Sot Kosova e mbuluar me borë, rrugët janë të kalueshme

Bora e filluar gjatë natës, ka zbardhur territorin e Kosovës të hënën e 10 janarit. E ministria e Infrastrukturës, thotë se të gjitha rrugët janë të kalueshme.

1760193
Sot Kosova e mbuluar me borë, rrugët janë të kalueshme
Kosova_okullar tatilden sonra açıldı.jpg
Jeff Hovenier_Kosova yeni ABD büyükelçisi.jpg
Kryetari i Odës Ekonomike, Rukiqi, paralajmëron vit të vështirë në ekonomi.jpg
Perparim Rama_Erion Veliaj.jpg
ABD özel operasyon merkezi Arnavutluk-a taşınıyor.jpg

Sot Kosova e mbuluar me borë, rrugët janë të kalueshme

Qytetarët e Kosovës janë zgjuar sot me bukurinë që krijon petku i bardhë i borës, e cila ka filluar të binte gjatë natës. Qytetarët, të cilët shkojnë me automjete në punë, kanë pasur nevojë që në mëngjes t’i pastronin xhamat e veturave, por si duket ky ka qenë problem i vetëm i tyre. Kjo, pasi rrugët në Kosovë janë të kalueshme, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës së Kosovës. Kjo është konfirmuar nga shefi i Departamentit të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Ministri, Gëzim Osmani.

“Gjendja e rrugëve është përgjithësisht e mirë. Kompanitë kanë intervenuar gjatë tërë kohës në pastrimin e rrugëve”, ka thënë Osmani.

Ai ka kërkuar që posaçërisht në viset malore ngasja e automjeteve të jetë me kujdes të shtuar për shkak të kushteve atmosferike.

*

Dimri i vërtetë fillon nga sot 

Dimri i vërtetë me ditë të ftohta e temperatura të ulëta pritet të nis nga sot në Kosovë. Moti sot, në Kosovë do të mbajë i ftohtë e me reshje bore, të shoqëruar edhe me erë. Temperaturat do të lëvizin nga -1 deri në 0 °C. Dita e martë parashihet të jetë me mot të ftohtë e kryesisht i vranët me reshje të lehta bore. Temperaturat do të luhatën prej -1 deri në 0 °C. Ftohtë e me vranësira dhe intervale me diell e mundësi për reshje të lehta bore pritet të mbajë edhe dita e mërkurë. Temperaturat do të sillen nga -4 deri në -3 °C.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se kjo situatë e motit krijohet për shkak të masave të ajrit me presion të ulët atmosferik.Në viset malore përveç reshjeve të dendura të borës parashihen temperatura më të ulëta për 3-5 gradë Celsius, varësisht nga lartësia mbidetare.

*

Fillon sot pjesa e dytë e Vitit shkollor në Kosovë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, se sot, më 10 janar 2022, fillon periudha e dytë e vitit shkollor në të gjitha nivelet e arsimit para-universitar.

“Taskforcat në nivel komune do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla. Drejtoritë Komunale të Arsimit do të kujdesen për respektim të masave të përcaktuara nga IKSHPK, të dezinfektojnë hapësirat e shkollave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Përveç mësimit me prani fizike në shkollë, do të jenë në dispozicion edhe mundësitë për organizimin e mësimit online nëse paraqitet nevoja.

Ministria e Arsimit fton të gjithë aktorët e përfshirë në shkollë që të respektojnë masat mbrojtëse të përcaktuara nga IKShPK.

*

Jeff Hovenier sot merr detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë 

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, do të marrë sot, e hënë 10 janar,  edhe zyrtarisht detyrën e tij. Hovenier, i cili luajti një rol në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i ShBA-së më 18 nëntor. Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendës shef i misionit në Ambasadën e SHBA-së në Ankara.Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi. Ai flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë disa nga Qeveria e Kosovës.

Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

*

AAK-ja shkarkon nga partia ish-kandidatin për kryetar të Dragashit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shkarkuar ish-kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Dragashit, Agron Gashin.

Sipas vendimit, Gashi kishte lidhur koalicion me partinë në pushtetin lokal, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pa u konsultuar me kryesinë e AAK-së në Dragash.

Njëkohësisht, në njoftim thuhet se i njëjti ka emëruar në postin e këshilltarit të komunës djalin e tij, Eldi Gashin.

AAK-ja po ashtu ka kërkuar nga kryetari i AAK-së në Dragash, Behxhet Xheladini të mos emërojë në asnjë detyrë dhe funksion asnjë anëtar të AAK-së pa konsultim paraprak.

*

Rama shprehet i nderuar nga pritja e ngrohtë e Bashkisë së Tiranës 

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar pas takimit me homologun e tij shqiptar, Erion Veliajn.

“Jam tejet i emocionuar dhe i nderuar nga pritja e ngrohtë dhe bujare e Bashkisë së Tiranës dhe z. Erion Veliaj gjatë vizitës tonë të parë zyrtare”, shkroi Rama pasi u prit me ceremoni zyrtare nga Veliaj.

Gjatë takimit, Veliaj i dhuroi Ramës “Çelësin e Tiranës”.

“E pranoj me përulësi dhe mirënjohje Çelësin e Qytetit, si simbol të hapjes së rrugëtimeve të reja të përbashkëta që i presin të rinjtë tanë dhe qytetet tona”, u shpreh i pari i kryeqytetit kosovar.

*

Kryetari i Odës Ekonomike, Rukiqi, paralajmëron vit të vështirë në ekonomi

Viti 2022 do te jetë shumë më sfidues se sa viti 2021, në aspektin ekonomik, ka paralajmëruar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Përmes një shkrimi në Facebook, ai i radhit disa arsye për këtë:

1. Nuk do të përsëritet vera e vitit 2021, që ishte infuzioni kryesor për shumë ndërmarrje (i ardhur nga diaspora), të dërmuara nga pandemia; Konsumi do te shënojë rënie, rrjedhimisht edhe norma e rritjes ekonomike do te jete ne rënie.

2. Ky dimër do te jete me i “gjate” se tjerët, marre parasysh problemet me furnizimin dhe çmimet e energjisë elektrike dhe çmimet e rritura në pothuajse të gjitha lëndët e para dhe produktet finale, nga kategoritë e produkteve qe ne i importojmë.

3. Papara shikueshmëria me pandeminë do te vazhdoj te sjell kokëçarje për sektorin privat. Sektori privat ende nuk arrin te kuptoj, çka është vlera e vaksinimit me dy dhe tre doza, nëse te njëjtat nuk garantojnë liri te veprimit dhe kryerjes te aktivitetit biznesor. Çdo mase për kontrollimin e pandemisë, duhet te kufizoj te pa-vaksinuarit e jo ata qe me shume zell e respektuan thirrjen për vaksinim.

4. Do te rritet problemi me fuqinë punëtore. Mos gjetja e punëtorëve me shkathtësi te caktuara është si problem ne rritje për te gjithë sektorët. Nëse kjo problematike vazhdon, ne do te kemi probleme serioze me aftësinë konkurruese për eksport dhe investime.

“Qeveria, Parlamenti dhe të gjitha institucionet duhet të jenë të hapura për dialog me sektorin privat, ne adresimin e këtyre temave por edhe shume çështjeve tjera me rëndësi jetike për zhvillimin e vendit:, ka përmbyllur shkrimin e tij, kryetari Rukiqi. 

*

Arrestime të reja  për korrupsion në vazhdimin e operacionit "Brezovica"

Në vazhdën e aksionit për rastin “Brezovica”, i cili u zhvillua në nëntë lokacione në Kosovë, janë arrestuar katër persona, tre prej të cilëve janë ndaluar për 48 orë dhe një është liruar në procedurë të rregullt. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se kontroll është kryer në zyrat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku janë sekuestruar provat materiale, të cilat do të përdoren në procesin e mëtejmë.

“Me vendim të prokurorit sot është ndaluar 48 orë Bedri Halimi kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit nën dyshimin e ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare’. Gjithashtu është ndaluar edhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’ dhe ‘marrje ryshfeti’”, tha Jashari.

Prokurori i këtij rasti, Rasim Maloku, ka theksuar se gjatë hetimeve, të dyshuarve dhe familjarëve të tyre u janë ngrirë gati 6 milionë euro në llogaritë bankare për shkak të dyshimit se janë fituar me vepra penale.

*

Reagon Surroi, thotë se “Stella Consulting” nuk është marrë me leje ndërtimi në Brezovicë

Publicisti kosovar, Veton Surroi, ka reaguar pas raportimeve dhe përmendjes së emrit të tij si bashkëpronar në kompaninë “Stella Consulting”, kompani kjo që sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, dyshohet se është e përfshirë në një aferë të dhënies së ryshfetit për ish-kreun e Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, i cili mbeti i arrestuar në aksionin e ditëve të fundit të 2021-it nën dyshimet për dallavere me leje ndërtimi.

Surroi në reagimin e tij ka thënë se “Stella Consulting” ku edhe është aksionar, nuk është marrë as me leje e as ndërtim të projektit në Brezovicë dhe se kompani tjetër ka kryer të gjitha punët deri në fund.

Ai thotë se “Stella Consulting” është e përjashtuar nga çfarëdo përgjegjësie juridike, meqë kompania tjetër të cilës i referohet në reagim, thotë se ka kryer të gjitha punët nga fillimi deri në fund.

“Çdo dokumentacion ligjor para dhe pas fillimit të ndërtimit deri në mbarimin e veprës është realizuar nga kjo kompani, duke përjashtuar në këtë materie nga çdo përgjegjësi juridike “Stella Consulting”, ka shkruar Surroi.

*

Kosova i gëzohet vendosjes së shtabit të Komandës Amerikane në Shqipëri 

Vendosja në Shqipëri e shtabit operativ pararojë të Komandës së Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë ka gëzuar edhe institucionet e Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka vlerësuar këtë njoftim si lajm të shkëlqyeshëm.

“Ky është një vendim i madh që rikonfirmon fuqishëm angazhimin e ShBA-së në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë”, ka thënë ai në një shkrim në Facebook.

Ditë më parë, SOCEUR-i njoftoi për shtabin në Shqipëri. Në njoftim u theksua se kjo do ta bëjë qasjen më të lehtë në Ballkan.



Lajme të ngjashme