Rriten çmimet në Kosovë

Çmimet e shumë produkteve në Kosovë vërehen të ngritura nga syri i qytetarëve, gjë që e ka konfirmuar zyrtarisht edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

1724662
Rriten çmimet në Kosovë
Kosova_fiyat artışı.jpg
Albin Kurti_Mahmut Özer.jpg
Kosova Cumhurbaşkanı_Vjosa Osmani.jpg
Kosova hava durumu.jpg
Kosovalı boksörler Sırbistan kapısında.jpg
Mahmut Özer Prizren-de.jpg

Rriten çmimet në Kosovë

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4,9 për qind. Agjencia thotë se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

Sipas raportit të publikuar, çmimet për bukë dhe drithëra janë rritur me 1,5 për qind, mish me 2 për qind, qumësht, djathë e vezë me 8 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28 për qind, perime me 20 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2 për qind, pijet alkoolike me 4 për qind, duhan me 3 për qind, gaz me 11 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 5 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 27 për qind, shërbime për transport me 2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20 për qind, pushime të organizuara turistike me 9 për qind, shërbime hoteliere me 2 dhe shërbime financiare me 6 për qind.

Sipas ASK-së, një litër vaj ushqimor në muajin shtator 2020 kushtonte 1,06 euro, ndërsa një vit më vonë ky produkt shitet për 1,55 euro. Orizi Brenda një vitit është shtrenjtuar për 06 cent, kurse 30 copë vezë vitin e kaluar janë shitur me afro 2 euro, e sivjet me mbi 2,6 euro.

*

Kryeministri Kurti dhe ministri i Arsimit i Turqisë, Ozer bisedojnë për bashkëpunim në fushën e arsimit

Ministri i Arsimit i Turqisë, Mahmut Özer, gjatë vizitës në Kosovë, është pritur në takim zyrtar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, bashkëpunimi në arsim dhe aftësim profesional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë ishin tema e takimit.

Kryeministri Kurti falënderoi ministrin Özer për përkrahjen e dhënë nga shteti turk për Kosovën, e veçanërisht mbështetjen në projekte të arsimit, si burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës.

Kurti vuri theksin te objektivi i Qeverisë për të bërë ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, si dhe për synimin për të kthyer vëmendjen e punës kah dija dhe arsimi, kah hulumtimi e inovacioni.

Kryeministri Kurti potencoi gjithashtu zotimin e Qeverisë për mundësi të barabarta dhe gjithëpërfshirje në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, drejt zvogëlimit të hendekut në arritjet arsimore të komuniteteve dhe personave me nevoja të veçanta.

Ndërkaq, ministri Özer theksoi gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për arsimin në Kosovë në çfarëdo forme.

Duke shprehur kënaqësinë që vizita e parë e tij si ministër jashtë vendit po realizohet në Kosovë, sipas komunikatës, Özer u shpreh i lumtur me stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë, si dhe bashkëjetesën mes komuniteteve, që përfshinë edhe qytetarët turq.

Më herët Özer ka pasur takim të veçantë me homologen kosovare Arbërie Nagavci në ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të cilët pas takimit kanë vizituar edhe shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë.

*

Ministri Ozer vizitoi Prizrenin dhe Mamushën 

Ministri turk i Arsimit, Mahmur Özer ka zhvilluar takime edhe në Prizren dhe Mamushë.

Özer vizitoi shkollën fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren, ku arsimi zhvillohet në gjuhët shqipe, turke dhe boshnjake, dhe realizoi bisedë me mësimdhënësit.

Özer dhe delegacioni i tij u dhuruan çanta fëmijëve në shkollë.

Ministri Özer ka zhvilluar një vizitë edhe në Komunën e Mamushës.

Özer, i cili e vizitoi shkollën fillore "Anadolu" në Mamushë tha se shkolla ku gjenden është shenjë e pranisë turke në Mamushë dhe se ndihet i lumtur nga kjo.

Sipas tij, prania e turqve në këtë vend përbën bazën e urave të miqësisë dhe solidaritetit midis dy vendeve.

Ministri kosovar Fikrim Damka falënderoi për mbështetjen e Turqisë dhënë Kosovës.

Pas fjalimeve, ministri turk Özer bisedoi me nxënësit dhe mësuesit ndërsa u dhuroi çanta nxënësve.

*

Presidentja Osmani shpreh mospajtime me raportin e KE-së për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media të mbajtur në Presidencë, ka folur rreth Raportit të Progresit 2021 për Kosovën të Komisionit Evropian (KE). Presidentja Osmani shprehu disa mospajtime me ato që u publikuan në raport sa i përket sundimit të ligjit në vend, konkretisht Procesit të Vetingut, rendin dhe ligjin, duke përfshirë veriun e Kosovës.

Sa i përket Vetingut, Komisioni Europian konstatoi se rivlerësimi i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz, por me këtë nuk pajtohet presidentja Osmani.

“Si presidente e vendit nuk pajtohem fare me këtë konstatim. Në fakt mungesa e Vetingut do të ishte shqetësim serioz e jo përmbushja e këtij procesi”, tha Osmani në konferencë, e cila tha se Vetingu jo vetëm që është i rëndësishëm, por edhe i domosdoshëm, ngase është kërkuar edhe vetë nga Bashkimi Evropian (BE).

Duke folur rreth sundimit të ligjit në komunat veriore ku ka shumicë të qytetarëve të etnitetit serb, Osmani tha se KE edhe këtë vit sikurse vitet e kaluara konsideron se situata në këto komuna është sfiduese sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe situata paraqet sfidë për agjencitë ligj-zbatuese në Kosovë.

Osmani kërkoi nga zyrtarët e BE-së t’u qëndrojnë besnik deklaratave në mënyrë që kur institucionet e Kosovës luftojnë krimin, korrupsionin, kontrabandën në çdo cep në veri, ta kenë "përkrahjen dhe jo kundërshtimin e tyre".

*

Serbia ua ndalon hyrjen boksierëve nga Kosova 

Delegacionit të përfaqësueses së Kosovës në boks, i është ndaluar hyrja në territorin e Serbisë për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, në kategorinë e meshkujve, që zhvillohet në kryeqytetin serb nga 24 tetori deri më 6 nëntor.

Sipas Federatës së Boksit të Kosovës, të dielën, më 24 tetor, autoritetet kufitare serbe, në pikë-kalimin kufitar në Merdare, ua ndaluan përsëri hyrjen e përfaqësuesve të Kosovës në territorin e Serbisë.

Nga zyrtarët kufitarë, iu është thënë se kjo po bëhet me urdhër të Qeverisë së Serbisë, pasi Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe simbolet e saj.

Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga pesë anëtarë, tre boksierë, selektori dhe sekretari i Federatës së Boksit, tentuan dy herë gjatë të shtunës të shkonin në Serbi, por u ndaluan për shkak se ata kishin fanella me simbole shtetërore si dhe dokumente të Kosovës.

Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA) deklaroi të shtunën se Kosova duhet të trajtohet njësoj si të gjitha shtetet tjera, duke thënë se po punon që të mundësohet pjesëmarrja e sportistëve nga Kosova.

Federata e Boksit e Kosovës që nga viti 2014 është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit.

*

Kosova e para në rajon me vaksinim

Sipas të dhënave të Worldindata, të përditësuara deri në datën 21 tetor, Kosova, që ishte e fundit që nisi procesin e vaksinimit në rajon, arriti brenda një kohe të shkurtër të vaksinojë 47% të popullsisë. Prej tyre 38% janë vaksinuar me të dyja dozat. Ditët e fundit Kosova, e cila mori ndërkohë dhe disa masa kufizuese, nuk ka raportuar humbje jete nga Covid-19.

Sa i përket krahasimit me rajonin, në Shqipëri 34% e popullsisë e ka marrë të paktën një doze, e 30% i ka marrë të dyja dozat.

Më keq se Shqipëria është vetëm Bosnja me 23% të popullsisë që ka marrë të paktën një doze, e 16% të dyja dozat.

Maqedonia Veriore, që e nisi procesin e vaksinimit para Shqipërisë, i ka dhënë të paktën një dozë 38% të popullsisë e 37% të dyja.

Serbia, që në pjesën e parë të vitit ishte ndër shtetet e para të Europës me vaksinim, tani ka të vaksinuar 44% të popullsisë.

Shteti më i vaksinuar në Europë është Portugalia (88%) i ndjekur nga Malta (83%), Spanja (81%), Italia (77%).

*

Moti gjatë kësaj jave në Kosovë 

Gjatë kësaj jave do të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell në Kosovë, ka bërë të ditur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK). Për shkak të rënieve të temperaturave minimale, të hënën dhe të martën në mëngjes do të krijohet mjegull dhe ngrica.

Minimalet do të lëvizin ndërmjet -2 deri në 3 gradë Celsius, derisa ato maksimalet ndërmjet 12-16 gradë.

“Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-11 m/s. Kushtet bio-meteorologjike dhe agrometeorologjike do të jenë relativisht të mira për shkak të aktivitetit të këtyre elementeve dhe dukurive meteorologjike”, ka njoftuar Instituti.



Lajme të ngjashme