Nga sot, masat e reja kundër Covid-19 në Kosovë

Duke e parë situatën në vende tjera, dhe në prag të fillimit të ardhjes së mërgimtarëve, qeveria e Kosovës ka vendosur për masa të reja, që kanë të bëjnë kryesisht me qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë.

1743723
Nga sot, masat e reja kundër Covid-19 në Kosovë
Kosova_koronavirüs yeni tedbirleri_Aralık 2021.jpg
ABD senatörü Bob Dole anıtı_Kosova.jpg
Armend Mehaj_Çağrı Sakar.jpg
Kosova_Covid yeni tedbirler.jpg

Nga sot, masat e reja kundër Covid-19 në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, të dielën më 5 dhjetor, kanë prezantuar masat e reja anti-COVID që kanë hyrë sot, më 6 dhjetor në fuqi. Kryeministri Kurti, ka thënë se masat e fundit për parandalimin e përhapjes së COVID-19, janë marrë duke u bazuar në katër pika: ardhja e mërgatës në Kosovë për festat e fundvitit, situata e rëndë epidemiologjike në shtetet prej nga pritet të vijnë pjesa dërmuese e mërgimtarëve, shkalla e ulët e vaksinimit në Kosovë dhe shfaqja e variantit të ri të COVID-19.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që Qeveria i ka në dispozicion. Për këtë arsye, dhe vetëm për këtë arsye, kemi marrë masa kufizuese, edhe brenda vendit, edhe në pikat kufitare,” tha kryeministri Kurti.

E ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka prezantuar masat e reja, duke theksuar se maska mbetet obligative.

“Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve në institucionet publike dhe ato private, udhëtarët që shërbehen me transportin publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe të gastronomisë do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë; ndërsa kur është i pjesshëm, bashkë me dëshminë e shërimit apo rezultatin negativ të testit RT-PCR”, ka thënë ministri Latifi. 

Kurti e Latifi kanë kërkuar nda qytetarët që t’i respektojnë masat antikovid, nderkohë u kanë bërë thirrje edhe që të vaksinohen.

*

Këto janë masat e reja kundër Covid 19

Ministri Latifi prezantoi masat e reja, për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19:

– Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës, duhet  të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë;

– Kur personi është i vaksinuar vetëm me një dozë, krahas saj do të kërkohet testi RT-PCR negativ ose  dëshmia se personi ka kaluar Covid-19;

– Nga 03 janar 2022, për hyrje në Republikën e Kosovës do të vlej vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë;

– Për të inkurajuar vaksinimin dhe për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në vaksinim, në Aeroportin e Prishtinës, dhe në pikat kryesore kufitare tokësore do të vendosen ekipet mobile të vaksinimit;

– Tash qe ka filluar vaksinimi edhe i qytetarëve mbi 12 vjeç e tutje, nga kërkesa për të poseduar njërën nga dëshmitë e lartpërmendura, mes disa kategorive, do të lirohen personat nën 12 vjeç, personat me dëshmi mjekësore që kanë kundër indikacione shkencërisht të vërtetuara për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, si dhe disa kategori tjera;

– Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve në institucionet publike dhe ato private, udhëtarët që shërbehen me transportin publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe të gastronomisë do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë; ndërsa kur është i pjesshëm, bashkë me dëshminë e shërimit apo rezultatin negativ të testit RT-PCR. 

*

Në javën e dytë të dhjetorit mund të ndodhë takimi Kurti-Vuçiq

Në javën e dytë të dhjetorit është diskutuar mundësia që të ndodhë një takim mes tij e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media të dielën. Ai ka thënë se nuk ka informacion se ka kushtëzime nga dikush, derisa siç ka thënë, vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë, i përket ndërmjetësuesit të dialogut.
“Është diskutuar mundësia e një takimi të mundshëm në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel me presidentin e Serbisë. Nuk kam asnjë informacion se ka kushtëzime nga ndokush veç se vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë ose jo, i përket ndërmjetësuesit, Josep Borrell dhe emisarit të tij Lajçak”, tha Kurti.

Deri më tani, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kurti është takuar dy herë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i tyre i fundit u zhvillua më 19 korrik, por palët nuk arritën ndonjë rezultat konkret. Më herët, Bashkimi Evropian kishte thënë se synon të organizojë një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit para fundit të vitit.

*

Liderët kosovarë shprehin ngushëllime për vdekjen e senatorit Dole

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e senatorit Bob Dole.

Ajo në Twitter ka thënë se ai ishte një hero lufte, një politik i respektuar dhe mbështetës i lirisë në mbarë botën.

Ngushëllime familjes i ka shprehur edhe kryeministri Albin Kurti. Ai shkroi në rrjetin social Twitter se “vajtojmë dhe nderojmë një hero amerikan dhe një përkrahës të domosdoshëm të lirisë së Kosovës”.

Për vdekjen e senatorit Dole ka reaguar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Senatori Dole ishte një nga politikanët e parë që njohu luftën tonë për liri dhe e udhëzoi Kosovën drejt asaj që jemi sot”, ka shkruar ai.

Ndërkaq kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se senatori Dole ka trashëgimi historike në projektin kombëtar për çlirim dhe pavarësi.

“Kosova humbi një mik të madh. Senatori Dole ishte një mbështetës i shquar i lëvizjes sonë për liri, pavarësi dhe demokraci”, ka shkruar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ndërkaq Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka shkruar se shërbimi i senatorit Dole do të jetë frymëzim për gjeneratat e reja të amerikanëve dhe kosovarëve.

*

Kryeministri Kurti uron Ditën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë 

Me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Në këtë ditë të shënuar, kryeministri Kurti ka kujtuar dhe nderuar sakrificën, qëndresën, forcën dhe përkushtimin ndaj atdheut të brezave të ushtarëve e patriotëve.

Ai ka theksuar rolin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që përveçse në mbrojtje dhe siguri të Shqipërisë, shtrihet edhe përtej kufijve dhe i kontribuon edhe paqes në rajon dhe botë.

Në këto 109 vite, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, na falën nder e krenari të gjithë shqiptarëve, ka shkruar Kryeministri Kurti në letrën e urimit.

U gëzohemi sukseseve tuaja, sikurse edhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet forcave të dy vendeve tona, zhvillimit dhe avancimit të kapaciteteve ushtarake, në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë në vendet tona dhe në rajon, ka shkruar ai.

*

Ministri Mehaj falënderon shtetin dhe ushtrinë turke

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar. Siç bëhet e ditur nga Ministria e Mbrojtjes, ministri Mehaj me këtë rast e ka falënderuar ambasadorin Sakar për përkrahjen e përhershme që ka dhënë Turqia për Republikën e Kosovës. Përveç falënderimit për shtetin dhe ushtrinë turke, ministri Mehaj i ndau ambasadorit turk Sakar mirënjohjen për mbështetjen në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së përmes arsimimit, stërvitjeve si dhe donacioneve në vlerë prej 1,3 milionë dollarësh për vitin 2021.

Ministri Mehaj dhe ambasadori Sakar u pajtuan që intensifikimi i bashkëpunimit në nivel ndërshtetëror dhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së dy vendeve është interes i përbashkët, si dhe në funksion të sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë.

*

Promovohet libri për dijetarët shqiptarë të Perandorisë Osmane 

Nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë është promovuar libri "Dijetarët Shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912) sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Islam". Libri monografik me autorët Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra, paraqet jetën dhe veprën e rreth 200 dijetarëve shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë Veriore dhe Luginën e Preshevës. Kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava tha se vepra paraqet një ndër projektet më të rëndësishme të studimeve që ka realizuar BIK-u në dekadat e fundit.

“Kjo është vepra e parë në Kosovë dhe trojet shqiptare, në të cilën mbi bazën e dokumenteve osmane të kohës së patrajtuar më parë përfshihen dhe ndriçohen biografitë e 200 personaliteteve shqiptare të shquara të dijes që i kanë takuar elitës intelektuale të kohës dhe që kanë vepruar në dekadat e fundit të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të”, tha Tërnava.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se kjo vepër është me shumë vlerë për kulturën, trashëgiminë, historinë dhe arsimin shqiptar. Çeku tha se është tejet e rëndësishme të ketë prurje të tilla, ngase ato e zgjerojnë bazamentin e dijes dhe të horizonteve për ata që ngjizën procesin e ndërtimit dhe të ruajtjes së identitetit shqiptar.

“Hulumtimet e tilla që janë bërë me bazë në dokumentet osmane të kohës, të patrajtuara më parë për dijetarët shqiptarë në Perandorinë Osmane, shërbejnë si dëshmi për punën e shqiptarëve në shoqërinë e asaj kohe”, tha Çeku.

Ministri tha se libri paraqet një numër të madh asetesh kulturore si: xhami, fshatra, shkolla, vendbanime, të cilat për shkak të rrethanave shoqërore dhe politike sot nuk njihen në detaje ose edhe më keq, janë shkatërruar.

Pjesëmarrës, në promovimin e këtij libri kanë qenë edhe profesorë nga Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës, historianë, studentë e qytetarë të shumtë.



Lajme të ngjashme