Qeveria e Kosovës merr masa të reja për parandalimin e COVID-19

Në Kosovë, kohët e fundit ka pasur me mijëra raste të reja me COVID-19, gjë që ka bërë që qeveria t'i shtrëngojë masat për qytetarët e saj dhe të huajt që hyjnë në vend.

1767326
Qeveria e Kosovës merr masa të reja për parandalimin e COVID-19

Rritje e rasteve Covid-19 në Kosove, qeveria merr masa të reja për parandalim

Në Kosovë po rritet çdo ditë numri i rasteve të reja me COVID-19! Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 3.206 raste të reja me koronavirus, numër ky i rezultuar nga afro 12 mijë mostra të dyshuara për COVID-19.

Të dhënat e fundit kanë njoftuar për 357 persona që kanë fituar betejën me COVID-19. Kjo e ka rritur numrin e rasteve aktive në mbi 15 mijë.

Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 4.620 doza të vaksinës ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë afro 1 milionë e 800 mijë doza të vaksinës.

*

Për të hyrë në Kosovë nevojiten tre vaksina ose dy dhe testi PCR

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një mbledhjeje elektronike ka miratuar masa të reja të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në kuadër të masave të reja, çdo person i cili hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR negativ të 48 orëve të fundit.

Shtetasit e Kosovës që s’kanë dy doza të vaksinës, duhet të karantinohen në shtëpi për shtatë ditë.

Të gjithë punonjësve të institucioneve publike do t’u kërkohet certifikata me të paktën dy doza të vaksinës.

Sa i përket orës policore, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve me vendimin e ri do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Mbledhjet në ambiente të mbyllura lejohen me maksimum 30 persona.

Është ndaluar veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, apo dasmave e fejesave.

Gastronomisë do t’i lejohet puna deri në orën 21:00.

Operatorët e transportit publik lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50 për qind të kapacitetit të ulëseve.

Masat e miratuara në Qeveri kanë hyrëknë fuqi nga 22 janari, ndërsa do të vlejnë deri më 4 shkurt 2022.

*

Familjarët nuk do të mund t'i vizitojnë të burgosurit për shkak të COVID-19

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka marrë vendim që nga 22 janari i këtij viti, të ndërmarrë veprime të përkohshme kundër pandemisë së COVID-19.

Ky institucion ka ndaluar përkohësisht vizitat familjare për të gjitha kategoritë e të burgosurve, kanë bërë ndalimin e vikendeve për të dënuarit nëpër institucioneve korrektuese si dhe kanë ndaluar vizitat në lokalet e veçanta.

Tash e tutje shërbimi korrektues do të lejojë aplikimin e metodave online dhe atyre me telefon për komunikim.

“Aplikimin e sistemit virtual të komunikimit “Skype” për të burgosur për të mundësuar kontaktet me familjet, sipas rutinës së përcaktuar nga Institucioni; Lejimin e numrit të shtuar të thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Po kështu, bëhet e ditur se pastrimi i rrobave për të paraburgosurit do të organizohet brenda institucioneve të shërbimit korrektues.

Të burgosurit nëpër Kosovë, varësisht prej gjendjes specifike shëndetësore, trajtohen brenda burgut dhe në raste të tjera në spitalin më të afërt rajonal apo edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

*

Kryediplomatja Gërvalla-Schëarz në Athinë kërkon njohjen e Kosovës nga Greqia

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), Donika Gërvalla, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Athinë, ku është pritur nga homologu i saj grek Nikos Dendias.

Siç njofton MPJD, ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të avancuar marrëdhëniet bilaterale me Greqinë, e cila sipas saj është një shtet i rëndësishëm në rajonin e Evropës Juglindore dhe gjithashtu kontribuues i rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Ministrja Gërvalla-Schëarz po ashtu nënvizoi se Kosova e vlerëson Greqinë si një shtet mik dhe partner dhe e çmon për konstruktivitetin në raport me agjendën evropiane dhe procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Ministrja Gërvalla po ashtu theksoi se njohja dhe respektimi i pavarësisë së Kosovës nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë, do të ishte një lëvizje e guximshme për stabilitetin në rajon dhe më gjerë, që do të mundësonte hapjen e një dinamike të re në zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan.

Nga ana e tij, kryediplomati grek Dendias theksoi ndër të tjera se Ballkani Perëndimor duhet të shikojë kah e ardhmja dhe jo nga e kaluara.

Vizita e ministres kosovare në Greqi pason atë në Kosovë të ministrit grek Dendias në qershor të vitit 2021.

*

KFOR'i turk investon në arsimin në Kosovë

Pas një rinovimi nga ana e Kryesisë së Delegacionit Përfaqësues Turk në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR), u hap salla e prezantimeve e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës!

Në ceremoni, të pranishëm ishin ambasadori i Turqisë në Prishtinë Çağrı Sakar, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fikrim Damka, shefi i KFOR-it turk, kolonel Savaş Yanar, dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Dashamir Bërxulli, si dhe zyrtarë të tjerë.

Ambasadori Sakar theksoi se lidhja historike me popullin mik dhe vëllazëror të Kosovës është forcuar me projektet e rinovimit dhe përmirësimit të kryera nga ushtarët turq në shkollat e rajoneve të ndryshme të Kosovës.

Ai tha se përpjekjet për zhvillimin dhe fuqizimin e Kosovës do të vazhdojnë të rriten.

E dekani Bërxulli theksoi se sallat e ngjashme janë kusht për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë.

Ndërkaq, ministri Damka vlerësoi se këto investime për edukimin e të rinjve cilësorë “në fakt janë investime për të ardhmen”.

Në kuadër të projektit është zgjeruar hapësira e përdorimit të sallës së prezantimeve, është kryer mirëmbajtja dhe riparimi i përgjithshëm i sallës, janë instaluar pajisjet teknologjike të nevojshme për prezantim dhe është ndërtuar kabina e përkthyesve.

*

Kryeministri Kurti arsyeton në Kuvend rritjen e çmimit të energjisë, opozita kundërshton

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar rreth paralajmërimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.

ZRRE në fillim të kësaj jave ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se energjinë elektrike, për shkak të krizës ndërkombëtare nuk po mundohet ta shtrenjtojë vetëm Kosova por atë e kanë bërë tashmë vendet e rajonit si Maqedonia Veriore dhe Shqipëria.

Kusari-Lila tha se “kthimi i bllok tarifave është i paevitueshëm bashkë me kthimin e shprehisë së kursimit”.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), deputeti Ferat Shala tha se shtrenjtimi i energjisë elektrike është shqetësim social, ekonomik e politik por që prekë edhe sigurinë nacionale.

Shefi i Grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri tha se kriza energjetike ka rrezik ta sjellë qytetarët e Kosovës në bankrotim total.

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se Kosova e ka çmimin më të lirë të energjisë elektrike aktualisht, por me shtrenjtimin e paralajmëruar, Kosova nga 6 cent për kilovat të çmimit të energjisë elektrike shkon në 22 cent, duke kaluar shtete të zhvilluara Francën, Kroacinë dhe të tjera.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vetëm të mërkurën e kësaj jave, Kosova ka importuar mbi 10 gigavat orë të energjisë elektrike, të cilat nëse mblidhen në fund japin një shifër prej 2 e gjysmë milionë euro import të energjisë.

“Më tregoni të nderuar deputetë, si t’i paguajmë dhe ku t’i marrim 2 milionë e gjysmë, kjo është çështja. Pra, nuk bëhet fjalë për çmimin e megavat-orës që na vjen nga Koorporata Energjetike por për atë që e marrim nga bursa ndërkombëtare”, tha Kurti.

*

Caroline Ziadeh, shefe e re e UNMIK-ut në Kosovë

Ka filluar punën në Prishtinë, Caroline Ziadeh si Përfaqësuese e Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë (PSSP) dhe shefe e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Siç ka bërë të ditur nëpërmjet një komunikate për media UNMIK, Ziadeh vjen në krye të kësaj detyre si pasardhëse e tashmë ish-shefit të UNMIK-ut Zahir Tanin, udhëheqja e të cilit konsiderohet nga ky mision si efektive.

Shefja e re e UNMIK-ut, Ziadeh e cila është me prejardhje nga Libani, ka thënë se me padurim pret të fillojë angazhimin me autoritetet kosovare, shoqërinë civile dhe palën ndërkombëtare në Kosovë.

Ziadeh ka përmendur edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin thotë se UNMIK mbetet i palëkundur në mbështetjen për të.

Ziadeh ka një përvojë gati 30-vjeçare në diplomacinë ndërkombëtare me njohuri të gjerë të Kombeve të Bashkuara ku udhëhoqi delegacionet kombëtare në OKB për çështje të ndërlidhura me të drejtat e njeriut, agjendën mbi gratë, paqen, sigurinë dhe migrimin.

*

Ndërmarrja shoqërore "Brezovica" nis punën në bazë të ligjeve të Kosovës

Për herë të parë nga periudha e pasluftës e vitit 1999 në Kosovë, ndërmarrja shoqërore "Brezovica" ka filluar punën nën menaxhimin e autoriteteve zyrtare kosovare.

Siç bëhet e ditur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), Bordi i Drejtorëve i AKP-së ka emëruar Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për Brezovicën, e cila ndodhet në Komunën e Shtërpcës, në përbërje prej 6 anëtarëve.

Pas një mbledhjeje të cilën e ka mbajtur Menaxhmenti i AKP-së me Bordin e ri të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Brezovica është vendosur kjo ndërmarrje të funksionojë tërësisht në bazë të ligjeve të Kosovës.

“Kjo përfshin: Instalimin e arkave fiskale; Raportimin financiar e operativ në AKP; Deklarimin e rregullt të tatimeve te ATK (Administrata Tatimore e Kosovës) si dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës”, shkruan në njoftimin e AKP-së.

Po kështu, për qytetarët AKP njoftoi se skiliftat janë lëshuar në operim që nga e diela e 16 janarit.

Qendra turistike "Brezovica", e cila është një atraksion turistik dimëror në Kosovë, që nga paslufta (1999) është menaxhuar nga strukturat paralele serbe dhe shumica e shërbimeve janë kryer pa ndonjë kupon fiskal, duke bërë që kjo ndërmarrje të futet në obligime të thella ndaj Administratës Tatimore.

Të hyrat e vetme të kësaj ndërmarrjeje nga të cilat ka përfituar shteti kosovar kanë qenë ato të parkingut për automjete, meqë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor vite më parë vendosi laurë në hyrje të kësaj qendre.

Edhe nga Komuna e Shtërpcës, ku pothuajse 50 për qind e banorëve i përkasin komunitetit serb, vazhdimisht kanë deklaruar se komuna nuk e ka asnjë përfitim nga qendra turistike në Brezovicë.



Lajme të ngjashme