Shqipëri-Turqi, thellim i bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi priti para pak ditëve në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük.

1722743
Shqipëri-Turqi, thellim i bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe sportit
Evish Kushi_Murat Ahmet Yörük_1.jpg
Evish Kushi_Murat Ahmet Yörük_3.jpg
RTÜK_Orhan Karadaş_Mehdi Gurra.jpg
RTÜK_Orhan Karadaş_Zafer Kıyıcı.jpg
Tiran Maratonu_2.jpg
Tiran Maratonu_3.jpg
Yunus Emre_Tiran_fotoğrafçılık kursu_1.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (42/2021)

-Shqipëri-Turqi, thellim i bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe sportit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi priti para pak ditëve në takim Ambasadorin e Republ­ikës së Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük.

Gjatë takimit Kushi dhe ambasadori Yörük biseduan për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit në fushën e arsimit mes dy vendeve.

Gjithmonë kënaqësi të takohesh me Murat Ahmet Yörük, Ambasador i Republikës së Turqisë në Shqipëri, me të cilin nënvizuam marrëdhë­niet e konsoliduara mes dy vendeve tona në shumë fusha”, tha Kushi.

Ministrja Kushi u shpreh se, ”Në takim theksuam hapat që duhet të ndjekim në vijim për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit në fushën e arsimit mes Shqipëri­së dhe Turqisë, si dhe dakordësuam për thellimin e mëtejshëm të nismave e projekteve të përbashkëta”, tha Kushi.

***

-Sekretariat i përbashkët për zbatimin e marrëveshjeve midis Shqipërisë dhe Kosovës

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka mirëpriti në Tiranë zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, Xhaçka u shpreh se, “...Biseduam sot për përmbushjen e detyrave të lëna nga takimi i dy kryeministrave Rama dhe Kurti në Prishtinë më 27 shtator, si dhe për mbledhjet e përbashkëta qeveritare të deritanishme...”.

Ngritja e një Sekretariati të përbashkët është kyç për realizimin e marrëveshjeve, tha Xhaçka, e cila shtoi se, përparësi është anëtarësimi i Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare.

“...Ngritja e një Sekretariati të përbashkët si një strukturë operative do të jetë një mekanizëm efikas për ndjekjen dhe realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri tani dhe të atyre që me gjasë do të nënshkruhen nga tani e tutje.

U angazhuam për zbatimin e plotë të marrëveshjes mes dy ministrive të Jashtme mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme nëpërmjet harmonizimit të veprimeve dhe aksioneve të diplomacisë për arritjen e objektivave strategjikë kombëtarë, ku përparësi mbetet anëtarësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe në organizatat ndërkombëtare...”.

Xhaçka theksoi se, “...Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në krahun e Kosovës, mbështetja më e fortë dhe avokatja më e pa kompromis e Kosovës. Për ne Kosova, e ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e Shqipërisë janë të lidhura ngushtë dhe ne do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria mund të bëjë për të avancuar interesat e Kosovës...”.

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz në fjalën e saj gjatë konferencës së përbashkët për mediat me ministren Xhaçka, theksoi se, “...Jemi takuar disa herë në forume të ndryshme ndërkombëtare. Bisedat tona kanë qenë të shkëlqyeshme, kanë qenë biseda përmbajtësore, të cilat kanë vetëm një synim, thellimin e marrëdhënieve tona bilaterale dhe proceset rajonale dhe ndërkombëtare, të cilat Kosovën, por edhe Shqipërinë dhe gjithë rajonin mund ta vendosin në një dritë shumë më pozitive se ç’është parë deri më tani”, tha Gërvalla.

***

-Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Radios dhe Televizionit të Turqisë (RTÜK) viziton institucionet shqiptare dhe turke

Në ambientet e Fondacionit ALSAR është pritur për një vizitë nënkryetari i RTÜK-së, Këshillit të Lartë të Radios dhe Televizionit të Turqisë, Orhan Karadaş.

Nën shoqërinë e pjesëtarëve të tjerë të një delegacioni, të ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në një konferencë të AMA-s, Autoritetit të Mediave Audiovizive, ai u prit nga kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra.

Në bisedën e ngrohtë që e shoqëroi vizitën, miqve nga Turqia iu bë i njohur aktiviteti i gjerë i Fondacionit ALSAR, veprimtaria e tij humanitare, arsimore dhe kulturore në dobi të shoqërisë shqiptare.

Nënkryetari i RTÜK-së u njoh dhe me kontributin e Fondacionit ALSAR për forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke, me përpjekjet në shfrytëzimin e mundësive për çuarjen më tej të tyre.

Karadaş i shprehu mirënjohjen z. Gurra për pritjen miqësore dhe e falënderoi për tërë aktivitetin e Fondacionit ALSAR.

Po ashtu, nënkryetari i RTÜK-së, Këshillit të Lartë të Radios dhe Televizionit të Turqisë, Orhan Karadaş. dhe delegacioni shoqërues, vizituan edhe institutin turk në Shkodër, “Yunus Emre”, të cilët u pritën nga drejtori, Zafer Kiyici.

Zyrtari turk dhe shoqëruesit e tij e mbyllën vizitën me përshtypjet më të mira.

***

-Instituti turk "Yunus Emre" organizon kurs rreth fotografisë

Në Tiranë ka filluar kursi rreth fotografisë që organizohet nga instituti "Yunus Emre"  për disa javë me radhë.

Kursi në fjalë ka filluar të martën në ambientet e institutit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institutit dhe kursantëve, ndërkohë pjesë e tij do të jenë disa tema rreth fotografisë.

Joana Ruçi, përgjegjëse për aktivitetet kulturore në institutin "Yunus Emre" në Tiranë tha se ka pasur një interes shumë të madh për kursin e fotografisë.

"...Instituti ‘Yunus Emre’ në kuadër të aktiviteteve të tij sociale dhe kulturore ka vendosur që të organizojë dhe kursin e fotografisë. Vlen për t’u theksuar që kemi pasur shumë aplikime dhe janë përzgjedhur ata më të mirët. Kursi i fotografisë ka një profesor shumë profesionist, Prof. Asoc. Albes Fusha, i cili është njëkohësisht edhe profesori i fotografisë pranë Universitetit të Artave në Tiranë...", tha Ruçi.

Sipas saj, për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit ka një numër të kufizuar të pjesëmarrësve.

"...Duke respektuar edhe masat për parandalimin e COVID-19 kemi një numër të kufizuar diku 13 studentë dhe persona që punojnë në fusha të ndryshme që janë të interesuar për fotografinë, që janë përzgjedhur për të qenë pjesë e kursit pranë Institutit ‘Ynus Emre Tiranë...’", u shpreh Ruçi.

Në këtë kurs që realizohet në bashkëpunim me Shoqatën e Diplomuarve në Turqi të Shqipërisë (TUMED) do të merren njohuri të gjera rreth fotografisë, ndërsa do të zgjasë 10 javë.

Kursi do të jetë i ndërthurur mes teorisë dhe praktikës dhe ka për qëllim kryesor mësimin e teknikave bazë të fotografimit në llojet kryesore të fotografisë, si dhe njohjen me teknologjinë dhe programet bazë të editimi të fotografive.

***

-Në Tiranë u zhvillua maratona ndërkombëtare 

Në kryeqytetin shqiptar është mbajtur edicioni i pestë i Maratonës së Tiranës, ku morën pjesë rreth 2.500 garues në disa kategori, prej të cilëve 1.000 ishin nga shtete të ndryshme të botës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në hapje të maratonës tha se sot vrapohet edhe për kauza të rëndësishme, sipas tij për të treguar që "jemi një vend i hapur dhe një qytet i hapur".

"Faleminderit që keni mbushur Tiranën plot me gëzim, falënderoj sidomos ata 1.000 vetë që kanë ardhur nga 35 shtete të ndryshme, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Presheva. Ne jemi zyrtarisht të hapur dhe rikthimi i maratonës pas viteve mungesë është ndoshta shenja më e bukur e një Tirane që do i rikthehet normalitetit e jetës aktive", u shpreh Veliaj.

Pas përfundimit të maratonës u shpallën dhe fituesit, ku në kategorinë kryesore të meshkujve në 42 kilometra në vendin e parë u rendit Ilir Kellezi nga Shqipëria, ndërsa në kategorinë e femrave në vend të parë u rendit Veretska Valentyna nga Ukraina.

Për mbarëvajtjen e maratonës u angazhuan qindra forca policore, ndërsa u ndalua qarkullimi i automjeteve në disa akse rrugore në kryeqytet.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme