Në Shkodër çelet ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane”

“Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane” titullohet ekspozita e çelur para pak ditëve në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.

1737501
Në Shkodër çelet ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane”

“Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane” në Shkodër

“Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane” titullohet ekspozita e çelur para pak ditëve në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Në çeljen e ekspozitës ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë,  Elva Margariti, zv/kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Dr. Mahmut Çevik, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, drejtori i Muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni, drejtori i institutit turk “Yunus Emre” Shkodër, Zafer Kıyıcı si dhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Margariti shprehet se “gjithnjë e kishim lidhur Marubin me Italinë, vendin e origjinës, por tashmë do të duhet ta lidhim me një hapësirë shumë më të madhe se kaq”….

Krahas projekteve të përbashkëta për restaurimin dhe rijetëzimin e trashëgimisë kulturore, shprehet ministrja, ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane” përbën një prej momenteve më të rëndësishme të bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë.

Ministrja Margariti gjatë fjalës së saj tha se është hera e parë që do të ekspozohen koleksionet e fotografëve të Periudhës Osmane në arkivën e Sulltan Abdyl Hamitit të Dytë në Stamboll.

"Prezenca e TIKA-s që ka qenë një partner i vazhdueshëm për ne në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, vjen kësaj radhe si një partner akoma edhe më i veçantë, sepse ka bërë të mundur falë edhe bashkëpunimit të mirë që kemi pasur me Ambasadën e Turqisë që gjithmonë ka mbështetur relatat e mira midis dy shteteve, sjelljen e kësaj ekspozite, sidomos të këtij katalogu si një vlerë e shtuar e të gjithë raportit që ne kemi pasur ndër shekuj dhe tashmë i mirë përcaktuar edhe në një hapësirë që lidhet ngushtësisht me artin, kulturën, por ngushtësisht edhe me memorien", u shpreh Margariti.

 

Ambasadori Yöruk tha se Shqipëria dhe shqiptarët zënë një vend të veçantë në zemrën e kombit turk, duke shtuar se: "marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira që gëzojmë sot, marrin forcë nga historia e përbashkët, kultura dhe lidhjet rrënjësore mes popujve tanë. Miqësia mes turqve dhe shqiptarëve e lindur afërisht 6 shekuj më parë, aktualisht vazhdon të ndikojë pozitivisht të sotmen tonë".

"Viti 2021 përmban një rëndësi të veçantë përsa i përket marrëdhënieve tona dypalëshe. Gjatë vizitës së fundit zyrtare të kryeministrit Rama në janar 2021, marrëdhëniet tona dypalëshe u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik", tha ai.

Ambasadori turk tha se Sulltan Abdyl Hamiti i Dytë ka mbështetur fotografë të rajoneve të ndryshme të Shtetit Osman, duke shtuar se Shteti Osman ka mbështetur degë të ndryshme të artit dhe ka ofruar stimuj të ndryshëm për artistët. Sipas tij, fotografitë e ekspozitës hedhin dritë mbi pikët e përbashkëta të jetës së njerëzve.

Ndërsa, Dr. Mahmut Çevik theksoi se me kontributin e TIKA-s në Shqipëri nuk synojnë vetëm ngritjen nga ana ekonomike, por gjithashtu edhe nga ana kulturore dhe artistike.

"Me të gjithë mbështetjen tonë ekonomike dhe shpirtërore synojmë fuqizimin e të gjithë elementëve kulturore. Në këtë gjeografi, në këtë territor kemi bashkëjetuar për një kohë shumë të gjatë dhe gjatë kësaj periudhe kemi kultivuar poetë, muzikantë dhe artistët tanë të përbashkët. Në mbështetjen e kësaj ekspozite, me kontributin e çmuar dhe të pakursyer në hapjen e kësaj ekspozite nuk patëm asnjëherë asnjë ngurrim", tha Çevik. Ai tha se janë të gatshëm të bashkëpunojmë sërish për të rikthyer kujtesën e bashkëjetesës dhe të kulturës së përbashkët.

Drejtori i Muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni tha se pas pothuajse gjashtë muajsh përpjekje intensive dhe pune të madhe ia arritën më në fund që të ekspozojmë njëherësh Pietro Marubbin me fotografët më të rëndësishëm të historisë botërore të fotografisë…

“Kam një falënderim shumë të përzemërt për ambasadorin turk Yöruk me të cilin kemi bashkëpunuar ngushtësisht për të bërë të mundur realizimin e kësaj ekspozite, falënderoj ministren për prezencën dhe zv/presidentin e TIKA-s që patjetër është një suport shumë i rëndësishëm, duke qenë se pjesë e kësaj ekspozite është edhe një libër me krijimtarinë e të gjithë këtyre fotografeve”, tha Bedeni.

Ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Periudhës Osmane" organizohet nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi" i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, TIKA-n dhe Ambasada e Turqisë në Tiranë.Ekspozita përfshin foto me tematika të ndryshme të disa fotografëve si Pietro Marubbi, Vëllezërit Abdullahyan, Pascal Sébah, Vasilikis Kargopoulos, Félix Bonfils, Guillaume Berggren, Nikolas Andriomeno, Bogos Tarkulyan dhe të tjerë.

Renditja e Pietro Marubbi-t përkrah disave prej emrave më të njohur të historisë së fotografisë botërore dëshmon edhe njëherë rëndësinë e kësaj studioje fotografike, imazhet e së cilës ishin ndër të parat që ia prezantuan Shqipërinë botës.

Në kuadër të ekspozitës, me ndihmën e TIKA-s është botuar edhe një libër me titull "Fotografët në Periudhën Osmane nga Stambolli në Shkodër".

Ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane” do të qëndroj e hapur për vizitorët deri më 5 dhjetor te këtij viti.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme