Shqipëri - Protesta para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë

Në protestën e organizuar para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) janë shënuar tensione dhe incidente.

1759445
Shqipëri - Protesta para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë

Në protestën e organizuar para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) janë shënuar tensione dhe incidente, pasi protestuesit kanë thyer dyert dhe xhamat e dritareve duke hyrë brenda selisë, ndërkohë kanë ndërhyrë edhe forcat e policisë për të shpërndarë protestuesit, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta që zgjati disa orë ditën e shtunë ishte thirrur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, sipas tij, për të zbatuar vendimin e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, pasi sipas Berishës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, është shkarkuar në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit 2021 dhe më pas në votimin e anëtarësisë.

Protestuesit të cilët kërkojnë largimin nga drejtimi i Partisë Demokratike të kryetarit të saj Basha thyen xhamat e dyerve të jashtme dhe dritareve dhe disa prej tyre hynë në ambientet e brendshme të selisë së PD-së, ndërsa gjatë protestës është hedhur edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Gjatë protestës janë lënduar disa persona gjatë tensioneve, por edhe nga ndikimi gazit lotsjellës. Ndërkohë, pas incidenteve dhe tensioneve një pjesë e protestuesve janë zhvendosur për të protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.

Kujtojmë se pas vendimit të SHBA-së, për shpalljen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, si person i papërshtatshëm për të hyrë në SHBA për "veprimet korruptive dhe minim të demokracinë në Shqipëri" filluan përplasjet në partinë më të madhe opozitare në vend.

Pas shpalljes së Berishës "non grata" nga SHBA-ja, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar i kësaj partie ish-kryeministrin Berisha, vendim që shkaktoi kundërshtime dhe përplasje brenda PD-së, duke krijuar dy grupime, pro Berishës dhe kundra tij.

Pas Kuvendit Kombëtar të PD-së të organizuar më 11 dhjetor nga mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha, edhe Basha dhe mbështetësit e tij organizuan Kuvendin Kombëtar të partisë më 18 dhjetor të vitit të kaluar dhe palët nuk njohin vendimet e njëra-tjetrës.

Lulzim Basha u rizgjodh kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë për një mandat katërvjeçar më 14 qershor 2021, gjatë procesit ku votuan anëtarët e PD-së dhe ku konkurruan disa kandidatë.

Reagimet për protestën dhe tensionet

Në lidhje me protestën dhe tensionet gjatë saj ka pasur reagime nga organizatorët e protestës, të Partisë Demokratike dhe zyrtarë të vendit.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një reagim në rrjetet sociale ka bërë thirrje "për ruajtjen e qetësisë, shmangien e akteve të dhunës, provokimeve dhe tensioneve të panevojshme".

Në deklaratën e Partisë Demokratike thuhet se "Aktet e dhunës së sotme kundër Partisë Demokratike shënojnë izolimin final të Sali Berishës dhe largimin me turp nga skena politike".

Ndërkohë, ish-kryeministri Berisha në një deklaratë për mediat gjatë protestës tha se "opozita e vërtetë u paraqit në protestë paqësore". "Opozita e vërtetë është kjo që shikoni, e cila u paraqit në protestë paqësore dhe u përball me mjetet më të egra të dhunës. Unë garantoj shqiptarët se jemi dhe do të mbetemi të pamposhtur. Ky ishte një skenar i përgatitur me kujdes gjatë këtyre ditëve", u shpreh Berisha.

Në lidhje me tensionet dhe ndërhyrjen e policisë ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, e cila në një deklaratë për mediat ka theksuar se një grup deputetësh të Partisë Demokratike, kanë kërkuar ndihmën e policisë "pasi u rrezikohej jeta nga protestuesit".

"Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë", ka deklaruar policia. (AA)



Lajme të ngjashme