Në Shqipëri shënohet Dita e Flamurit dhe Pavarësisë

Ceremonia me rastin e 109-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është mbajtur në qytetin e Vlorës me pjesëmarrjen e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

1739812
Në Shqipëri shënohet Dita e Flamurit dhe Pavarësisë

Me aktivitete të ndryshme në Shqipëri është shënuar sot Dita Flamurit dhe e Pavarësisë, ndërkohë ceremonia qendrore është mbajtur në qytetin e Vlorës.

Ceremonia me rastin e 109-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është mbajtur në qytetin e Vlorës me pjesëmarrjen e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në Sheshin e Flamurit në Vlorë zyrtarët e lartë kanë marrë pjesë në ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit, ndërsa aktivitete janë organizuar edhe në qytete të tjera të vendit.

Në një prononcim për mediat pas ceremoninë në Vlorë, Presidenti Meta tha se "Sot kemi vetëm mesazhe bashkimi, kudo për të gjithë shqiptarët, sepse ky është flamuri i të gjithë shqiptarëve".

"Është një frymëzim për t’u bashkuar dhe për të reflektuar, në mënyrë që Shqipëria të jetë vërtetë zonjë dhe të ketë vendin që meriton prej kohësh në Bashkimin Evropian", u shpreh Meta.

Në kuadër të aktiviteteve për 28 Nëntorin, është mbajtur edhe ceremonia e fillimit të punimeve për aeroportin e Vlorës, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama dhe zyrtarëve të tjerë.

"Gëzuar të gjithëve festën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë, të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, në Shqipëri, në Kosovë, në të gjitha territoret, ku shqiptarët banojnë në këtë rajon dhe në gjithë botën", u shpreh Rama në këtë ceremoni.

Duke folur për projektin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, Rama tha se "Ky aeroport bëhet porta e tretë, ndër katër porta nga qielli që duam të hapim për Shqipërinë, pas atij të Tiranës, atij të Kukësit dhe përpara se të nisë puna për portën e katërt, aeroporti sezonal i Sarandës. Kam shumë dëshirë të besoj që gjithë ky shi dhe gjithë kjo furtunë që po shoqëron nisjen e këtij projekti, më në fund këtu në kantier, paralajmëron bereqet për Vlorën e të nesërmes. E besoj me të gjithë forcën e mendjes e të zemrës, ky aeroport është një vepër historike, jo për Vlorën, por për Shqipërinë dhe për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët".(Anadolu Agency - AA)



Lajme të ngjashme