Zyrtarë të lartë malazezë zhvillojnë takime në ShBA

Nënkryetari i Qeverisë, Dritan Abazoviq dhe ministri për Punë të Jashtme i Malit të Zi, Gjorgje Radulloviq do të bisedojnë sot me të deleguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Eskobar.

1722399
Zyrtarë të lartë malazezë zhvillojnë takime në ShBA

Zyrtarë të lartë malazezë zhvillojnë takime të niveleve të larta në ShBA

Nënkryetari i Qeverisë, Dritan Abazoviq dhe ministri për Punë të Jashtme i Malit të Zi, Gjorgje Radulloviq do të bisedojnë sot me të deleguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Eskobar. Abazoviq dhe Radulloviq, të cilët qëndrojnë për vizitë pune në SHBA, do të kenë edhe disa takime të ndara në Departamentin amerikan të Shtetit. Delegacioni i Malit të Zi do të takohet me zëvendësen e sekretarit të shtetit Vendi Sherman dhe me ndihmësen e Sekretarit Shtetëror për Punët Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfrid, është kumtuar nga Qeveria. Është paraparë që Abazoviq dhe Radulloviq të takohen edhe me të deleguarën speciale të SHBA për avancimin e të drejtave të personave LGBT, Xhesika Stern. Zëvendëskryeministri dhe shefi i diplomacisë do të bisedojnë me përfaqësuesit e Këshillit për Sigurinë Kombëtare, drejtoren e lartë për Demokraci, Shanti Kallatill dhe drejtorin për Ballkanin dhe Evropën Qendrore, Robin Bruks.

Escobar: SHBA-të kanë mekanizma t’i kundërvihen ndikimit rus ne Malin e Zi 

Zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar në një adresim përmes videos në forumin 2BS (To Be Secure) të zhvilluar në qytetin e Budvës tha se ”Shtetet e Bashkuara të Amerikës posedojnë mekanizma politikë dhe diplomatikë për t’iu kundërvënë ndërhyrjes së Rusisë në punët e brendshme të Malit të Zi. Diplomati amerikan u pyet edhe në lidhje me qëndrimin e SHBA-së për ndikimin e partive proserbe dhe proruse në Mal të Zi. Sipas tij duhet bërë dallim midis pyetjes proserbe dhe proruse. "Së pari, unë nuk e shoh si të njëjtën gjë çështjen proserbe dhe proruse. Ato forca politike në Mal të Zi që janë proserbe duhet të pranojnë që Mali i Zi duhet të jetë demokratik, i pavarur, sovran dhe i kthyer drejt Perëndimit dhe të qëndrojë si pjesë e NATO-s. Anëtarësimi në NATO dhe procesi i integrimit e kanë bërë Malin e Zi shembull për rajonin në 20 vitet e fundit, dhe për ato parti që me të vërtetë po përpiqen të minojnë këto vlera, ne kemi shumë mënyra për t'iu përgjigjur. Disa prej tyre janë sanksionet, si dhe izolimi diplomatik dhe politik", tha Escobar.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës së Atlantikut për Malin e Zi, Savo Kentera tha në Samitin e Budvës se “Mali i Zi si anëtar i NATO-s nuk guxon e as që duhet të lejojë që të udhëhiqet nga Serbia, Rusia, e as nesër nga Kina ose ndonjë shtet tjetër. Sipas tij forcimi i institucioneve të sistemit është e vetmja mënyrë për ta përmirësuar situatën.

Millo Gjukanoviq: Qeveria është jo funksionale - duhet të shkarkohet

Presidenti Millo Gjukanoviq në forumin 2BS (To Be Secure) në Budvë tha se Qeveria aktuale është jofunksionale dhe ajo duhet të shkarkohet, sepse mandati i saj është fundosja e Malit të Zi. Sipas tij, përçarjet janë një fakt historik dhe ato nuk do të zhduken vetvetiu. Mirëpo, ideja e Bashkimit Evropian dhe e Malit të Zi qytetar e gëzon shumicën Gjukanoviq mendon se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë kapacitete që të sigurojnë stabilitetin e rajonit, por ky stabilitet mund të forcohet përmes integrimeve. Rusia ka shtuar ai, nuk është e interesuar për Malin e Zi, sa është e interesuar për shkatërrimin e sistemit të vlerave evropiane.

Zdravko Krivokapiq: Qeveria ka ndjekur të gjitha rekomandimet e sigurisë nga BE 

Qeveria e Malit të Zi ka ndjekur pa përjashtim të gjitha rekomandimet diplomatike dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, shpeshherë edhe në dëmin ekonomik të Malit të Zi, ka deklaruar kryeministri Zdravko Krivokapiq. Ai në forumin 2BS (To Be Secure) ka theksuar se ndikimet nga jashtë nuk kanë ndodhur gjatë Qeverisë aktuale, por “ato kanë ndodhur në formë intensive në periudhën që nga viti 2006”. Krivokapiq ka theksuar se Podgorica kurrë nuk ka qenë më pranë NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke shtuar se gjatë kohës së Qeverisë aktuale qytetarët kanë treguar më shumë besim ndaj këtyre vlerave. Ai ka shtuar se e dëshiron Malin e Zi të fortë, institucionet e të cilit do të veprojnë në favor të qytetarëve.

Edhe 6 viktima dhe 560 të infektuar nga koronavirusi

Si pasojë e infektimit me koronavirus sot në Mal të Zi kanë vdekur 6 persona, kurse 560 të tjerë janë konfirmuar pozitiv në Covid-19, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik i Malit të Zi. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid-19 në Mal të Zi deri tani ka shkuar në 2.042 persona. Gjatë 24 orëve të fundit është konfirmuar edhe shërimi i 406 pacientëve. Numri aktual i të prekurve me virus është 4959, kurse prej fillimit të pandemisë kjo shifër ka shkuar në 138 mijë e 607 persona.

Në javën që vjen shënohet 115-vjetori i parlamentarizmit 

Parlamenti i Malit të Zi do të shënojë në javën që vjen 115-vjetorin e futjes së parlamentarizmit në Mal të Zi me një seancë të veçantë të Parlamentit që do të mbahet në Cetinë. Dita e parlamentarizmit në Mal të Zi kremtohet me 31 tetor, në ditën kur në vitin 1906 është konstituuar në Cetinë Kuvendi Popullor i Malit të Zi. Me Kushtetutën për Mbretërinë e Malit të Zi nga viti 1905 forma e rregullimit shtetëror pas ndryshimit të Kushtetutës, kalon në sistemin parlamentar. Seanca e veçantë e Parlamentit të Malit të Zi, kushtuar këtij jubileu do të mbahet me 28 tetor në Cetinë.

Përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme