Presidentja Osmani e Kryeministri Kurti me mesazhe për Festën e Flamurit

Ata uruan të gjithë shqiptarët për këtë ditë, duke u lutur për një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe Shqipërinë.

1740345
Presidentja Osmani e Kryeministri Kurti me mesazhe për Festën e Flamurit
Albin Kurti_Vjosa Osmani_Bayrak Günü mesajları.jpeg
Albin Kurti_Edi Rama_Elbasan 2021.jpg
Arnavutluk-Kosova ortak bakanlar kurulu toplantısı_Elbasan 2021.jpg
Bekim Jashari.jpg
Albin Kurti_Miroslav Lajçak.jpg
Kosova-da Balkan Edebiyat ve Yazarlık Akademisi başladı.jpg

Presidentja Osmani e Kryeministri Kurti me mesazhe për Festën e Flamurit

Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, Presidentja Vjosa Osmani së bashku me Kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin qeveritar kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz. E para e shtetit, tha se përveç simbolikes së shpalljes së Pavarësisë, dalja në skenë e UÇK-së dhe ditëlindja e Adem Jasharit i japin kuptim edhe më të madh 28 nëntorit.

“28 nëntori përvec simbolikës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dhe rëndësisë historike të ngritjes së flamurit, është edhe datë kur ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari, është edhe datë kur për herë të para ka dalë publikisht UCK-ja, dhe të gjitha këto i japin  kuptim edhe shumë më të madh festave të nëntorit”, tha Presidentja Osmani.

*

28 nëntori datë e identitetit kombëtar shqiptar, thotë Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se 28 nëntori është datë themelore e identitet kombëtar shqiptar. Për këtë, ai u zotua se po vazhdojnë punën e të parëve, në liri për të ngritur mirëqenien e qytetarëve.

“Prej Skenderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë, te Adem Jashari në Prekaz, dhe padyshim që kjo është një ditë e cila na mbush edhe me gëzim edhe me krenari, por edhe me përgjegjësi për arsye se detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve dhe qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë janë më të rëndësishme se sa kurrë më parë”, tha Kryeministri Kurti. 

*

Bekim Jashari: Falë sakrificës së Jasharajve e shumë dëshmorëve të tjerë, sot Kosova e gëzon lirinë

Për nder të 28 nëntorit, në përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe daljes në skenë të UÇK-së, edhe Bekim Jashari ka bërë homazhe në Kompleksin ku prehen trupat e më shumë se 50 anëtarëve të familjes Jashari.

“Falë tyre neve sot jemi të lirë e që kjo datë e ky muaj është muaj i sakrificës, muaj i lavdisë, muaj i kthesës së shqiptarëve për liri”, tha Jashari.

Ndërkohë krerët shtetërorë bën homazhe edhe te shtatorja e Ismajl Qemailit në Prishtinë.

*

Mbi 10 marrëveshje në mbledhjen e qeverive Kosovë-Shqipëri

Në mbledhjen e shtatë të dy qeverive të Kosovës e të Shqipërisë të mbajtur në Elbasan, të premten më 26 nëntor janë nënshkruar 13 marrëveshje. Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se me ato, po liberalizohet kufiri midis Kosovës e Shqipërisë. Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se liberalizimi po ndodhë për qytetarët, duke lehtësuar qarkullimin e qëndrimin, dhe, po shtohet bashkëpunimi ndër-institucional duke shkëmbyer informacionet e përvojat e duke bashkërenduar detyrat dhe aktivitetet.

Marrëveshjet sipas kryeministrit Kurti, mundësojnë:

-leje-qëndrim të përkohshëm 5 vjeçar,

-lehtësim në procedura doganore - vendosja e zyrës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit dhe Porto Romano,

-hapje e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) - Krushevë (Dragash),

- studim fizibiliteti për ndërtimin e hekurudhës Durrës–Prishtinë;

-kalendar i përbashkët kulturor vjetor;

-bashkëpunim për konservimin, restaurimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore

- njësim i diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore,

- ndihmë e ndërsjelltë juridike në çështjet civile dhe tregtare,

-përafrim të politikave bujqësore për heqjen e tarifave të kontrollit import-eksport;

-mbrojtje sociale për të moshuarit dhe fëmijët, dhe

-formalizim të Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.

*

Marrëveshje që kërkojnë zbatim, Rama e Kurti shprehen optimistë

Në takimin e dy qeverive në qytetin e Elbasanit, janë nënshkruar 13 marrëveshje. Marrëveshje mes Shqipërisë e Kosovës janë nënshkruar edhe në të kaluarën mes qeverive të kaluara, por shumica kanë mbatur vetëm në letër, pa zbatim në prektikë.

E kryeministri Rama u shpreh optimist, se këto marrëveshje do të zbatohen. “Nëse do të punojmë me këtë frymë që kemi punuar për të përgatitur këtë mbledhje, që ka qenë një frymë e drejtuar tek rezultati, në mbledhjen e ardhshme do të kemi rezultate shumë konkrete, që nuk do të jenë thjesht statistika, por do të jenë rezultate konkrete në ndërveprimin real mes njerëzve, sipërmarrjeve, mes grupeve të interesit, komuniteteve kulturore e të gjithëve me rradhë”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, Albin Kurti pranoi që në zbatimin e marrëveshjeve ndër vite mes Kosovës dhe Shqipërisë ka pasur ngecje, por kjo nuk i dekurajon në punën e tyre të përbashkët. Sipas Kurtit ato do të punojnë edhe më tej për të zbatuar dhe realizuar në mënyrë konkrete marrëveshjet.

“Progresi në numër i marrëveshjeve duhet të shoqërohet me cilësi në zbatimin e tyre, sepse janë sa me rëndësi ekonomike, aq edhe historike. Bashkëpunimin me njëri tjetrin nuk e kemi dëshirë e zgjedhje por obligim e detyrë sic e kemi përgjegjësi lartsimin e mbrojtjen e njëri tjetrit kudo e ndaj kujtdo”, ka thënë Kurti.

*

Rama e Kurti flasin për hipotezën e referendumit për bashkim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të premten, 26 nëntor,  në mbledhjen e qy qeverive Kosovë-Shqipëri, se nëse do të kishte referendum paqësor për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, ai do të votonte pro këtij procesi.

“Në hipotezë të një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do të votoja hapur, pro. Unë nuk di kur do të ndodhi si do të ndodhi, sot, por që kjo të ndodhi një ditë, unë them që po!”, ka thënë Rama.

Kryeministri Kurti, ndërkaq, ka thënë se referendumi nuk është diçka që mund të zgjedhin liderët e këtyre vendeve.

“Te cështja e bashkimit të shqiptarëve ai nuk është një gjësend të cilin e zgjedhim dhe përzgjedhim prandaj nuk mund të vendosemi ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra!”, ka deklaruar ai.

Gjatë një interviste për revistën britanike, Monocle, para disa ditësh, kryeministri Kurti ka deklaruar se nëse në të ardhmen do të organizohej një referendum paqësor dhe demokratik, ai do të votonte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

*

Kurti: S’ka “Ballkan të hapur” me Serbi të mbyllur 

Për “Ballkanin e Hapur” me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta ka diskutuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit të enjten e 25 nëntorit.

Kryeministri Kurti përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës, nuk ia njeh diplomat, dokumentet e identifikimit, certifikatat e vulat doganore.

Osmani: Kosova ka gatishmëri për dialog me Serbinë

Gjatë takimit me presidentin Meta, Osmani foli edhe rreth dialogut që Kosova po zhvillon me Serbinë.

Sipas Osmanit, Kosova ka dëshmuar gatishmëri për vazhdimin dialogut, por nuk do të jetë pjesë e asnjë aranzhmani, i cili nuk e garanton sovranitetin, integritetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se së bashku me Shqipërinë duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe në botë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë.

*

Lajçak thotë se ka hapësirë për progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak tha më 25 nëntor se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, derisa theksoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë Bashkimin Evropian.

Ai tha se gjatë vizitës në Kosovë ka diskutuar për një takim të mundshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që BE-ja shpreson se do të mbahet para fundit të vitit.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, Lajçak tha se nuk është i rëndësishëm vetëm caktimi i takimit, por edhe rezultati.

"Nuk është në pyetje takimi, sepse liderët janë takuar dy herë, por siç e dini nuk ka pasur rezultate pozitive. Kësaj here, ambiciet tona janë ndryshe dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe për t’u pajtuar se cili do të jetë rezultati", tha Lajçak.

Ai shtoi se palët kanë shprehur vullnet të mirë për procesin e dialogut.

*

Lajcak takohet me Osmanin 

Lajçak ka qëndruar për vizitë njëditëshe në Prishtinë me ç’rast u takua edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë takimit me Osmanin, Lajçak tha se ka nevojë për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Në anën tjetër, presidentja Osmani deklaroi që Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialogun me Serbinë. Sipas saj, suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por edhe rajonin.

Megjithatë sipas Osmanit epilogu i dialogut do të duhej të ishte njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në njoftimin e presidencës kosovare.

*

Kosovë, fillon "Akademia e Letërsisë dhe Shkrimtarisë Ballkanike"

Në bashkëpunim të Unionit të Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) dhe Unionit të të Diplomuarve të Kosovës në Turqi (TÜMEB) në Kosovë ka illuar më 27 nëntor "Akademia e Letërsisë dhe Shkrimtarisë Ballkanike". Në akademinë që mbahet në qytetin e Prizrenit, marrin pjesë 45 të rinj komunikues nga Kosova, Bullgaria, Maqedonia Veriore, Greqia, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Akademia e Letërsisë dhe Shkrimtarisë do të ofrojë kontribut për rritjen e aftësisë së mendimit, leximit dhe shkrimit në gjuhën turke në Ballkan dhe forcimin e fushës letrare dhe akademike të turqishtes jashtë vendit. Të rinjtë komunikues dhe shkrimtarë pjesëmarrës në akademi do të marrin trajnime 5 ditë për zhvillimin e aftësive e të shprehurit me shkrim, shkrimtarinë krijuese, të menduarit dhe shkrimin dygjuhësh, letërsi për fëmijë në Turqi dhe mbarë botën si dhe në shumë tema të tjera. Në fund të trajnimit që do zgjas deri më 02 dhjetor, për pjesëmarrësit do të shpërndahen certifikata.



Lajme të ngjashme