryesore më të larta publike – duke përfshirë institucionet e pavarura, agjencitë, departamentet në fusha kyçe të shtetit – mbahen nga gratë. Ne kemi përfituar. I gjithë vendi ka përfituar. Kjo është arsyeja pse ne vendosëm ta bëjmë Gratë, Paqen dhe Sigurinë prioritetin tonë kryesor...”, tha ajo.

 “Këshilli duhet të luajë një rol thelbësor në këtë drejtim. Një rol vendimtar. Nuk mund të ketë paqe pa gratë dhe do të ishte e pafalshme të përjashtohej gjysma e njerëzimit nga përpjekjet që synojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka u shpreh gjithashtu se “është një nder i madh që jam Ministrja e Parë e Jashtme Shqiptare, që adresoj Këshillin e Sigurimit si anëtar jo i përhershëm i këtij organi të rëndësishëm”.

***

-Shkodra, shembull i harmonisë ndërfetare në rajon/Myftiu vizitoi prijësit e krishterë të qytetit

Në kuadër të vizitave dhe takimeve ndërfetare, ditën e mërkurë, më 26 janar 2022, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vizitoi prijësit e krishterë të komunitetit katolik dhe atij ortodoks në Shkodër.

Fillimisht, në Arqipeshkvinë Shkodër-Pult, Myftiu u prit nga Arqipeshkvi, Mons. Angjelo Massafra, me të cilin zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë, duke vënë theksin tek domosdoshmëria e aktiviteteve të përbashkëta në dobi të shoqërisë dhe besimtarëve.

Myftiu dhe Arqipeshkvi ishin të mendimit se sprovat dhe sfidat me të cilat përballet njerëzimi dhe shoqëria shqiptare në veçanti, janë arsye më shumë për të bashkëpunuar e për të shtuar kontributet e përbashkëta për të mirën e shoqërisë shqiptare dhe njerëzimit mbarë.

Myftiu u prit edhe nga Famullitari i Kishës Ortodokse, At Nikolla Petani, me të cilin diskutoi mbi frymën e bashkëpunimit dhe natyrën e besimeve në trajtimin e sfidave të jetës.

Të dy bashkëbiseduesit ishin dakord që komunitetet fetare duhet të bëjnë më shumë në drejtim të eliminimit të gjuhës së urrejtjes dhe ndasive për shkak të besimit dhe fesë, që përhapet në masë nëpërmjet rrjeteve sociale, si dhe distancimin nga gjuha e përçarjes për shkaqe fetare në ligjërimet politike dhe të çdo natyre tjetër në shoqërinë tonë.

Takimet e Myftiut të Shkodrës vijnë në prag të Tre Muajve të Mirë, edhe si një kontribut i natyrshëm dhe faktik në ruajtjen dhe konsolidimin e frymës së harmonisë ndërfetare dhe vëllazërisë kombëtare.

***

-Stuhia e madhe e dëborës bllokon avionin e “Air Albania” në Stamboll

Stuhia e dëborës në Turqi ka bllokuar në fillim të kësaj jave, në aeroportin e Stambollit avionin e kompanisë "Air Albania".

Nëpërmjet një postimi në Facebook, vetë kompania shqiptare konfirmon lajmin dhe thekson se ekipet janë në terren për të marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe mirëqenien e pasagjerëve. Kompania i ka bërë thirrje pasagjerëve për durim dhe mirëkuptim.

"Një stuhi dëbore e paprecedentë ka paralizuar çdo lëvizje brenda dhe jashtë aeroportit të Stambollit, duke bllokuar çdo fluturim nga ky aeroport. Ekipet tona janë në terren, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe mirëqenien e pasagjerëve tanë, përballë kësaj situate me vështirësi të mëdha.

Jemi të keqardhur për situatën shqetësuese dhe mirënjohës për durimin dhe mirëkuptimin e treguar nga pasagjerët tanë.", thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë “Air Albania”, e cila është në partneritet me “Turkish Airlines”.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme