Escobar kërkon progres në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë

Seri para fundit të këtij viti, pritet të ketë një takim në nivel të lartë politik për dialogun, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

1737114
Escobar kërkon progres në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë

Escobar, kërkon progres në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka biseduar të premten më 19 nëntor, me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, zt. Gabriel Eskobar.

Eskobar shfaqi interesimin e tij për programin e qeverisë në shumë fusha me ç‘rast Kryeministri e njoftoi atë me progresin e shënuar në menaxhimin e mirë të pandemisë dhe vaksinimin e suksesshëm të popullsisë. Po ashtu e njoftoi për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi si dhe për stabilitetin institucional e legjitimitetin demokratik.

Sipas komunikatës nga zyra e kryeministrit, Eskobar theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e ShBA-ve që Kosova dhe rajoni të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në lidhje me dialogun në Bruksel, ai shprehu mbështetjen e tij dhe përkushtimin që të ketë progres në këtë drejtim.

Kryeministri e falënderoi z. Eskobar për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe e siguroi për përkushtimin e Kosovës për dialog parimor, ku në qendër është njohja e nndërsjellë.

Kryeministri Kurti po ashtu theksoi rëndësinë që në Serbi, por edhe në rajon, të ketë ballafaqim me të kaluarën si dhe balancë e simetri në trajtimin e pakicave.

Në mbyllje të bisedës, duke theksuar se pret që së shpejti të vizitojë Kosovën, Eskobar shprehu urimet më të mira për Kryeministrin dhe popullin e Kosovës. Kryeministri falënderoi Eskobarin për rolin dhe angazhimin e tij në Kosovë dhe rajon duke i uruar sukses në punën e tij dhe duke i ofruar bashkëpunimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

*

Deputetët diskutuan refuzimin e Qeverisë në projektin për infrastrukturën e gazit

Në seancën plenare të Kuvendit është diskutuar mospërkrahja e Qeverisë së Kosovës për projektin për ndërtimin infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti që ka bërë kërkesë që të mbahet diskutimi i kësaj çështje, tha se mungesa e stabilitetit të energjisë elektrike në Kosovë, furnizimi i pasigurt jo vetëm që shkakton probleme të natyrës bazike për jetë por edhe pengon zhvillimin ekonomik.

Haradinaj tha se Qeveria pas refuzimit të ndërtimit infrastrukturës së gazit në Kosovë të financuar nga korporata amerikane MCC, ka vënë në rrezik marrëdhëniet Kosovë-SHBA dhe do të duhej të njoftonte popullin me një opsion tjetër më të mirë se ky.

Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi tha se refuzimi i Qeverisë së Kosovës për këtë projekt po synohet të deformohet nga opozita dhe të paraqitet si “prishje e marrëdhënieve me SHBA-në”.

Abazi tha se asnjë zyrtar i vetëm i SHBA-së në asnjë moment nuk e ka cilësuar çështjen e refuzimit të këtij projekti të gazit si problematik.

Në pakon e aprovuar nga republikanët dhe demokratët që është mbi 1.3 trilionë dollarë 550 miliardë dollarë janë dedikuar për adresimin e ndryshimeve klimatike dhe nga ato, 350 miliardë për individë dhe biznese që kalojnë në energjinë e pastër të ripërtërishme. Kjo është pakoja e SHBA-së, nuk është aty as gazi as qymyri”, theksoi Abazi, i cili akuzoi Haradinajn se ngritja e kësaj çështjeje nga ai po bëhet për shkak të interesave personale.

*

KFOR-i turk rinovon sallën sportive të një shkolle në Ferizaj

Kryesia e delegacionit turk që është me detyrë në kuadër të Misionit të Forcave Paqësore të Kosovës (KFOR) ka bërë riparimin e sallës sportive të Gjimnazit "Kuvendi i Arbërit" në Ferizaj.

Në ceremoni morën pjesë ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, kryetari i Komunës së Ferizajit, Agim Aliu, kryetari i delegacionit turk në misionin e forcave paqeruajtëse (KFOR) në Kosovë, Fatih Cansız, etj.

Ambasadori Sakar tha se Turqia do të vazhdojë të bëjë përpjekjet e nevojshme për zhvillimin dhe forcimin e Kosovës mike dhe vëllazërore në çdo fushë.

Kryetari i Komunës së Ferizajit, Aliu duke falënderuar Turqinë për mbështetjen në çdo fushë tha: "Faleminderit shumë zotëri ambasador, përmes jush po besoj se jemi duke falënderuar të gjitha autoritetet e Republikës së Turqisë të cilët në momentet më të dhimbshme për qytetin tonë por edhe për Republikën e Kosovës ju keni gjetur afër gjithë familjarëve të cilit ishin në nevojë në ditët më të vështira të tyre".

Në kuadër të projektit salla u rinovua, u furnizua me pajisje sportive, u ndryshuan xhamat dhe dritaret si dhe është lyer pjesa e brendshme e sallës.

*

Rifat Latifi emërohet ministër i Shëndetësisë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar të martën më 16 nëntor, Rifat Latifin, ministër të Shëndetësisë.

Rifat Latifi ka ushtruar profesionin e mjekut në Shtetet e Bashkuara.

Ministri Latifi në një konferencë me kryeministrin Kurti, tha se do të angazhohen që të ngriten standardet mjekësore, edukimi, trajnimi dhe specializimi për punëtorët shëndetësorë.

“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore, do të investojmë në rritjen e kualitetit të shërbimeve. Shërbimet do të krijojnë të ardhura, me të ardhurat e shërbimeve ne investojmë sërish në kualitet. Kur të ofrojmë shërbimet e ndryshme dhe ngritje profesionale të rinjve, mjekëve, infermierëve do ta ndërpresim largimin e trurit shkencor dhe mjekësor në vendet e rajonit e më gjerë”, tha Latifi.

Latifi ka përfunduar studimet në Universitetin të Prishtinës, ndërkaq specializimet i ka përfunduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kirurgu, Rifat Latifi, vjen në këtë pozitë pas dorëheqjes së Arben Vitisë, i cili garoi pa sukses për kryetar të Prishtinës.

*

Ministri i Brendshëm Sveçla priti në takim homologun nga Shqipëria, Bledi Çuçi

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim Ministrin e Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, Bledar Çuçi, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin mes dy ministrive, me theks të veçantë për thellimin e bashkëpunimit policorë.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB), të dy ministrat vlerësuan lartë bashkëpunimin e ndërsjellë.

“Bashkëpunimi ynë, përveç raporteve miqësore, vë theksin e koordinimit dhe bashkëpunimit në luftimin e krimit ndërkufitarë, trafikimit, krimit të organizuar e migrimit të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në këtë takim u diskutua edhe mbi zbatueshmërinë e marrëveshjeve që janë nënshkruar deri më tani si dhe për marrëveshjet që pritet të nënshkruhen ditëve në vijim.

Të dy ministrat u shprehën të gatshëm që të mbështesin njëri tjetrin në iniciativa që kanë për qëllim krijimin e një ambienti sa më të qetë dhe të sigurt për qytetarët e dy vendeve.

*

Emërohet Ambasadori i ri amerikan në Kosovë

Jeffrey Hovenier do të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Emërimi i tij u konfirmua nga Senati amerikan.

Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Muajin e kaluar, para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Hovenier ka thënë se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.

Ai po ashtu ka thënë se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Për ta marrë detyrën ka qenë i nevojshëm konfirmimi i Senatit.

Hovenier do ta zëvendësojë në këtë pozitë ambasadorin e deritanishëm amerikan, Philip Kosnett, mandati i të cilit përfundon në fund të vitit.

Kosnett është larguar nga Kosova pak muaj më parë, ndërsa në detyrë ka mbetur zëvendësi i tij, Nick Giacobbe.

*

Largohen nga Kosova drejt SHBA-së 54 shtetas afganë

Pesëdhjetë e katër shtetas afganë të cilët po qëndronin përkohësisht në Kosovë që nga fillimi i muajit shtator të këtij viti janë larguar të enjten nga vendi.

Sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), 54 shtetasit afganë u larguan drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Patëm kënaqësi që t’i mirëpritnim këtu dhe t’u tregonim mikpritjen e vendit tonë. Po punojmë pandërprerë me partneren tonë, Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, që mysafirët nga kampi Liya të mund të largohen nga Kosova dhe t’ia fillojnë jetës së re. U urojmë gjithë të mirat dhe shpresojmë të dëgjohemi sërish me ta”, thuhet në njoftim.

Ky është largimi i grupit të dytë për këtë muaj i shtetasve afganë, pas atij prej 100 personash që fluturuan drejt SHBA-së më 5 nëntor.



Lajme të ngjashme