Kryeministri i Malit të Zi: Viti i parë i lirisë

Një vit pas formimit të qeverisë se re dhe rrëzimit pas 30 vitesh të pushtetit të Millo Gjukanoviqit, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, e cilëson si vitin e parë të lirisë.

1744598
Kryeministri i Malit të Zi: Viti i parë i lirisë

Kryeministri i Malit të Zi: Viti i parë i lirisë

Në Parlamentin e Malit të Zi para një viti u zgjodh qeveria e re me në krye Kryeministrin Zdravko Krivokapiq. Në një tekst autorial Krivokapiqi shkruan se "pas 30 vitesh nën pushtetin e një regjimi hibrid, në atmosferën e ndasive të mosbesimit dhe mbajtjes së qëllimshme të qytetareve në zonën e mbijetesës, para një viti në skenën politike ndodhi liria”. Për Krivokapiqin parakusht për një Mal të Zi të fortë mbetet individi ekonomikisht i fuqishëm. Prandaj si arritje të qeverisë së tij ai vlerëson katër programet reformuese: “Evropa tani”, "Mali i Zi - urgjentisht”, "Evropa këtu”, dhe "Mali i Zi punon”. Ne jemi përcaktuar për ndryshime e jo për persona të privilegjuar, monopole, korrupsion, kriminalitet dhe statistika të fabrikuara, shkruan kryeministri Krivokapiq në njëvjetorin e themelimit të qeverisë së re të Malit të Zi.                                                                     

Opozita kërkon votim mosbesimi ndaj qeverisë 

Opozita dorëzoi në parlamentin e Malit të Zi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Në propozim thuhet se "Mali i Zi nën udhëheqjen e qeverisë aktuale është vënë nën krizën më të madhe politike dhe institucionale që nga vendosja e pluralizmit. Opozita kërkon shkarkimin e qeverisë së Kryeministrit Krivokapiq dhe ofron platformën e saj.

Për votimin e votëbesimit është e nevojshme që të votojnë 41 deputetë nga 81 sa ka Parlamenti i Malit të Zi. Opozita ka dërguar 40 nënshkrime, por thotë se ka numrin e mjaftueshëm për shkarkimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiq. Seanca ku do të debatohet për këtë çështje është caktuar më 13 dhjetor.

SHBA: Qeveria ka ende shumë punë për të bërë

Me rastin e njëvjetorit të punës së Qeverisë të Malit të Zi, Ambasada e SHBA-së në Podgoricë thotë se gjatë këtij viti kanë munguar rezultatet konkrete dhe se ka ende shumë punë për të bërë, sidomos kur është fjala për avancimin e integrimeve evropiane.

SHBA pret që Qeveria e Malit të Zi të përmbushë premtimet e dhëna para një viti, që Mali i Zi të mbetet në kursin euro-atlantik, dhe do t'u japë prioritet reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Deri tani edhe pse vërehen angazhime, këto rezultate konkrete mungojnë, tha Ambasada e SHBA-së. Pavarësisht kësaj mbetet të pritet se cili do të jetë rezultati i votëbesimit më 13 dhjetor ndaj qeverisë së eksperteve të kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Si e tillë ajo nuk përkrahet jo vetëm nga opozita, por as edhe nga pjesa më e madhe e koalicionit qeveritar.

Është bërë shumë, më e mira nuk ka ardhur ende 

Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq tha se një vit më parë, Mali i Zi fitoi një Qeveri me njerëz të ndershëm, qëllimi i të cilëve është të punojnë për të mirën e të gjithëve e jo vetëm për interesin personal. “Për një vit është bërë shumë, pavarësisht si kush e percepton punën tonë. Menjëherë u sulmuan të gjitha format e mafias, kishte një boshllëk të madh në administratën publike, mungesë procesesh dhe procedurash për vendimmarrje dhe mungesë vizionesh të qarta se si të ecim përpara. Mirëpo, krahas të gjitha problemeve, edhe sikur të mos kishim 100 minuta, e jo 100 ditë, pa kritika, menjëherë filluam të punojmë dhe të gjithë pa përjashtim u përpoqëm të japim maksimumin që Mali i Zi të marrë një rrugë tjetër, të ndershme, dhe kështu ndodhi”, tha Abazoviq. "Ne nuk e kursyem veten, ashtu siç nuk do të kursejmë as ata që shkelën ligjin" tha Abazoviq, duke shtuar se me mbështetjen modeste të prokurorisë, Qeveria i ka duart mjaft të lidhura, por nuk do të dorëzohemi. "Është bërë shumë në një vit të kësaj Qeverie demokratike, por shpresojmë se gjërat më të mira i presim në të ardhmen", tha Abazoviq. Ai tha se do të luftojë për mbrojtjen e mjedisit, por edhe për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.

Zgjedhje lokale në tre komuna të Malit të Zi

Në tri komuna të Malit të Zi, në Cetinë, Mojkovac dhe Petnjicë u mbajtën zgjedhjet për përfaqësues në parlamentet lokale. Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë pasur rreth 27 mijë votues. Sipas Komisioneve Zgjedhore Komunale në këto zgjedhje kanë votuar; në Cetinë rreth 76%, në Mojkovac rreth 86% dhe në Petnjicë rreth 50% të votuesve potencialë. Të theksojmë se në Cetinë kanë marrë pjesë 8 lista zgjedhore, në Mojkovac 6 dhe në Petnjicë 7 lista zgjedhore. Sipas rezultateve preliminare, në Cetinë më shumë vota kanë fituar partitë të cilat përpiqen për Malin e Zi qytetar dhe sovran. Ndërkaq në Mojkovac PDS ka fituar vetem14 mandate, kurse partitë tjera në koalicion të cilat përbëjnë edhe shumicën aktuale në Parlamentin shtetëror, kanë fituar 17 mandate. Në Petnjicë, po ashtu sipas të dhënave preliminare, PDS ka fituar shumicën absolute dhe në parlamentin e ardhshëm lokal do të ketë 17 mandate. Sipas raportimeve nga tereni zgjedhjet kanë kaluar relativisht të qeta dhe nuk janë paraqitur parregullsi që do të ndikonin në rregullsinë e tyre.

Turoperatorët nga Shqipëria janë të interesuar për veriun e Malit të Zi 

Operatorët turistikë nga Shqipëria, të cilët gjatë ditëve të kaluara zhvilluan një vizitë studimore në Mal të Zi të organizuar nga Organizata Kombëtare Turistike, patën mundësinë të vizitojnë veriun e vendit, gjë që u la një përshtypje të veçantë. Ata kanë qëndruar në Kollashin dhe Rozhaje, ku kanë vizituar qendrat e skijimit Kollashin 1450 dhe 1600 dhe në Hajlla, për t'u njohur me ofertën aktuale të këtyre qendrave të skijimit. Përfaqësuesi i agjencisë turistike “Alde Travel” nga Tirana tha se ishin të kënaqur me organizimin e vizitës studimore dhe agjendën e paraparë. Përndryshe ka vite që në Mal të Zi vijnë shumë shtetas shqiptarë për të kaluar pushimet e tyre në Budva, që shquhet si metropoli i turizmit në Malin e Zi e po ashtu i madh është dhe numri i atyre që vizitojnë qendrat e skijimit në Kollashin dhe në Zhabljak, qytete këto në veri të Malit të Zi.

Në Mal të Zi kanë vdekur 3 persona, kurse 215 të tjerë janë konfirmuar pozitiv

Si pasojë e infektimit me koronavirus në 24 orët e fundit në Mal të Zi kanë vdekur 3 persona, kurse 215 të tjerë janë konfirmuar pozitiv, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik i Malit të Zi. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjeve si pasojë e infektimit me COVID-19 në Mal të Zi, deri më tani ka shkuar në 2.334 persona. Gjatë 24 orëve të fundit është konfirmuar edhe shërimi i 262 pacientëve, kurse numri aktual i të prekurve është 2 mijë e 23. Ndërkaq, në Qendrën Klinike të Malit të Zi janë duke marrë trajtim mjekësor 90 pacientë të prekur nga koronavirusi, prej të cilëve 39 janë në gjendje të rëndë. Dozën e parë të vaksinës kundër virusit korona e kanë marrë afër 61 për qind e popullsisë së moshës madhore, kurse janë rivaksinuar diçka mbi 57 për qind. Më shumë se 55 mijë qytetarë e kanë marrë edhe dozën e tretë të vaksinës.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme