Samiti i Tiranës “Open Balkan” mbështetet nga BE

Takimi i radhës në kuadër të “Open Balkan” u zhvillua të martën në Tiranë dhe kësaj here veç Këshillit të Atlantikut u përfshi edhe Komisioni Evropian.

1751585
Samiti i Tiranës “Open Balkan” mbështetet nga BE
Açık Balkan Girişimi_Open Balkan_Edi Rama.jpg
Arnavutluk_Yunus  Emre_Medya Akademisi_1.jpg
Arnavutluk_Yunus  Emre_Medya Akademisi_2.jpg
Arnavutluk_İşkodra Yunus Emre_konser_7.jpg
Arnavutluk_İşkodra Müftülüğü_Arapça Dünya Günü_1.jpg
Arnavutluk_İşkodra Müftülüğü_Arapça Dünya Günü_2.jpg
Arnavutluk_İşkodra Müftülüğü_Arapça Dünya Günü_3.jpg
Arnavutluk_İşkodra Yunus Emre_konser_3.jpg
Arnavutluk_İşkodra Yunus Emre_konser_5.jpg
Arnavutluk_ALSAR_IHH_yetimlere yardım_1.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (51/2021)

-Samiti i Tiranës “Open Balkan” mbështetët nga BE

Takimi i radhës në kuadër të “Open Balkan” u zhvillua të martën në Tiranë dhe kësaj here veç Këshillit të Atlantikut u përfshi edhe Komisioni Evropian.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e hapjes së seancës plenare të samitit “Open Balkan” përsëriti thirrjen ndaj të gjitha vendeve të rajonit që të bëhen pjesë e “Ballkanit të hapur”, pasi është një nismë tërësisht përfshirëse.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se “Ballkani i Hapur”, është iniciativë e lëvizjes së lirë dhe do të ndërtojë bazën për themelet e së ardhmes mes fëmijëve tanë.

Kryeministri i Maqedonisë të Veriut, Zoran Zaev deklaroi se “Ballkani i Hapur”, është nisëm që shërben integrimit të vendeve tona në BE.

Komisioneri për Zgjerim dhe fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi deklaroi se mbështet nismën e “Ballkanit të Hapur”, duke theksuar se kjo do të ndihmojë edhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve që ka ofruar BE-ja.

Liderët e tri vendeve të përfshira në këtë proces, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë zyrtarizuar këtë iniciativë që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve duke nënshkruar pesë marrëveshje.

Marrëveshja e parë që u nënshkrua nga Rama, Vuçiç e Zaev është për kushtet e qasjes së lirë në tregun punës. Marrëveshjet e tjera kanë të bëjnë me skemat e përbashkëta për identifikimin elektronik të qytetarëve në pikat kufitare, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, për njohjen e ndërsjellë dhe për operatorët ekonomikë.

Ndërkohë, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, edhe pas thirrjeve për bashkëpunim.

Takimi i Tiranës u mbyll me konferencën e përbashkët për shtyp të tre liderëve...

Nga ana tjetër, është mbajtur edhe një protestë kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kundër nismës "Ballkani i Hapur", protestë e thirrur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe mbështetur nga simpatizantë të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë në Tiranë për të marshuar më pas drejt Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.

Në protestën e organizuar nën sloganin "Kundër paktit Rama-Vuçiq dhe pro Procesit të Berlinit", morën pjesë mijëra persona nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, ndërkohë të pranishëm ishin edhe nga Kosova.

Gjatë protestës u shënuan edhe incidente, pasi u grisën dhe dogjën flamujt e Serbisë që ishin vendosur në bulevard në kuadër të takimeve mbi nismën "Ballkani i Hapur".

Sipas organizatorëve, protesta u mbajt pasi, "Vuçiq akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia", "Ballkani i Hapur është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe" dhe se "Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiq është nga përgjegjësit kryesor".

Gjatë fjalës në protestë, ish-kryeministri Berisha tha se protestojnë “në mbrojtje të interesave jetike të kombit shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare”.

***

-Gjermania heq Shqipërinë nga harta e kuqe e koronavirusit/COVID-19

Shqipëria nuk konsiderohet nga Gjermania si vend me rrezikshmëri të lartë nga COVID-19.

Instituti gjerman “Robert Koch” (RKI), ka publikuar në faqen e vet zyrtare listën me vendet që nuk janë të përfshira në zonën e kuqe të pandemisë.

Sipas këtij instituti, duke nisur nga dita e dielë Shqipëria nuk konsiderohet më zonë me rrezik nga pandemia.

Pjesë e listës së bashku me Shqipërinë janë edhe Kosova, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Estonia, Lituania dhe Moldavia.

***

-Në Shqipëri, përfundoi Akademia e Medias 

Në Shqipëri ka përfunduar Akademia e Medias e organizuar nga instituti turk "Yunus Emre" në Tiranë në bashkëpunim me Radio Televizionin e Turqisë (TRT), me Anadolu Agency (AA), Ambasadën e Turqisë në Shqipëri ku pjesëmarrësit morën njohuri për disa tema nga specialistë të fushës së medias nga Turqia dhe Shqipëria.

Në lidhje me të  është mbajtur ceremonia e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e Akademisë së Medias,

Ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, drejtori i Institutit "Yunus Emre" në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, përfaqësues të shoqatave vendase, si dhe pedagogë, studentë dhe studiues të medias.

Gjatë fjalës në ceremoni, ambasadori Yörük thekoi se Akademia e Medias ka qenë një mundësi mjaft e mirë për të gjithë pjesëmarrësit, sipas tij, që të rriten profesionalisht në fushën e gazetarisë dhe që të njihen me profesionistë të fushës nga Shqipëria dhe Turqia.

Pjesë e kursit dyjavor të zhvilluar në ambientet e instituti turk "Yunus Emre" në Tiranë ishin rreth 20 pjesëmarrës, si punonjës të mediave në Shqipëri dhe studentë që kanë studiuar apo studiojnë në degë të ndryshme, ndërsa janë trajtuar tema të ndryshme në lidhje me median.

Qëllimi i këtij kursi dyjavor që organizohet për herë të dytë ishte përcjellja e gazetarisë dhe publicistikës që mbështetet në baza objektive, të besuara dhe të sigurta tek të rinjtë që studiojnë në degë të ndryshme, si në gazetari, shkenca politike, diplomaci, marrëdhëniet me publikun dhe menaxhim, si dhe çdo personi që ka interes për median.

Gjithashtu synohet dhënia e mundësisë specialistëve të fushës për të ndarë me studentët eksperiencën e tyre dhe t’iu sigurojë studentëve mundësinë për t'u informuar mbi fushën e medias.

***

-Projekt ndihme për familjet e fëmijëve jetimë 

Fondacioni ALSAR dhe IHH me qendër në Holandë kanë bashkëpunuar në realizimin e një tjetër projekti të përbashkët ndihme.

Me mbështetjen e IHH-së me qendër në Holandë, ALSAR ka shpërndarë  këto ditë 1200 fidanë arrash për familje të fëmijëve jetimë të Tiranës.

Nga i quajturi “Projekt i ndihmës me fidanë arrash” kanë përfituar 30 familje të fëmijëve jetimë, që me ndihmën e dhënë do të kenë mundësi ta kultivojnë këtë pemë frutore, arrën, e të rregullojnë ekonominë familjare.

Realizimi i këtij projekti është një kontribut humanitar për shtresat në nevojë, së cilave Fondacioni ALSAR u vjen në ndihmë gjatë gjithë vitit në forma të ndryshme, me projekte të ndryshme.

Fëmijët jetimë dhe familjet e tyre janë gjithnjë në fokusin e aktivitetit humanitar të ALSAR-it.

***

-Aktivitet kulturor për Ditën Botërore të Gjuhës Arabe

Myftinia Shkodër zhvilloi një aktivitet kulturor me rastin e 18 dhjetorit, të shpallur nga UNESCO si Dita Botërore e Gjuhës Arabe.

Përveç përfaqësuesve dhe imamëve të Myftinisë, ishin të pranishëm edhe intelektualë të qytetit, të rinj dhe dashamirës dhe njohës të gjuhës arabe.

Teologu Lavdrim Hamja gjatë referimit të tij foli në lidhje me veçoritë dhe elementët dallues të kësaj gjuhe të lashtë, historikun e saj, statistika për vendet që e përdorin si gjuhë amtare, por edhe për shtrirjen e saj në çdo vend të botës.

Ai tha se ky është aktiviteti i parë që organizon Myftinia Shkodër për gjuhën arabe, si gjuha e Islamit dhe e Kuranit, gjuhë që flitet nga rreth gjysmë miliardi njerëz anë mbanë botës, gjuhë që është përfshirë zyrtarisht si gjuha e gjashtë e OKB-së (Organizatës së Kombeve të Bashkuara).

Duke treguar vlerën dhe rëndësinë e saj, vuri në dukje se kohët e fundit Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka vendosur Kaligrafinë Arabe në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale.

Teologu Hamja ndër të tjera tha, se: "Gjuha arabe arriti të ishte gjuha e të gjitha shkencave gjatë epokave islame dhe të bëhej një mjet për të shprehur idetë që nga shekulli i parë i migrimit (hixhretit). Kështu arabishtja arriti të bëhet gjuha e shkencës në vendet e saj të reja dhe të kalojë nga të qenit një gjuhë me origjinë beduine (nomade), në një gjuhë ndërkombëtare, për arabët dhe joarabët, muslimanët dhe të tjerët e praktikonin në marrëdhëniet dhe shkrimet e tyre".

Në fund të këtij aktiviteti foli edhe Muamer Vuci, kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Vende Arabe, i cili u ndal rreth temës: "Përhapja e arabishtes në trojet shqiptare".

Vuci u ndal edhe tek lidhjet e forta dhe të hershme të shqiptarëve me botën arabe, qofshin këto lidhje fetare, kulturore, tregtare, politike, etj.

***

-Në Shkodër u zhvillua një koncert në kuadër të 700-vjetorit të Yunus Emresë

Koncerti "Yunus Emre dhe Klasikët Botërorë" i organizuar nga instituti turk “Yunus Emre” Shkodër, u takua me publikun artdashës shkodranë dhe jo vetëm në fundjavën e kaluar.

Në koncert, artisti i violinës, Anton Kaftalli dhe artisti i violonçelit, Fatos Mataj interpretuan 20 vepra të klasifikuara në 6 grupe, duke krijuar një atmosferë magjepsëse.

Krahas veprave të Yunus Emre, shumë klasikë botërorë si Mozart, Boccherini, Vivaldi, Schuman, Schubert, Bach u kthyen në një epiqendër vëmendjeje për të pranishmit.

Pjesëmarrësit u shprehën se falë koncertit përjetuan një mbrëmje të mrekullueshme në një nga ditët e këtij fundviti dhe se ndihen të lumturuar që vitin e ri po e nisin të përfshirë nga mesazhet universale të Yunus Emres.

Pas dhurimit të buqetave me lule për artistët, koncerti përfundoi me gosti.

Drejtori i instituti turk “Yunus Emre” Shkodër, Zafer Kiyici para mediave vlerësoj aktivitetin si një urë bashkëpunimi dhe forcimi i marrëdhënieve midis dy popujve vëllezër shqiptare-turke...

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme